Albspirit

Media/News/Publishing

Herodoti/Meditime historike rreth lashtësisë pellazgjiko-ilire

Aristotel Mici-Boston/  Ideja për të shkruar këto radhë në formën e meditimeve rreth lashtësisë pellazgjiko-ilire, më lindi duke lexuar  librin madhor të Herodotit, të cilin tashmë e kemi të përkthyer në shqip nga mathematikani i njohur, Prof. Aleko Minga.Herodoti

Vepra e Herodotit  “Historitë” ka si bosht ngjarjesh  luftën mes ushtrisë së vogël helene dhe ushtrisë së stërmadhe të perandorisë persiane.  Kjo luftë zgjati më shumë se dy dekada, nga viti 500 Para Krishtit, deri në vitin 479. Në këtë hark kohor ushtria e vogël helene do të rrëfente episode heroizmi të papara, që do të kulmonin me betejat e famshme si ajo e Marathonës, e Salaminës dhe e Termopileve.

Po libri i Herodotit,- siç shkruan edhe Prof. Minga,- s’është vetëm rrëfimi i kësaj lufte, përkundrazi, është një vepër që sjell një informacion tepër interesant për mbarë botën e njohur të kohës së tij, për mjaftë vende e popuj të tjerë të Europës e Azisë së Vogël dhe të Mesme.

Shikuar nga kjo anë, vetiu, duke lexuar Herodotin, u kapa nga kureshtja për të gjetur sado pak gjurmë nga pereiudha e lashtësisë pellazgjike dhe ilire e  stërgjyshërve tanë pararendës.Dhe vërtetë emërime pellazgjike fillojnë të duken që nga libri i parë i veprëas “Historitë” të Herodotit.  Kështu në faqen 79 shkruhet  “….një pjesë e rëndësishme e qytetarisë të dymbëdhjetrë qyteteve janë nga Eubeja, të cilët nuk kanë të drejtë të quhen “jonian”, me ta janë përzier kadmianë,driopianë, fokianë, të dëbuar nga vendi, molosë, pellazgë nga Arkadia.[1] Në këtë rast  mollosët dhe  pellazgët vetëm sa dalin midis popujve të tjerë në këtë vepër, për t’u dukur dhe më shumë më pas.

Po informacioni që jep vepra e Herodotit i tejkalon kufijtë e botës së pellazgëve, të Helladës dhe Ilirisisë. Siç duket nga  leximi i veprës së tij, Herodoti ka qënë dhe një dijetar shetitës, që kish gjesdisur shumë vende të botës së vjetër. Dhe kudo që vinte, ai përpiqej të gjellinte fakte dhe ngjarje, që i dukeshin interesante për historitë, që kish marrë përsipër të shkruante. Nga moria e ngjarjeve m’u duk me interes të veçoja midis të tjerave rrrëfimin për dy orakujt, atë të Heladës dhe aë të Libisë. “Egjiptianët,- shkruan Herodoti, – tregojnë sa vijon: priftërinjtë e Zeusit të Tebës më thanë që dy gra, në fakt priftëresha, ishin rrëmbyer në Tebë prej disa fenikasve.  Ata kishin marrë vesh se njera nga gratë ishte shitur në Libi dhe tjetra në Heladë. Sipas tyre këto gra ishin të parat që themeluan dy orakuj në këto dy vende. Kur i pyeta si mund të flisnin me kaq siguri, m’u përgjegjen se kishin bërë një kërkim të kujdesshëm për këto dy gra. Dhe, megjithëse nuk ia kishin dalë t’i gjenin, kishin zbuluar më pas atë çka po më thoshnin për to.

Kjo është ajo që më thanë priftërinjtë në Tebë, por profeteshat e Orakullit të Dodonës thonë që dy pëllumbesha të zeza fluturonin që nga Teba në Egjipt; njera fluturoi drejt Libisë, tjetra aty në Dodone, pranë tyre. Kjo e fundit u ul mbi një lis dhe paskej thënë me zë njeriu se aty në Dodonë duhej ngritur një orakull i Zeusit.

