Presidenti i Greqisë kërcënon Shqipërinë për integrimin në BE

 

Politika greke vazhdon të japë mesazhe kërcënuese ndaj Shqipërisë për integrimin europian në lidhje me banesat e minoritetit grek në Himarë. Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, në një intervistë për të përditshmen serbe “Politica”, ka deklaruar se veprimet e autoriteteve shqiptare që shkelin të drejtat themelore të njeriut, pengojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Kur bëjnë akte që bien në kundërshtim me konventat europiane, të tilla si shkelja brutale e të drejtave themelore të njeriut, në veçanti ajo e pronës, minon perspektivën europiane”, ka thënë kreu i shtetit grek. Ky mesazh i Pavlopoulos i adresohet edhe Maqedonisë, në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit mes dy vendeve. Edhe ministri i Jashtëm grek më herët ka bërë deklarata të tilla për çështjen e pronës së minoritetit grek në Himarë, duke kërcënuar Shqipërinë me bllokim të hapjes së negociatave për integrimin në BE. Në intervistën e tij, Presidenti i Greqisë foli edhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë, me Turqinë dhe për rajonin.