Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Qau hallet e fshatit dhe të dhive të saj apo i shërbeu tinëz qeverisë?

Qau hallet e fshatit dhe të dhive të saj apo i shërbeu tinëz qeverisë? Mbi këtë dilemë u strukturua thuajse gjithë diskutimi për fjalimin e Rigerta Lokut në parlament.

Medemek nuk ka rëndësi çfarë tha, rëndësi kanë motivet përse i tha.

Nuk ka rëndësi se fshati shqiptar është në mjerim të plotë, se toka vazhdon të lërohet si në mesjetë, se fshatari punon për të mbajtur frymën gjallë, se mungojnë rrugët dhe subvencionet që do të shtonin prodhimin bujqësor e blegtoral dhe do të lehtësonin hyrjen e tij në treg.

Nuk ka rëndësi as fakti që Rigerta, ka studjuar në La Sapienza, por është kthyer në Rubik dhe, bashkë me familjarët menaxhon një fermë dhish.

Nuk na nxit kjo përvojë jo e zakonshme të diskutojmë për sipërmarrjen, për të rinjtë që pasi kryejnë studimet universitare, këtu apo jashtë, vegjetojnë kafeneve.

Na intereson vetëm në se Rigerta është e majtë apo e djathtë dhe sidomos PËRSE i tha ato që tha.

I kuptoj palët politike që mund ta fusin diskutimin në këtë hulli. Mirë apo keq, hesapet i bëjnë mbi pyetjen: më shërbejnë mua apo rivalit?

Nuk kuptoj shumë intelektualë e gazetarë. S’është roli i tyre t’i mbajne iso politkës, as të përflasin biografitë dhe motivet pse ngrenë zërin njerëzit.

Intelektualët e gazetarët i shërbejnë interesit publik, ndaj e orientojnë debatin nga hallet e popullit.

Ndryshe hajdeni të këndojmë bejten sarkastike të atij fshatarit: ‘rroftë e qoftë politika/ fshatit le t’i bjerë pika!’.

Ta këndojmë në daç me çifteli, në daç me iso, grushtbashkuar rreth politikanëve apo, si u thotë populli, politiqenërve.

Please follow and like us: