Ndërtimi në krizë, 9 kompani shpallin falimentimin

Me gjithë numrin e madh të lejeve të miratuar muajt e fundit, sektori i ndërtimit gjendet ende në vështirësi.

SCAN ka zbardhur se vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti, 9 kompani ndërtimi kanë shpallur falimentin, ndërkohë që më shumë se 25 të tjera, të përfshira aktualisht në procese gjyqësore, nuk ekzistojnë më nëpër adresat zyrtare.

Në një intervistë për SCAN, Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi thotë se numri i lartë i kompanive ndërtuese të falimentuara, apo që kanë mbyllur aktivitetin, i dedikohet investimeve të gabuara, bllokimit të lejeve të ndërtimit për një periudhë të gjatë dhe krizës ekonomike.

“Në fund të viti 2008, filloi kriza, e cila krijoi probleme. Para 2008 ndërtuesit mendonin që duhet të blejnë troje për t’i pasur të garantuara për zhvillimin e lejes, por kujtonin se do të kishte vazhdimësi, por në fakt 2009-2016 nuk u dhanë leje dhe këto u bënë një barrë, sidomos kur kanë qenë të marra me kredi kanë rënduar shumë koston e firmave të ndërtimit. Mungesa e lejeve ka ndikuar në mbajtjen e administratës dhe pagesën pa pasur përfitim punët e kryera në shtet të papaguara”

Muçi thotë se çlirimi i lejeve të ndërtimit muajt e fundit ka dhënë një efekt pozitiv në segmentin e apartamenteve të shtrenjtë në zonat e Tiranës, ndërkohë që në krizë vijon të mbetet tregu i objekteve me çmime të ulëta.