Ndue Ukaj: Asnjë popull nuk mbahet i bashkuar me urrejtje

Sa shumë idiotë e asnjë Dostojevsk, qesëndisej një mik i imi me marritë tona, të cilat nuk janë individuale, por fenomene tmerruese shoqërore.
E në fakt, kur e sheh sesi flasin, kritikojnë e kundërshtojnë shqiptarët, të kujtohen At Zef Pllumi, i cili, tek shihte dhe përjetonte gjithë urrejtjen e shtetit komunist, pyeste: “deri ku ka mbrrijtë shtazifikimi i këtij populli” dhe vazhdonte: “Qe në rini janë edukue me parullën ‘Parti, Enver, jemi gati kurdoherë”. At Zefi, po të ishte gjallë dhe të shihte çfarë ndodh në Kosovë, pa dyshim, me lehtësi do t’i vërente ngjashmëritë ideologjike komuniste që po retushohen dhe po shiten në emër të disa kauzave të rreme; do të shihte sesi njerëzit ndjenjën e dashunisë për kombin e flamurin e kanë unifikue me emnin- jo të Enverit, po të partisë.
Si pasojë e këtij ligjërimi të egër, në Kosovë, të rralla janë rastet kur dëgjon dikë të flet normal, me një etikë përgjegjësi për atë që thotë, me një ndjenjë dashurie e respekti për Kosovën dhe për kundërshtarin.
Në të kundërtën, ka kohë që në media shohim më së shpeshi ata që dinë të turfullojnë kundër çdo kujt, me disa kukurisje që e shëmtojnë edhe më tej këtë shoqëri.
Pra, shoqëria jonë po tregon se ka potencial të jashtëzakonshëm për të prodhua idiotë. Të tillët, si profetë të rremë, në emër të teorive utopike, janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Vetëm e vetëm që t’iu shkon kungulli mbi ujë.
Kosova që moti është shndërruar në një ring, ku promovohet marrëzia, angaria, ligjërimi i cektë dhe injoranca.
Prandaj, sot e përherë duhet të kujtojmë se një popull që rritë figura që jetojnë më parulla, një popull që e arsyeton dhunën dhe beson se dhuna është mënyra më e mirë për ta mposhtë të keqen, ai popull është e destinuar të vajtojë gjatë.
Historia tregon se veprat e mëdha të njerëzimit, janë vepra të dashurisë, të mirësisë dhe të humanizmit, dhe jo vepra të urrejtës.
Asnjë popull nuk mbahet i bashkuar me urrejtje.