.Banorët e  Dodonës e kuptuan se po dëgjoni  një urdhër hyjnor dhe u bindën të bënin ç’u tha pëllumbesha. Priftëreshat thonë se pëllumbesha që shkoi në Libi u tha libianëve të ndërtonin orakullin e Amonit, një orakull tjetër të Zeusit. Kështu thoshin priftëreshat e Dodonës, nga të cilat më e vjetra quhej Promenia, e dyta Timareta dhe më e reja Nikandra. Edhe dodonasit e tjerë që banonin  rreth e rrotull tempullit, pajtoheshin me këtë.

Tani do të them mendimin tim sesi ka ndodhur kjo. Sikur vërtetë fenikasit t’i kishin rrëmbyer  priftëreshat  dhe t’i kishin shitur njerën në Libi dhe tjetrën në Heladë, kjo e fundit, sipas meje, do t’u  ketë qenë shitur tesprotëve ( banorë të Çamërisë – shenimi im AM.),  të cilët  e patën çuar në vendin që tani quhet Heladë, vend që në atë kohë quhej Pelazgji “- (nga libri i dytë Historitë- Herodoti)

Kështu, duke lexuar dhe komentuar rreth këtij episodi, që ka të bëjë me zanafillën orakullit të Dodonës, e kemi shumë të qarte të kuptojmë se si Herodoti përkatësinë e orakullit të Dodonmës ua jep banorëve të Threspotisë.  Ndër kohë, duke qenë se edhe ky orakull ishte ngritur nga zëri hyjnor i Zeusit, siç cicëroi pëllumbesha, vetëkuptohet vetiu që Zeusi si Hyjni i ka përkitur, po atij vendi, që ka qenë quajtur Pellazgji.

Ndër kaq, theksojmë se në kujtesën dhe në gjykimin e Herodotit pellazgjia datohet historikisht  në  një kohë më e lashtë se Helada,  si edhe u tha më sipër.Pastaj,  historiani vazhdon të shkruaj  prap  për prtiftëreshën, që e kishin shitur si skllave fenikasit:  Ndërsa punonte si skllave për thesprotët, ajo, priftëresha themeloi një shenjtërore të Zeusit nën hijen e një lisi që rritej  aty. S’ka asagjë të jashtëzakonsme në këtë që bëri, sepse ajo pat shërbyer në shenjtëroren e Zeusit në Tebë dhe pa tjetër do të mendonte e do të kujtonte Zeusin në këtë vend të ri. ((Herodoti-124)

 Pra, siç e lexojmë në vazhdimësi të episodit, Herodoti rithekson edhe një herë faktin  informuese, se qoftë orakulli i Dodonë, qoftë faltorja  për Zeusin janë lokalizuar në mjedisin e thesprotëve, të cilët kanë qenë dhe janë  fise ilire në trojet e tyre.

Dhe në kohën, që priftëresha themeloi orakullin, “u tha njerzëve që motrën e saj  e kishin shitur në Libi po ata fenikas, që e kishin shitur edhe atë vetë.

Më pastaj Herodoti  dëshiron të japë arsyetimin e tij lidhur me personifikimin e murgeshave si shpendë që flasin. Lidhur me këtë dukuri animizuese ai pohon: Mendoj që dodonasit i quajtën gratë pëllumbesha, sepse ato ishin të huaja dhe gjuha e tyre dukej si cicërim zogjësh. Ata thonë që pas një farë kohe pëllumbesha foli me zë njeriu, sepse atëherë ajo foli në gjuhë që e kuptuan.  Sa kohë që fliste në gjuhë të huaj, atyre u dukej se cicëronte, sepse si mund të flasë një pëllumbeshë me zë njeriu? Kur thoshnin se pëllumbesha ishte e zezë, nënkuptonin që gruaja ishte egjyptiane.

Me tregimin e tij rreth orakullit të Dodonës, Herodoti na jep mundësinë që të marrim me mend lidhjet midis civilizimeve të antikitetit të herëshëm. Dalja e fenikasve në rrëfim, krahas elementeve të jetës egjyptiane, flet për ndikimin dhe lidhjen kulturore të botës së mesdheut. Dihet se Egjypti dhe Babilonia qenë kulme të ndritura zhvillimi, për atë kohë të vjetër antike, kurse fenikasit, si lundërtarë të guximshëm dhe tregëtarë të zotë, i përhapën këto qytetërime përmes kolonizmit me ngujimet e tyre.

Po më e rëndësishmja, që duhet thënë për ta  është fakti se dy mijë vjet Para Krishtit, fenikasit shpikën alfabetin prej 22 shkronjash; ky alfabet ka qenë shumë më i  thjeshtë se hieroglifet ose kuneifomat babilonase; në bazë të tij është krijuar alfabeti grek, e prej tij janë përpiluar  të gjithë alfabetet e tjerë të ditëve tona[2]

Po në qoftë se te episodi i  orakullit të Dodonës i gjemë pellazgët qysh në kohën e Tebës,[3] në librin e gjashtë të veprës së Herodotit do t’i shohim ata  edhe në fillim të shekullit të pestë Para Kishtit, nga viti 500-490, pra  për gjatë Luftës  Greko –Persiane,  ku do të lexojmë këto deklarime: “Athinasit i kishin dëbuar pellazgët nga Atika – me të drejtë a pa të drejtë këtë nuk mund ta them, po vetëm po e përsërit atë që thonë të tjerët. Hekateu[4], i biri i Hegesandrit, në Historinë e tij pohon se athinasit vepruan në mënyrë të padrejtë. Ata ua patën dhënë tokën e vet në rrëzë të Himetit për ngulim pellagëve, si shpërblim për murin që ata kishin ngritur dikur rreth Akrpolit. Kur Athinasit e panë se kjo tokë më parë e keqe dhe që s’ vlente kurrëgjë, tanimë ishte punuar për bukuri, i kapi zilia dhe donin ta shtinin sërisht në dorë. Prandaj athinasit pa kurrëfarë shkaku tjetër i dëbuan pellazgët.

Përkundrazi, athinasit thonë se i dëbuan pellazgët me të drejtë, se pellazgët u kishin sjellë athinasve shumë bezdi: vajzat athinase shkonin atëherë për ujë në Nëntë  Burimet  (Eneakrunos), sepse në ato kohë athinasit dhe helenët e tjerë ende nuk kishin skllevër sherbëtorë. Sa herë që vajzat shkonin për ujë, pellazgët me një përçmim i fyenin ato.  Po kjo ishte më e pakta. Në fund të fundit pellazgët i kishin kapur me presh në dorë kur donin të sulmonin Athinën. Megjithatë, athinasit u treguan më fisnikë se pellazgët çka duket nga fakti që athinasit mund t’i vrisnin ata, kur zbuluan komplotin e tyre, por nuk deshën dhe i urdhëruan ta braktisnin vendin. Kështu pellazgët e dëbuar u zhvendosën në toka të tjera, ku përfshihej edhe Lemnosi. Këto janë dy versionet, i pari është i Hekateut dhe  i dyti i athinasve.”[5]Dhe në këto deklarime të Herodotit, duhet të kemi para sysh faktin se ky informacion nuk vjen nga koha mithologjike, po nga periudha kur autori jetonte vetë midis atyre ngjarjeve.

Duke lexuar  këto fjalë të këtij paragrafi, kuptojmë fare qartë vazhdimësinë e bashkëjetesës së pellazgëve, krahas helenëve, për gjatë disa shekujve, duke nisur nga periudha e Tebës dhe  orakullit të Dodonës e deri në kohën e Luftës Greko-Persiane. Ky është një mësim që nxjerrim nga Herodoti se si rrjedhojë edhe arvanitasit e e periudhës së parë të Mesjetës, po edhe të kohëve  më të vona janë vazhdim breznish i pararendësve të tyre  pellago-ilire, siç ishin tesprotët..Natyrisht gjatë kohës së Perandorisë Bizantine mund të kenë vajtur edhe valë shtresash të tjera nga krahinat e Arbërisë. Po Sidoqoftë, popullata arvanitase shqipfolëse në trevat helene  prej shekujsh ishte shumë e përhapur, duke filluar nga malete Sulit, Konica, Korfuzi,  e deri tek Paramithia , Arta, Parga,  dhe më tutje si në More, Spartë dhe Athinë, ku është dhe lagjja me emrin “Plaka”. Kjo hartë shqipfolëse e përhapur në tërë Heladen dhe Morenë, e bën patriotin e shquar  arvanitas,  Aristidh Kolias, të deklaronte në veprën e tij se “Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri 90 përqind e heronjëve të Pavarësise së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po sq sa greqishtja, sa që u propozua të flitej në dy gjuhë, po që shpejtë u ndalua”[6] Kur flet kështu Aristidh Kolias ka para sysh shumë heronj arvanitas, të cilët derdhën gjakun  dhe ranë deshmorë për lirinë dhë pavarësinë e Greisë më 1821 siç janë  Kiço Xhavella, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Laskarina Bubulina, Kostandin Kanari,  Andrea Miauli , Teodor Griva e shumë e shumë të tjerë.

Po deklarim i patriotit arvanitas A.Kolias është shumë vëllazëror dhe mirëdashës kur vazhdon të thotë: Bashkëjetesa në shekuj dhe rrënjët pellazgjike, si popuj më të lashtë në Ballkan, na nxjerrin të afërt, më të afërt se çdo popull tjetër ne  përqark, prandaj të lëmë luftrat dhe  të shohim miqësinë dhe perparimin[7]

Detaje dhe gjurmë nga jeta e ilirëve do të gjenden në disa kapituj të veprës së Herodotit, si për sjhembull në rastin e zakonit të martesës me para.  Një herë në vit të gjitha vajzat për martesë mblidhen në një vend të caktuar. Një kasnec i ngre vajzat një nga një për t’i vënë në shitje. Zakonisht nisin nga vajza më tërheqëse. Vajzat blihen nga djemtë jo për t’u bërë skllave, por për martesë. Për këtë  rast Herodoti shkruan: më i arsyeshmi për mendimin tim është ky  zakon që vijon, të cilin e kanë, siç e kam dëgjuar, edhe fisi i enetëve ilirë,( f.96)  . Duhet të shenojmë me këtë rast se zakoni që u jepej pare vajzave, me të cilat lidhej martesa, ishte i gjallë në Shqipëri deri në mes të shekullit të kaluar; sasija e parave, në viset shqiptare, bëhej me marrëveshje midis palëve, dhe quhej argëllëk.Një gjurmë tjetër e pranisë ilire gjendet në librin e tetë  të veprës, ku lexojmë këto fjalë: Nga Argosi ishin arratisur në tokën e Ilirisë tre vëllezër, pasardhës të Temenit….Nga Iliria [8]ata kaluan në Maqedoninë e Epërme dhe mbrritën në qytetin Lebea, ku u pajtuan kundrejt një pagese, në shërbim të mbretit.

 Ndërsa në librin e nëntë, duke  pasur parasysh një vendim të  një komandanti Persian, Mardonit, që synonte të bënte një sulm, duke qenë i mbështetur te profecia e një orakulli, Herodoti  e komenton  ate profeci, duke thënë:

Por me sa di unë, kjo thënie e orakullit që, sipas  fjalëve të Mardonit, kishte të bënte me persianët, u përkiste ilirianëve dhe ushtrisë së enkeleasve dhe jo persianëve. (f.523)

Mjaftë interes paraqet edhe një rrëfim i Herodotit, që lidhet me një subjek nga qyteti antik të Apolonisë; rrëfim që ka në qendër bariun Evenis.

Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë në Platea dhe po bëheshi përgatitje për shpeditë detare në Jon.  Ushtria helene komandohej nga Leutikidi dhe  persianët nga  Mardoni. Me këtë rast  helenët  bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon të birit të Evenisit nga Apolonia.

Babait të këtij, Evensit, shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e rrëfej :                                                                                                Në Apoloni ka një  grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit[9] që rrjedh nga mali Lakmon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjedhin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli[10].  Delet e kalojnë natën në një guvë që është disi lasrg qytetit. Këtu ky Evenisi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek i ruante dhe ujqërit hynë në guvë dhe i shqyen rreth  60 dele. Kur u zgjua, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet.  Menjëherë mbasi e verbuan Evensin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin  dënuar pa të drejtë Evensin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; ato do të vazhdonin të hakmerreshin  derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen  që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Evensit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e tij; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) si edhe kishin një shtëpi, që ishte më e bukura e qytetit.  Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Evensi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius!  Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që ia kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Banorët e Apolonisë, sidoqoftë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpinë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj u bë njeri i famshëm. (f.540)

Pikërisht të birin e këtij Evenusi, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.(f.541)

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit  për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia  qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen se pranë saj atëherë, ndodhej një orakull. Po të kemi para sysh faktin se të birin e Eveniusit, orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e  tyre kundër persianëve, ky orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës.

Me të drejtë historianët vendin e këtij orakulli e gjejnë në  fshatin Frakull; e kanë këtë ide nisur nga evoluimi fonetik  zanores “O” në consonantet  buzoro-dhëmbore  “V” dhe pastaj në “F”:  Orakull,   Vrakull,   Frakaull.

Ka dhe historianë që orakullin e Apolonisë e përfytyrojnë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që diltge nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij  për të rrëfyer parashikimet.

Kështu, nisur nga këto dy ide të historianëve që e lokalizojnë orakullin në Frakull dhe se pranë orakiullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit që rrjedh nga mali Lakmon përmes  territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë  portit të Orikut” (f. 540).

 

Deduksioni i parë që nxjerim është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po  përmes territorit të Apolonisë,  mbase tetë kilometra larg, siç është konkretisht distance  midis Pojanit dhe Frakullës sot.

Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në perëndim në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm.

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botë së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellagjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë kombëtare.

Dhe ndërkaq, më së fund duhet theksuar, se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz  dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceron”[11]

 

 

Bibliografi

[1] Herodoti,  Historitë,   Botimet IDK,Tiranë, f. 79

[2] Prof. A. Mishulin, Histori e Kohës së Vjetër, Tirane, 1950, f.50

[3] Teba ishte qytet i lashtë i Heladës, i kohës së bronxit, në krahinënën e Beotisë, qe konkuronte me Mikenënë

[4] Hekateu ka qenë historian Helen i kohës së Herodotit nga Miletus

[5] Herodoti,  Historitë, f.380

[6] Kolec Traboini, E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias, Boston, 2005. f.32

[7] K.Traboini, po atje

[8] Kemi të bëjmë me territor që i korespondon Shqiperisë së sotme lindore; kurse qyteti Argos i përmendur këtu, duhe të jetë nje qytet i vogël maqedonas dhe jo Argosi i Peloponezit.

[9] Merret me ment se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme

[10] Historianët janë të mendimit se ky orakull i Apolonisë do ta ketë pasur vend ndodhjen në fshatin e sotëm Frakull, mbase duke parë mundësinë e evoluimit  fonetik të  zanores “O” në konsonanten buzoro-dhëmbore “V,” për të kaluar pastaj tek konsonatja tjetër analoge, “F”, pra nga Orakuull,Vrakull dhe më në fund  Frakull

 

 

 

 

 

 

 

[11] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK  f.13

Please follow and like us: