Ditari i Lasgush Poradecit, e Hënë 6 Qershor 1972

I lashë shtëpisë, sot në mëngjes ora 8, 250 lek (kur dola prej shtëpisë, pa ngrënë mëngjes, që vajta në Parkun e Kamionëve, ku hypa në kamion, përpara më ora 11 pa 10’). Kur ardha me kamion në shtëpi, ora 11 e ½ lashë edhe 2000 lek të tjera, ngarkova 2 thasët, baullën dhe radion dhe u nismë në orën 12 pa 5 minuta.
Në Qafë Krrabë, nga ora 12 e ca, e hënë 6 Qershor 1972: 1 birrë (13) lek, 2 suxhukë (30) lek, ½ panin (5) lek, 1 kg qershi (35) lek.
Në Librazhd, e hënë 6.6.1972, 2 kafe (16) lek.
Shënim:
Përpara se të arrij në Librazhd, duke ndaluar kamioni për disa minuta, dëgjova bilbilë që këndonte më ngé poshtë xhadesë, në mes të rrapishtes shumë të dëndur.

Zbrita rëpirën gjer poshtë lumit të Shkumbinit ku s’kish ujë fare, ju afrova bilbilit shumë ngadalë dhe së-fshehta, duke u ulur; nuk më ndjeu bilbili, nuk iku, po vazhdoj t’ja thotë këngës mengadalë aty përpara meje, nja 2-3 metra (ose 4-5 metra) afër; ishte futur në degët dhe fletët e gjëra dhe të dendura të rrepëve.

Desha t’a shikoj bilbilë si këndon, i hapnja sytë duke shikuar mes degëve dhe fletëve shumë të dëndura, po nuk e shikonja dot ngaqë ai ishte futur brënda degëve me fletë të mëdha të rrapishtes. Nga shkaku i fletëve të mëdha bilbili mua nuk më pa dot, prandaj s’iku, ay për të ndjerë s’më ndjeu, sepse ju afrova shumë ngadalë dhe duke ndaluar çdo hap dhe duke u ulur për tokë shumë.
Poshtë, Shkumbini i thatë, pa fare ujë, i mbytur në degët dhe fletët e rrapishtave shumë të dëndura, ishte shtruar me një legushë fletësh rrapi të thata, legusha e thatë kërciste nënë këmbët e mija, kur lëvisnja, po unë shkelnja aq ngadalë, aq me kujdes sa ish nevoja që bilbili mos më ndjejë.

Ndenja afër bilbilit, prapa fletëve dhe degëve të dendura të rrapishtës, e dëgjonja si këndonte me modulacione të ndryshme, duke i ndërruar njëri pas tjetrit modulacionet e tij: kënaqesha vetëm duke e dëgjuar kaq afër, pa e parë dot.

Isha poshtë Shkumbinit m’u në mes të shtratit të Shkumbinit të mbuluar me legushë të thatë, nja 10 a 12 metra larg kamionit që ish në xhade. Sepse, prej buzës së xhades për të dëgjuar bilbilë unë sbrita poshtë në Shkumbin, ishte shumë rrëpirë, rrëpirë e përbërë prej dheri dhe prej mijërash guriçka, nga shkaku i guriçkave të bashkuara me dherin rrëshqita duke zbritur, u zhgërreva duke u rrëxuar do një metër e ½ po u mbajta prej degave të rrapishtave të ulta dhe nuk u rrëxova.
Zbrita gjer afër bilbilit duke u mbajtur shumë (me 1 dorë dhe me 2 duar) prej degëve të rrapishtës, po zhurmë nuk bëra fare, se kisha frikë prej bilbilit, mos më ndjen bilbili dhe ik, kështu që u zhgërreva pa zhurmë aspak. Ju afrova kaq shumë bilbilit, e dëgjova sikur dhe t’a shikonja me sy, aq afër ishte, u kënaqa shumë, shumë, shumë që e dëgjonja aq afër, po s’e pashë dot dhe më mbeti peronë që s’e pashë.

Duke vazhduar t’a dëgjoj, në atë qetsi absolute, i ra shoferi sirenës së maqinës për mua, që të kthehem në maqinë. Bilbili u tremb prej zërit të mprehtë të sirenës dhe iku, nuk e pashë kur iku, as që e ndjeva kur iku dhe si iku, as që e ndjeva të fluturojë, veç se ai pushoj menjëherë, s’këndonte, kuptova që iku, dhe pastaj ika dhe unë u ngjita prapë lart Shkumbinit duke u mbajtur prapë nëpër degë, që mos bije, mos zhgërryem e grisem nga tatëpjeta e madhe e rrëpirës.