A nuk ju vjen turp zoti Schroeder?

Për shtatë vite ai drejtoi Gjermaninë, tanimë ai ndryshon krah. Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, 73 vjeç, u zgjodh dje në Shën Petersburg si drejtues i këshillit mbikëqyrës të gjigandit të naftës të Putin, Rosneft

Nga Peter Tiede, Bild

Kjo zonë e zymtë duket sikur nuk përshtatet me kurorëzimin e Gerhard Schroeder. Ishulli Vasiljevski në Shën Petersburg duket si një shkretëtirë betoni. Në mes të saj është salla e mbledhjeve ‘Gorni’. Këtu i vendosi kurorën karrierës së tij ish-kancelari gjerman, Schroeder i socialdemokratëve. Aksionerët e kompanisë më të madhe të naftës në botë, Rosneft, e zgjodhën atë si shef të këshillit drejtues. Aksioneri më i madh: shteti rus. Ai ka qenë menaxher i Gazprom. Por që nga dje do jetë shefi i një kompanie me xhiro vjetore prej 76 milionë euro. Më shumë se kaq nuk mund të bëhesh në botën e naftës. Dhe kurrë më afër mikut të tij, presidentit të Rusisë Vladimir Putin, që e propozoi personalisht për këtë punë. Ish-kancelari i fundit i gjallë në Gjermani tani është një bos i rusëve në mëshirën e Putinit. Shumë kritika nga Gjermania dhe opozita ruse vazhduan në drejtim të tij. Bild kërkoi të mësonte prej tij: “A nuk e keni problem që shërbeni për firmat Gazprom dhe Rosneft, të cilat mbushin arkën e shtetit rus?” Ish-kancelari përgjigjet: “Jo, nuk e kam fare problem”. Pyetja vazhdon: “Edhe nëse këto të ardhura përdoren për fjala bie, luftën në Ukrainë?” Për këtë Schroeder nuk përgjigjet. Asnjë fjalë.

Schroeder si trofe i Putinit

Gjatë prezantimit përpara aksionerëve, shefi i Rosneft Igor Setchin e vlerësoi: “Gerhard Schroeder ka hyrë në histori si partneri më besnik i Rusisë në marrëdhëniet gjermano-ruse”. Çfarë nënkupton ai? Pak përpara se të linte detyrën e kancelarit, Schroeder lehtësoi borxhet prej miliardash të Rusisë dhe hapi rrugën për gazsjellësin rus Nord Stream, përkundër kritikave të ekspertëve. Për vëzhguesit, ai është kthyer në trofeun e Putinit në Rusi. Ish-menaxheri i dikurshëm rus i Exxon dhe analisti me ndikim, Konstantin von Eggert, tha për Bild: “Schroeder është si djaloshi i posterave, një reklamë e madhe për Kremlinin: E shihni, ne mund të punësojmë edhe ish-kancelarin gjerman”. Kritiku i Kremlinit, Mikail Kodorkovski shkroi: “Në disa sipërmarrje jeton zoti. Në disa jeton Djalli. Në disa ka vetëm parazitë”.