Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Dele që nuk ju vlen as leshi…

 

Dhitë e Gretës, më të famshmet në Shqipëri për momentin, janë të zgjuara. Janë me arsim të lartë, mdaje me arsim nga ai jashtë vendit. Janë arsimuar në një nga universitetet më të mira në Itali, për shkenca politike. Sa gjë e madhe! Por fati i keq i tyre, që jetojnë në një fshat të Mirditës. Imagjinoni ç’do kishin bërë sikur të jetonin në Tiranë!!! Unë nuk arrij ta imagjinoj. Mos qeshni, sepse është e vërtetë. Padronia e tyre, çdo gjë ka marrë atje, ua ka sjellë edhe atyre. I ka mësuar të kuvendojnë në heshtje, madje i bëri edhe faktor në parlament. Aty, ku zëri i shumë deleve nuk është dëgjuar kurrë, madje as nuk njihen në janë të zeza, të bardha, apo të egra. Ndërsa dhitë e Gretës, folën duke heshtur. Folën nga Mirdita, nga ai fshati pa rrugë e pa ujë, si shumë fshatra të Shqipërisë, që ato delet atje në fakt i njohin shumë mirë. Po moj Greta po, i njohin shumë mirë, sepse në çdo 4 vjet kanë shkuar të premtojnë gjëra që nuk i bënë kurrë. Kanë shkuar edhe kanë blerë edhe vota madje. Kanë ngrënë edhe atë ushqimin bio që ti e përmend me aq krenari. Kanë mbushur edhe trastat, kur janë kthyer për në kryeqytet, falas. Por, nuk është faji i tyre, që ata vazhdojnë të mbeten dele. Sepse delet më të mëdhaja, janë ata që sërish u hapin derën dhe u shtrojnë ato drekat bio në çdo zgjedhje. E dinë se çfarë delesh janë dhe sërish i gostisin me barin më të mirë. Të gabosh një herë, është mësim, por kur gabon disa herë moj Greta, është injorancë. Dhe ata janë dele politike moj Gretë. Ti duhet ta dish shumë mirë. Politika është lavirja më e madhe e të gjitha kohërave. Ka brenda mashtrimin, aktrimin, bukurinë, buzëqeshjen, epshin, sensualitetin, çdo gjë që ka një lavire e bukur.

Dhe ti vazhdon të qash në atë foltore?! Mos moj Gretë, mos! Mua më kanë qarë vargjet herë pas here, por kurrë askush nuk e vuri ujin në zjarr, madje më vunë me shpatulla pas muri duke u munduar të më mbyllin gojën. Shumë shpesh. Do thuash, po kush jam unë?! Edhe unë jam një fshatare, që qaja për rrugët e vendit tim, për rrugën e Arbrit, atë legjendën që nuk ka këmbësor në Shqipëri që nuk e njeh, por që nuk lulëzoi kurrë. Lulëzuan vetëm lule kujtimi, të njerëzve që humbën jetën rreth saj. Ndërsa fshati im vazhdon të mbetet më një gjysëm rruge. Dhe në do ta dish, kam qenë unë që i kam pritur edhe në shtëpi, i kam dëgjuar kur premtonin, u bëra një dele plot ëndrra. Por jo më! Nuk kam lot tepër të derdh për dhitë e fshatit, ndërkohë që padronët e tyre janë kthyer dele….

Do mendosh tani, po kjo çfarë po përrallis?! Dele moj Grete dele, shqiptarët janë dele, të cilët vetëm blegërijnë gjithë ditën, por nuk nxjerrin aq qumësht e as lesh. As për kurban nuk mund t’i therësh. Ama për t’u qurravit janë të parët. Leri të gëzojnë atë që meritojnë!

Please follow and like us: