Albspirit

Media/News/Publishing

Senada Bajraktari: Ngacmimi dhe abuzimi seksual tek fëmijët

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë: “Abuzimi seksual i fёmijёve ёshtё pёrfshirja e njё fёmije nё njё aktivitet seksual pёr tё cilin fёmija nuk ёshtё i pёrgatitur fizikisht, tё cilin fёmija nuk e kupton plotёsisht, ёshtё i/e paaftё tё japё miratimin, ose qё shkel ligjet ose tabutё sociale tё shoqërisё. Abuzimi seksual i fёmijёve ndodh nga veprimi mes njё fёmije dhe njё tё rrituri/ose njё fёmije tjetёr qё ka moshё apo zhvillim tё pёrgjegjshёm, veprim ky i qёllimshёm pёr tё plotёsuar dhe kёnaqur nevojat e personit tjetёr apo fëmijës tjetër.”

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e ndalon dhe e ndëshkon me burg ngacmimin/abuzimin seksual tek fëmijët, përkatësisht në nenet 107, 108, 117. Por, pavarësisht kësaj, Kodi ynë Penal nuk e parashikon dënimin ndaj një ngacmimi apo abuzimi seksual nëse fëmija është mbi 14 vjeç, duke rënë kështu në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare, sipas të cilës, fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga abuzimi deri sa të mbushin 18 vjeç, por ligji në Shqipëri nuk parashikon marrjen e masave penale kundër abuzuesit nëse fëmija është mbi 14 vjeç (në rastet kur ka dhënë pëlqimin). Krahas kësaj, disa akte që mund të konsiderohen si abuzive nuk janë të parashikuara apo të qartësuara, që ndaj tyre të merren masa penale në Shqipëri. Me rishikimin e Kodit Penal, do të nevojitej rishikimi i moshës dhe qartësimi dhe shtimi i të gjitha akteve që përbëjnë ngacmim dhe abuzim seksual sipas konventave ndërkombëtare. Krahas normave dhe ligjeve ndëshkuese, janë edhe një sërë institucionesh e organizatash publike apo private që angazhohen për parandalimin dhe luftën ndaj ngacmimit/abuzimit seksual në Shqipëri.

Duhet theksuar se, dinamika e ngacmimit/abuzimit seksual tek fëmijët ka një specifikë se, përgjithsisht, abuzuesit nuk ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve, përkundrazi, manipulojnë besimin e fëmijëve në atë shkallë sa i bindin ata të fshehin abuzimin seksual, dhe në ndryshim nga ngacmimi apo dhuna seksuale tek të rriturit, abuzimi seksual tek fëmijë mund të përsëritet, me javë apo vite. Një tjetër dallim i fortë i ngacmimit/abuzimit seksual të fëmijëve është dhe fakti që, shpesh, abuzuesi është një person i njohur, i afërm apo i besuar dhe nuk kanë munguar rastet, as në vendin tonë, ku abuzuesi ka qënë njëri nga prindërit apo një person me lidhje gjaku me fëmijën.

Fëmijët që janë më të rrezikuar për të qënë viktima të ngacmimit/abuzimit seksual janë fëmijët me përkujdesje apo mbështetje të dobët sociale për shkak të varfërisë ekonomike të familjes, pamundësisë fizike e mendore të prindërve, izolimit nga komuniteti apo për shkak se jetojnë vetëm me njërin prind; fëmijët me nevoja të veçanta apo me dobësi psikologjike e perceptuese; fëmijët që jetojnë në institucione mikpritëse, rezidenciale apo që janë të adoptuar, etj.

Prindërit, mësuesit, psikologët, mjekët dhe punonjësit që mbrojnë të drejtat e fëmijëve duhet të hetojnë nëse ka ndonjë ngacmim/abuzim të mundshëm seksual kur fëmijët, papritur, shfaqin ndryshime të menjëhershme të sjelljes dhe humorit si irritim, sjellje agresive e antisociale apo bindje të pazakonshme ndaj të tjerëve, kur shfaqin vështirësi në gjumë dhe në të ngrënë, vështirësi në përqëndrim e rënie në performancën shkollore, vet-izolim dhe shenja depresioni, si dhe sjellje seksuale të papërshtatshme, siç mund të jenë njohuritë apo kuriozitet më shumë seç duhet për moshën mbi sjelljet seksuale dhe organet gjenitale, sjellje seksuale e papërshtatshme me vëllezërit, motrat, moshatarët ose objektet. Nëse prindërit apo mjekët vënë re dhe dhimbje e lëndime të pashpjegueshme të organeve gjenitale, lezione në vendet intime dhe infeksione e sëmundje seksualisht të transmetueshme tek fëmijët, atëherë kjo do të përforconte dyshimet për një abuzim të mundshëm seksual.

Gjithashtu, prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve duhet të tregojnë vëmëndje të veçantë edhe gjatë përdorimit të internetit nga ana e fëmijëve, pasi orët e shtuara në përdorimin e internetit, bisedat e fshehta, shtimi i shokëve të rinj e të panjohur në internet, fshehja e informacioneve mbi faqet apo miqtë me të cilët fëmijët flasin në rrjetet sociale, janë shenja të një ngacmimi seksual përmes internetit.

Por si mund të luftohet ngacmimi/abuzimi seksual?

Mënyra më e mirë është parandalimi dhe identifikimi i hershëm i fenomenit. Prindërit, mësuesit, komuniteti duhet të informohen mbi format e abuzimit dhe personat që mund të jenë abuzuesit e mundshëm, për fëmijët më në rrezik për abuzim seksual dhe mënyrat e mbrojtjes së fëmijëve ndaj tij.

Bashkimi Europian ka marrë së fundmi inisiativa dhe po financon projekte me fokus mbrojtjen e fëmijëve dhe të të drejtave të tyre, të cilat po zbatohen nga Save the Children dhe Terre des hommes në partneritet me organizatat lokale në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Një nga këto ndërhyrje është edhe projekti pilot që po zhvillohet në Konispol nga Qendra për Studime të Avancuara, me qëllim informimin dhe trajnimin e fëmijëve, prindërve, profesionistëve që punojnë me fëmijët dhe në fusha lidhur me mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetin mbi ngacmimin/abuzimin seksual dhe mënyrat e parandalimit dhe mbrojtjes ndaj këtij fenomeni. Gjatë këtij projekti është ngritur dhe një website-i (www.parandalojmesebashku.com) në bashkëpunim me fëmijët e shkollës, e ku janë pasqyruar aktivitetet dhe punimet e tyre. Ky website do i drejtohet fëmijëve dhe adoleshentëve të tjerë në Shqipëri dhe do ofrojë informacion mbi ngacmimin/abuzimin seksual, mbi mënyrat e parandalimit dhe identifikimit të hershëm, si dhe informacion se ku mund të drejtohen fëmijët dhe prindërit në rast të nevojës për mbështetje. Ky website do të jetë një shembull se si fëmijët mund të përdorin në mënyrë të sigurt rrjetet sociale dhe internetin.

Nëse fëmijët informohen mbi ngacmimin/abuzimin seksual, mbi abuzuesit e mundshëm, nëse ata inkurajohen dhe mësohen që të flasin me prindërit dhe bashkëmoshatarët apo me të rriturit e tjerë të besuar siç janë mësuesit, psikologët, punonjësit e policisë apo punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve pranë bashkive dhe njësive administrative, do të ishin vet fëmijët të parët, që do ndihmonin në parandalimin e ngacmimit/abuzimit seksual apo në marrjen e masave të menjëhershme denoncuese dhe ndëshkuese, në rastet kur këto mund të ndodhnin. Institucionet arsimore mund të luajnë një rol të rëndësishëm nëse përfshijnë në programet e tyre edukative apo jashtëshkollore informacion mbi mënyrat e parandalimit të ngacmimit/abuzimit seksual dhe për shërbimet sociale publike apo private ku fëmijët dhe prindërit mund të drejtohen për të marrë ndihmën e nevojshme.

Nëse prindërit informohen të jenë të kujdesshëm në kontrollin ndaj fëmijëve duke u interesuar se më kë shoqërohen dhe ambientet që frekuentojnë, nëse inkurajojnë fëmijët të bisedojnë hapur ta për çdo gjë që iu ndodh në shkollë apo jashtë saj, nëse janë të vëmendshëm dhe kontrollojnë faqet e rrjeteve sociale që përdorin fëmijët, si dhe nëse flasin me fëmijët për bisedat që ata shkëmbejnë apo miqtë që zënë gjatë përdorimit të internetit, etj, atëherë dhe mundësia që të ndodhë ngacmimi/abuzimi seksual do të ulet.

Please follow and like us: