Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti: Muret gri të azilit të pleqve

Një prej sfidave më të mëdha me të cilat na përball jeta është të shikojmë se si plaken nëpër ditë njerëzit tanë më të shtrenjtë. I shohim tek kërrusen dhe marrin me duart që i dridhen një grusht ilaçesh, trupin ia pushtojnë dhembjet dhe dalëngadalë humbasin aftësitë për të qenë të pavarur. Do të donim ta ndalnim fluturimin e orëve, të ditëve që t’i shikonim sa më larg të ishte e mundur ashtu: të pambrojtur dhe të dobët si fëmijë. Por jemi krejt të pafuqishëm.

Megjithëse në kushtet e pleqërisë të thellë, përpiqemi me çdo kusht që t’i mbajmë ata pranë vetes, bile të jetojmë bashkë nën të njejtën çati. Edhe pse jeta na kushtëzohet dhe vështirësohet nga prezenca e tyre nuk mendojmë kurrë që t’i çojmë në një azil pleqsh, sepse ky togfjalësh në mendjen tonë përkthehet si: “vetmi, braktisje dhe dëshpërim”.

Në një shtëpi pleqsh gjithçka e mendojmë të zymtë: mureve u japim ngjyrën gri, po ashtu edhe ditëve që rrjedhin brenda tyre. I përfytyrojmë të moshuarit me sytë nga porta duke pritur djalin apo vajzën, ndonëse e dinë se ata s’do të vijnë sepse janë të zënë në grackën e një  jetë frenetike që rend pa pushim. Përfytyrojmë të tjerë që s’kanë fëmijë dhe presin veçse fundin.

Por një ditë na krijohet mundësia ta kapërcejmë atë prag që na dukej si i një shtëpie misterioze në një film horror. Dhe hap pas hapi disa nga bindjet e përfytyrimet tona të dikurshme thërrmohen. “Zbulojmë” se në një azil pleqsh nuk ndodhen vetëm të moshuar, po edhe të rinj dhe të reja, të dënuar të jetojnë në karroca si pasojë e një aksidenti apo e një sëmundjeje fatale.

Mbi komodina tërheqin vëmendjen fotografi që fiksojnë copëza të një jete që duket e largët dhe e paarritshme. Nëpër mure rri varur kalendari që shënon një kohë që pak prej banorëve të atyshëm mund ta llogarisin me saktësi.

Është ditë e shtunë dhe vështirë të gjesh një vend për të parkuar makinën. Korridoret janë të mbushura nga familjarë dhe dëgjohen zëra të gëzuar fëmijësh që vijnë të vizitojnë gjyshërit. Në këtë ditë me diell shumë prej tyre shëtisin në mes të gjelbërimit, pranë shatërvanit apo rrëzë kodrës ku ndjehet një freski e lehtë.

Angela, 88 vjeç e shtruar në repartin 2/A shkruan: “Ndodhem në Institutin ‘Don Orione’ në Bergamo në pamundësi absolute të një asistence nga ana e familjes. Vendimi për të ardhur këtu ishte i vështirë. Të braktisësh dashuritë, zakonet dhe shtëpinë është njëlloj sikur të heqësh dorë nga liria dhe nga vetë jeta. Kujtimet të ndjekin pa pushim dhe të duket sikur jeton dy jetë paralele”.

Më tej ajo vazhdon: “Arrita në repart në mesditë dhe më pritën shumë mirë. Kjo më bëri të ndihem e qetë dhe plot besim. Gjeta njerëz xhentilë, të dhembshur që ofrojnë miqësinë, mirëkuptimin dhe ndihmën e tyre… Këtu jeta nga disa pikëpamje rrjedh e shpejtë. Nuk mungon muzika, loja, gjimnastika, leximi i gazetës, festat e datëlindjes dhe deri tek trajtimi estetik.

Në darkë kur je vetëm, mbyll sytë dhe mendon. Notat e këngëve të dashurisë që muzikantët të kanë dhuruar pasdite kthehen në mëndje dhe të bëjnë të ëndërrosh. Kupton atëhere që ndjenjat e tua jetojnë të paprekshme dhe të tilla mbeten deri në fund të jetës: ti do të vazhdosh të vuash po edhe të duash”.

Të moshuarit që kanë ende fatin të arsyetojnë nuk mund të mos kthejnë kokën pas dhe të përpiqen të deshifrojnë kuptimin e këtij udhëtimi të shkurtër apo të gjatë, me disa ndalesa që ata dhe çdonjëri nga ne bën mbi tokë. Kështu vepron edhe Angela:

“Këtu kam kuptuar se çfarë është me të vërtetë jeta: është dashuri; vetëm duke dashur je e lumtur sepse dashuria është një ndjenjë e lidhur me ndjeshmërinë tënde që asgjë dhe askush s’mund ta shkatërrojë. Dashuria ime i drejtohet të gjithë atyre që jetojnë këtu me mua dhe në mënyrë të veçantë atyre që vuajnë”.

Këto rreshta, të padiskutueshme si një aksiomë, vijnë nga një azil pleqsh.

Në të përditshmen tonë ku mbizotëron egoizmi, cektësia, hipokrizia, grindjet e mllefi kemi nevojë të zhvishemi nga paragjykimet që na lejojnë të shohim tek çdo gjë vetëm ngjyrat gri e të errta duke injoruar kështu nuancat. Mbi të gjitha kemi nevojë për dashurinë, për këtë ndjenjë sublime që për fat të keq e japim dhe e marrim si me pikatore.

Nga ditari i Angelës:

 

http://www.shqiptariiitalise.com/lifestyle/lifestyle/lifestyle/muret-gri-te-azilit-te-pleqve.html

Please follow and like us: