Albspirit

Media/News/Publishing

7 Tetor 1945, u themelua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është organizatë krijuesish, me qendër në Tiranë, që përmbledh shkrimtarë, kompozitorë, artistë, krijues të arteve figurative dhe kritikë të vlerave letrare e artistike. Lidhja e Shkrimtarëve u krijua më 7 tetor të vitit 1945, ndërsa Lidhja e Artistëve në vitin 1949. Kongresi i Parë, i mbajtur më 1957, i bashkoi këto dy organizata në një institucion të vetëm: në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në krijimin dhe drejtimin e organizatës së parë të krijuesve shqiptarë merrnin pjesë disa nga intelektualët më të shquar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova, president nderi, Fan Noli. Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj. Këtë bashkim vullnetar të krijuesve të të gjithë vendit në fillim e përbënin 70 anëtarë. Për më shumë se 50 vjet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990, ndërsa aktualisht organizata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, për mungesë fondesh, nuk boton asnjë organ. Me gjithë kushtet e vështira të një shoqërie të prapambetur dhe të një regjimi totalitar që e kufizonte së tepërmi lirinë e të shprehurit, që ushtronte një orientim dhe censurim vigjilent të partisë-shtet mbi krijimtarinë, madje edhe duke persekutuar dhe dënuar disa shkrimtarë e artistë, mjaft talente, anëtarë të LSHA-së, të cilët gëzonin të drejta si leje krijuese, orare pune të reduktuara, studio dhe mjete të ndryshme lehtësuese për krijimtarinë e tyre, krijuan vepra që dilnin jashtë kornizave të metodës së ashtuquajtur të realizmit socialist, sidomos në ato fusha të artit e të letërsisë ku tradita kombëtare ishte fare e pakët. Pas viteve 1990, krijuesit shqiptarë, shkrimtarë e artistë anëtarë të organizatës sonë, besuan shumë në çlirimin e tyre dhe të krijimtarisë artistike në përgjithësi. Në nxitimin për të kapur kohën e humbur, disa vepra u shquan dhe sidomos u rivlerësuan figura të persekutuara të së shkuarës si Konica e Fishta, gjë për të cilën organizata jonë dha kontributin e saj me rivlerësime të shumta. Gjatë këtyre dy dekadave me një demokraci tepër problematike dhe mjaft të politizuar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka qenë për shumë vjet lajkatarja e partisë në pushtet, e cila, bashkë me marrjen e pushtetit politik, caktonte edhe kryetarin e krijuesve shqiptarë. Më në fund, pasi mundi të shkëputej prej politikës, këto vitet e fundit organizata përpëlitet si ai fëmija midis dy shemrave, herë e përbuzur nga një parti dhe herë e persekutuar nga partia tjetër politike. Sidoqoftë, pavarësia e një bashkimi krijuesish dihet që ka çmim të lartë për vetë krijuesit dhe duhen përpjekje të vazhdueshme për ta përballuar.

Please follow and like us: