A bën sens t’i kërkojmë një kleriku mysliman të bëhet feminist?

Çapajev Gjokutaj

A bën sens t’i kërkojmë një kleriku mysliman të bëhet feminist? Madje edhe të predikojë në xhami ide feministe për emancipimin e gruas?

Këto pyetje më lindën, kur po ndiqja një debat televiziv. Shumica e panelit i bënte gjyq një imami se u kishte thënë grave besimtare që, për të patur një marrëdhënie të qëndrueshme me bashkëshortët, duhet të kujdesen për trupin e për pamjen. Ndryshe, kishte shtuar kleriku, burrit i vete mendja për gra të tjera.

Unë jam me atë pjesë të panelit që thoshte se gruaja mirëmban trupin e stoliset që, në radhë të parë, të ndihet mirë vetë, se është njeri e jo kukull për të kënaqur burrin.

Por dyshoj se kam të drejtë t’i kërkoj klerikut të mendojë si unë. Aq më pak kam të drejtë t’i bërtas si të isha prokuror në gjyqet e 1945-ës.

Imami në fjalë, Elvis Naçi është nga më të moderuarit mes klerikëve myslimanë të hapësirës shqiptare. Kur sheh dhe dëgjon ç’thonë ca imamë provincash për gruan, të ngrihen qimet përpjetë dhe të vijnë zorrët në grykë.

Duke patur parasysh këtë situatë e këto kontraste, na del më mirë, si shoqëri, që të përkrahim dhe të inkurajojmë zërat e moderuar brenda komunitetit mysliman, paçka se mund të mos biem në një mëndje me ta për shumë gjëra.

Duke përkrahur ata, ndihmojmë sado-kudo kthimin e islamit shqiptar në traditën e moderuar e tolerante. Për më tepër, se kjo traditë vazhdon të jetë e rrezikuar nga klerikë wahabistë, që predikojnë qëndrimet e tyre fondamentaliste jo vetëm në provinca, por edhe në mes të Tiranës.

Problemin mund ta kundrosh edhe në një kënd tjetër. Maskilistët, që e shohin gruan si pronë të tyre, i kemi me shumicë. Madje s’i kemi të paktë dhe ata që e therin për një fjalë goje, si të ishte kec.

Idetë e përparuara feministe, mund të hyjnë në kokën e maskilistëve, aq sa hyn gamilja në vrimën e gjilpërës. Por predikimet e imamit për vlerat e gruas në shoqëri e në familje, ashtu si janë, mund të hyjnë më lehtë në kokat e këtyre deli burrave. Dhe t’i molasin e zbusin sadopak. Qar e kemi.

Diskutimi që po bëhet në rrjetet sociale, në gazeta dhe televizione për predikimet e imam Elvisit tërheq vëmendjen edhe për një tjetër problem të mprehtë: debatin publik dhe tolerancën.

Qahemi se disa klerikë me prirje ekstremiste, po mbjellin farën e intolerancës. Nuk më ka rastisur deri më sot që, në ndonjë debat televiziv të ndesh një person publik, qoftë edhe një të vetëm, që artikulon qëndrimin e tij por, pasi dëgjon argumentet e kolegëve, reflekton dhe tërhiqet. I thotë bashkëbiseduesit atje, në emision, përballë publikut: ke të drejtë, e paskisha unë gabim.

Siç e vinte re edhe Ardian Vehbiu, në kësi rastesh, mbisundon mentaliteti: muri luan, burri s’luan. Dhe kjo ndodh jo vetëm kur diskutohet për politikë, se këtu jemi militantë e të patundur nga istikami, por edhe kur diskutohet për modë, moral, sport etj. Dhe janë persona publikë, që kthehen në shembull e model për masën e telespektatorëve.

Ka edhe diçka tjetër, që lidhet me ata që organizojnë dhe moderojnë diskutime të tilla. Të mbledhësh një grup të përzier njerëzish, besimtarë dhe jo besimtarë, dhe t’i nxisësh të diskutojnë: ka apo s’ka të drejtë imami, është apo s’është i vërtetë predikimi tij, do të thotë të gjenerosh në publik skena me llafe e grindje pafund.

Problemet e fesë mund të diskutohen edhe në grupe të përziera, besimtarë dhe jo besimtarë. Por vështirë se grupe të tilla mund të arrijnë gjë e të bëhen konstruktivë duke diskutuar mbi kriterin ‘e vërtetë – e rreme’, as ‘e drejtë – e padrejtë’.

Shumë më konstruktive do të ishte të diskutoheshin mbi kriterin ‘e dobishme – e padobishme’. I shërben shoqërisë, apo më saktë, një pjese të saj, apo nuk ndreq gjë, përkundrazi prish e çorodit.

Po të vendoste kriteri ‘e vërtetë – e rreme’, shkenca do ta kishte vënë poshtë fenë me kohë dhe numri i besimtarëve do vinte në ulje. Por nuk ka ndodhur kështu. Madje dekadat e fundit fondamentalizmat janë bërë më të hasura e më vepruese. Gjallojnë edhe në hapësirën mbarë shqiptare. Ndaj kur diskutohen në publik punë të fesë, ekstremizmi ateist prish punë, si të gjitha ekstremizmat.