Schütz: Shqipëria pjesë e familjes europiane

Gjermania do të vazhdojë të mbetet një partnere e besueshme e Shqipërisë. Kështu ka deklaruar, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz në një intervistë për DW.

Susanne Schütz Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe  Gjermania e mbështet Shqipërinë në rrugën e  saj drejt drejt Bashkimit Evropian.

Intervista

Znj. Ambasadore   Schütz, si  i shihni marrdhëniet Gjermano- Shqiptare, 30 vjet pas rivendosjes së marrdhënieve diplomatike  mes dy vendeve më 2 Tetor 1987? 

Susanne Schütz: 30 vjet nga  rivendosja e  marrëdhënieve diplomatike mes Gjermanisë dhe  Shqipërisë, sikurse edhe raportet që rezultuan së këtejmi mes dy vendeve tona, janë një motiv i mirë për t’u gëzuar. Përgjatë 30 viteve të fundit marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe  Shqipërisë janë zhvilluar drejt një partneriteti të qendrueshëm e miqësor. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe  Gjermania e mbështet Shqipërinë në rrugën e  saj drejt drejt Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë pozicionimi i qartë politik i Gjermanisë për integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkani Perëndimor, por edhe mbështjetja për vetë përpjekjet e Shqipërisë në realizimin e reformave sfiduese në rrugën drejt përafrimit me BE-në. Gjermania është donatori më i madh bilateral i Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim dhe bën pjesë ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë. Edhe në pikëpamje kulturore Gjermania është angazhuar si kurrë më parë. Këtë vit festojmë edicionin e 11-të të Tetorit Gjerman, javët tradicionale të kulturës gjermane në Shqipëri. Në tërësi marrëdhëniet mes vendeve tona janë të shkëlqyera dhe unë jam e bindur se qeveritë tona do të shfrytëzojnë bashkarisht potencialin ekzistues në funksion të zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve gjermano-shqiptare në të ardhmen. Unë gjithsesi dëshiroj të jap kontributin tim në këtë drejtim.

30 vjetori i marrdhënieve diplomatike Gjermani-Shqiperi është një pikë referimi për të dyja vendet. Si kanë ndryshuar këto marrdhënie gjatë viteve?

Susanne Schütz:Rivendosja e marrdhënieve diplomatike – lidhja fillestare e marrëdhënieve diplomatike mes Gjermanisë dhe Shqipërisë daton në vitin 1922 – u realizua në vitin 1988 në vijim të lëvrimit të disa kontributeve financiare për zhvillimin e Shqipërisë. Por vitet e para pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, në pikëpamje politike, kanë qenë shenjuar fort, fillimisht prej kalimit të vështirë nga diktatura  dhe izolimi ndërkombëtar i Shqipërisë në shoqëri demokratike në zemër të Evropës. Shumë shqiptarë i mbajnë mend mirë edhe sot ditët dramatike të korrikut 1990, kur më tepër se 3.000 shqiptarë u strehuan në territorin e Ambasadës Gjermane duke nisur kështu rrëzimin e sistemit, në dhjetor 1990. Por edhe ngjarjet e dhunshme të vitit 1997 dhe dyndja e refugjatëve nga Kosova në vitin 1999 e vunë Shqipërinë përpara sfidash të vështira. Në këtë kontekst vendimi i BE, në Samitin e Selanikut 2003, që garantoi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor perspektivën e integrimit në BE, shënoi një kthesë të qartë. Momente të tjera kyçe edhe për intensifikimin e marrëdhënieve tona dypalëshe me Shqipërinë ishin anëtarësimi në NATO në vitin 2009, liberalizimi i vizave me BE-në në 2010 dhe dhënia e statusit të vendit kandidat në vitin 2014. Sot gjendemi gjithashtu përpara një hapi të rëndësishëm, atij të çeljes së bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që do të konsolidojnë më tej lidhjen e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë, dhe do ta bëjnë vendin edhe më tërheqës për investime të tjera.

Çfarë vlerësoni si arritjet më të shënuara, më të mëdha: në marrdhëniet e Gjermanisë me Shqipërinë gjatë tri dekadave?

Susanne Schütz: Bashkëpunimi ynë për Zhvillim me Shqipërinë –  nisur nga viti 1988-Gjermania ka lëvruar më shumë se 1 miliard euro në drejtim të Shqipërisë – ka përmirësuar në mënyrë konkrete kushtet e jetesës së popullsisë dhe ka kontribuuar që njerëzit të shohin me më shumë optimizëm të ardhmen. Spektri i mbështetjes sonë shtrihet nga furnizimi i besueshëm me ujë të pijshëm dhe energji të padëmshme për mjedisin, shkon përmes asgjësimit profesional të mbetjeve dhe ujrave të ndotura e deri te arsimi profesional, zhvillimi i turizmit, nxitja e SME-ve dhe përafrimi i aktiviteteve të fermerëve me standardet e Bashkimit Evropian. Dhe rezultatet janë të dukshme: kështu falë mbështjetjes gjermane më shumë se 1 milion qytetarëve/eve të Shqipërisë u sigurohet shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe i kanalizimit të rregullt të ujrave të ndotura. Një shtytje të veçantë marrëdhënieve tona u  ka dhënë pa dyshim si mbështetja gjermane për dhënien e statusit të vendit kandidat në BE, ashtu edhe procesi i bashkëpunimit rajonal iniciuar nga Gjermania, që identifikohet  me emrin e kryeqytetit gjerman, një proces ky që i ka sjellë më pranë njëri-tjetrit gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: procesi i Berlinit ka ofruar qysh prej fillesës së tij në vitin 2014 hapësira për dialog si dhe ka ndihmuar në gjenerimin e lidhjeve më të mira mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (konektivitet). Ai vuri në lëvizje procesin e krijimit të një rrjeti më të fuqishëm ekonomik  (Zona ekonomike e Ballkanit Perëndimor)  dhe solli rezultate mjaft konkrete, sikurse ishte themelimi i Zyrës Rinore për Bashkëpunimin Rajonal , RYCO. Po kaq pozitive është edhe linja e zhvillimit të angazhimit ekonomik të Gjermanisë në Shqipëri, edhe pse në këtë drejtim ka ende shumë potencial për të shfrytëzuar: kështu p.sh. ishin sipërmarrje gjermane ato që formuan imazhin e Aeroportit Nënë Tereza: kudo në Shqipëri ndesh me Deutsche Telekom: apo në afërsi të aeroportit prosperon një park biznesi gjerman, për të përmendur kështu vetëm tre prej investimeve.

Znj. ambassadorje Schütz, ku e shihni ju potencialin për një bashkëpunim më të madh me Shqipërinë?

Susanne Schütz: Fushat e bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë që sot shumë të gjera e të larmishme. Ato nisin me kontaktet e ngushta në dimensionin politik dhe atë të politikave të sigurisë, kalojnë përmes shkëmbimeve kulturore e shkojnë deri në bashkëpunimin ekonomik dhe bashkëpunimin për zhvillim. Fondacionet politike Konrad Adenauer, Friedrich Ebert dhe Hanns Seidel kanë një angazhim të shkëlqyer në bashkëpunimin me partnerët e tyre në vend. Asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë shqiptarë, që të kenë dashur të mësojnë gjermanisht në qendrën Gëte. Ndërsa Shoqata për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) dhe Banka Gjermane për Rindërtim (KfW)  janë aktive në më shumë se 50 projekte të Bashkëpunimit për Zhvillim. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë bashkarisht p.sh. në zhvillimin e potencialeve të hapësirave rurale dhe për të marrë kontrollin mbi problemet e menaxhimit të mbetjeve. Do të dëshiroja gjithashtu më shumë iniciativa të ekonomisë private dhe shkëmbime tregtare mes dy vendeve tona. Investitorët gjermanë më thonë herë pas here, se cilat janë gjërat më të rëndësishme për ta: siguria ligjore, eleminimi i korrupsionit, një sistem eficient drejtësie si dhe një infrastrukturë e mirë. Në këto drejtime shoh ende potencial përmirësimi dhe më gëzon fakti, që qeveria e re nën kryeministrin Rama ka marrë përsipër të angazhohet e vendosur në përballjen me këto sfida.

Tema e migracionit përcakton herë pas here edhe marrëdhëniet gjemano-shqiptare: shumë shqiptarë dëshirojnë të punojnë në Gjermani. Çfarë duhet të dinë shqiptarët, që interesohen për një vend pune?

Susanne Schütz: Në parim qendron që tregu gjerman i punës vazhdon të ketë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar. Por për mua është mjaft e rëndësishme të jetë e qartë, se shqiptarët që kërkojnë të punojnë në Gjermani mund të nisin marrëdhënien e tyre të punës vetëm pasi të kenë përmbushur të gjitha kriteret ligjore për këtë qëllim. Ndër to bën pjesë në mënyrë të veçantë garantimi me karakter detyrues i një vendi pune në Gjermani dhe realizimi i procedurave përkatëse për vizë. Të udhëtosh në Gjermani me qëllimin e punësimit, por pas mbërritjes në vend të bësh kërkesë për azil, nuk është rruga që të çon drejt punësimit, por është një rrugë qorre: Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë një vend të sigurt  të origjinës. Kjo do të thotë se kërkesat për azil nga shqiptarë dhe shqiptare – sikurse edhe nga qytetarë të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor – përpunohen ndërkohë me ritme shumë të shpejta dhe praktikisht refuzohen në çdo rast. Azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri dhe marrin ndalim-hyrjeje në të gjithë zonën Schengen për një afat pesëvjeçar, nëse nuk e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, por kthehen forcërisht. Rruga e azilkërkimi është rruga e gabuar. E megjithatë në gjysmëvitin e parë 2017 kanë qenë rreth 3.500 shqiptarë që kanë kërkuar azil në Gjermani. Ky është një problem si për Gjermaninë edhe për Shqipërinë, me zgjidhjen e të cilit duhet të merren qeveritë e të dy vendeve.

Kancelarja Merkel fitoi mandatin e  4-t që të qeverisë Gjermaninë. Qeveria e re gjerrmane do të formohet në javët e ardhshme. A ka të ngjarë që politika e Gjermanisë ndaj Shqipërisë të ketë prioritete të reja?

Susanne Schütz: Fillimisht duhet të presim bisedimet për koalicionin qeveritar – me gjasë mes CDU/CSU, FDP dhe të Gjelbërve. Këto bisedime nuk do të jenë të thjeshta këtë vit, pasi partitë dallojnë në masë të konsiderueshme në shumë pozicione nga njëra-tjetra. Gjithsesi politika e jashtme dhe ajo për Evropën në Gjermani është një politikë, e cila tradicionalisht karakterizohet nga një konsensus i gjerë në linja të përgjithshme e kësisoj edhe nga një vazhdimësi e konsiderueshme. Pjesë e këtij konsensusi është qendrimi i qartë proevropian. Unë pres që konfirmimi i qartë i perspektivës së Bashkimit Evropian për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor të nënvizohet edhe prej qeverisë së re federale. Gjermania do të vazhdojë të mbetet një partner i besueshëm i Shqipërisë.

Znj. Schütz, më lejoni të kaloj nga politika tek bashkëpunimi kulturor, një dimension i rëndësishëm i marrdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.  Cilat janë mënyrat/rrugët sesi ky bashkëpunim merr jetë? Sapo ka filluar Tetori Gjerman 2017. Çfarë do t’i rekomandonit publikut shqiptar të ndjekë gjatë javëve të tij?

Susanne Schütz: Tetori Gjerman po zhvillohet për të njëmbëdhjetën herë. Ky është një sukses i bukur! Bëhet fjalë ndërkohë për një traditë të vërtetë, që ka vendin e vet në jetën kulturore gjermano-shqiptare. Me Tetorin Gjerman duam që t’i japim disi ngjyrë aspektit klasik të diplomacisë duke synuar të bëjmë për vehte, as më pak e as më shumë, por vetë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve. Përmes Tetorit Gjerman realizojmë projekte konkrete, që kanë për qëllim të krijojnë hapësira ku gjermanë dhe shqiptarë të bëhen bashkë, të jenë kreativë, të përjetojnë bashkarisht e të shkëmbehen rreth këtyre përjetimeve, të punojnë për një produkt, të ngrenë ura ndërlidhjeje e në rastin më të mirë të mësojnë prej  njëri-tjetrit. Për këtë qëllim kemi krijuar edhe këtë vit së bashku me partnerë dhe mbështetës të shumtë një program mjaft të larmishëm. Filma  dhe letërsi, arte figurative, teatër, muzikë dhe vallëzim sikurse diskutime dhe workshop-e – Programi ynë ofron diçka për çdo shije. Për çeljen festive të Tetorit Gjerman 2017, Ambasada Gjermane organizoi të shtunën e kaluar  së bashku me Teatrin e Operas në Tiranë, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse koncertin “Rekuiem Gjerman” – veprën e pare të madhe për kor dhe orkestër të Johannes Brahms. Edhe në teatër do të kemi një premierë këtë vit: Ambasada Gjermane së bashku me regjisorin shqiptar Stefan Çapaliku sjellin për here të parë në skenë në gjuhën shqipe pjesën “Jashtë derës” të autorit Wolfgang Borchert. Në këtë punë të tij Çapaliku do të tregojë, se cilat prej mesazheve të Borchert vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot. Një tjetër sukses artistik pret vizitorët edhe në lëmin e arteve figurative. Me ekspozitën e Institutit për Marrëdhëniet me Jashtë  „Rosemarie Trockel”, e cila do të shfaqet prej dt. 24.10. deri më  03.12. Ambasada Gjermane dhe Galeria Kombëtare do t’i ofrojnë publikut shqiptar një udhëtim eksplorues përmes veprës së kësaj artisteje shumëdimensionale e të famshme në nivel ndërkombëtar: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek „makineria e pikturës” dhe videoinstalacionet. Këto ishin vetëm disa fasha drite mbi program. Ftoj të gjithë lexuesit të vizitojnë aktivitetet e tetorit Gjerman. Hyrja, si gjithnjë, është e lirë.