Stalone bën shqiponjën, por nuk është shqiptar

Çdo komb kërkon të nxjerrë apo të gjejë figura të shquara, të cilat kanë lënë apo po lenë shenjë në botë për veprën e tyre. Edhe shqiptarët nuk mund të mbeten jashtë kësaj. Ka pasur shumë diskutime kohët e fundit për figura të shquara botërore, të cilët kanë bërë simbolin e shqiponjës dykrenare, simbol ky me të cilin zakonisht “identifikohen” shqiptarët. Por jo gjithmonë, personazhet kanë dashur të shprehin këtë gjë.  Jo më larg se një vit, aktori me famë botërore Sylvester Stallone e ka bërë simbolin e shqiponjës dykrenare gjatë një interviste në studion e David Letterman. Shumë menduan se ai ka dashur të thotë që “jam me origjinë shqiptare”. Por në fakt aktori amerikan me origjine italiane, Stallone në atë rast ka qene duke folur per “Buffalo chicken wings”, domethënë për “krahe pule të gatuara në stilin e Bufalos”, pa pasur fare lidhje me tokën legjendare të shqiponjave. Ndërsa një tjetër aktor i madh, e ka pranuar publikisht se ai ka gjak shqiptari. Bëhet fjalë për Robert De Niron e famshëm, ai ka pranuar në vitin 2011 në festivalin e Sanremos në Itali, se ka gjak siçilian dhe shqiptar.