Albspirit

Media/News/Publishing

Arlinda Çausholli: Triumfi i dashurisë për veten

“Me të… vinte edhe Frau Anni, bijë e vetme e një babai të mençur dhe shumë të pasur, jurist i shquar i rretheve të larta të drejtësisë në Vjenë. Kështu do të rrëfente Petraq Kolevica, në romanin e tij me titull ““Varri i fshehtë”, ndërsa përndjek historitë e dhimbshme gjatë diktaturës. Anni, një vajzë e rritur me gjithë të mirat, na u pat dashuruar me një shqiptar, u martua me të dhe erdhi në Shqipëri aty nga mesi i viteve 30 të shekullit të kaluar. Pas saj erdhi dhe i ati që i ndërtoi dy shtëpi banimi. Njërën – i tha ta kesh për të ndenjur me burrin, tjetrën ta kesh për vete për ndonjë rast të keq, se ti moj bijë – i tha – ke ardhur në një vend ku s’ka ligje të forta”.

Librin e kam dhuratë nga një mik i sojshëm që ka vuajtur rrënjësisht dhe familjarisht si shumë të tjerë, djallin makabër që ndoqi për 40 vjet shqiptarët. Parantezë. Dikur 10-vjeçar, miku im më tregonte, se nëse nuk shkruante në zarf krahas emrit të të atit mbishkrimin “Merr: Armiku i Popullit”, letra nuk i shkonte prindit të burgosur në kthinat pa dritë të Spaçit. Çfarë mallkimi ky vend.

U ndala pak gjatë te paragrafi i Kolevicës. As nuk ka patur, as nuk ka ligje të forta Shqipëria. Shqipëria ka për ligj përzierjen e ngurtë të mllefit dhe ashpërsisë, injorancës, agresivitetit dhe krititikave. Njëri përgatit shtizën, tjetri e lyen me mjaltë dhe bashkë buzëqeshin. Këtu i rrisim fëmijët dhe jetojmë vetë. Sfidë brilante.

Këtë po mendoja ndërsa humba dy orë kohë sot duke lexuar poshtë e lart shkrime që ma trishtuan zemrën dhe më bënë të mendoja pse nuk kemi ligje të forta ne shqiptarët. Ne nuk kemi një ligj të brendshëm. Një ligj të brendshëm që të rregullojë dhe të sistemojë mendimet dhe veprimet tona, që më pas të përgjigjemi ndershmërisht dhe me ndërgjegje për çdo akt që kryejmë. Një ligj të brendshëm ku të triumfojë dashuria për veten. Kush nxjerr mllefin, nuk e kupton se 20 përqind mund të shkarkohet te i shenjuari, por 80 përqind njeriu vetëhelmohet dhe aty ku nis mbledhja e spektatorëve të kësaj kënaqësie fatale shoqërore, zë fill dhe fama mjerane e një njeriu gjysmak.

Kush ka një hapësirë publike, virtuale ose jo, të kufizuar ose jo, përkundet përditshëm me një dhuratë të paçmuar ndaj njerëzve, pasi ka në dorë të përmirësojë qoftë dhe për pak çaste ditën e dikujt. Ose thjesht ta dritësojë. Kush shkruan është shërbyes. Kush shërben përkulet. Mund të shërbejë një kafe të hidhur, por përkulet ama. Çdo gjë tjetër është shpërdorim. Shpërdorim kohe, shpërdorim hapësire, shpërdorim mendjeje, shpërdorim vlerash dhe shpërdorim njeriu.

Shkrimi rron. Fjala mbetet. Ndikimi i saj është i ngadaltë dhe i shtrirë në kohë. Por është i pakthyeshëm. Qerthullet e turbullta kolektive janë të panevojshme për ne, apo për shoqërinë tonë që është më afër primitives sesa modernes. Janë mbase delire të momentit për kë i shkakton, por gjërat nuk mbarojnë këtu. Sapo kanë filluar…

#çizmeteverdha

Please follow and like us: