Kastriot Dervishi: Procesi ndaj “grupit të deputetëve” si dokumentacion i manipuluar

 

Dy prova të tjera në lidhje me manipulimin e procesit hetimor-gjyqësor në lidhje me “grupin e deputetëve” (procesi i parë i tyre). Këto prova tregojnë pavlefshmërinë e akteve që gjenden në dosjen hetimore-gjyqësore të gjyqit të shtatorit 1947. Personat dëshmues janë dy oficerë hetues. Njëra nga dëshmitë, për ironi të fatit është marrë nga prokurori i procesit, Josif Pashko.

Hetuesi i parë dëshmon:
Në procesin e deputetëve punët nuk shkonin mirë, pasi procesi nuk kombinohej. Nga ana e të pandehurve kishte mjaft qëndresë. Gjyqi u vendos të bëhej shumë shpejt pa pasur argumentin e bërë për fajësinë e tyre. Drejtoria vendosi të marrë deklarata nga personat që njihnin apo dinin diçka nga aktiviteti i Shefqet Bejës, Selaudin Totos etj. Vaska më jep një listë emrash dhe më thotë që nga këta të merrja deklarata që të vërtetohej fajësia e deputetëve.
Asnjë proces nuk bëhej pa sugjerime. Irfan Majuni gjatë gjithë procesit nuk tregoi asgjë rreth aktivitetit të tij, përveç disa deklaratave me anën e të cilave do të dilte në gjyq. Si akuza do të mjaftonin thëniet e Tefik Deliallisit. Pasi u pyet Tefiku, para se të fillonte seanca e dytë e gjyqit, Irfan Majunit iu bë agjitacion nga ana ime, duke i thënë se po të tregonte, do të kishte lehtësira, por, megjithëkëtë, ai nuk u bind. Kur erdhi Nesti për të vizituar të burgosurit, prani e tij bëri që Irfani të pranonte fajësinë, d.m.th. ai pranoi gjithçka tha Tefiku.

Oficeri Foni Qirko dëshmon:
Gjatë viteve 1947-1948…metoda e punës dhe objektivi ku duhej të dilej në lidhje me të arrestuarit e Sigurimit ishte i paracaktuar: çdo njeri që arrestohej duhet të dilte me aktivitet të organizuar, anëtar i ndonjë organizate dhe të krijoheshin forumet e kësaj organizate. Vetë Vaskë Koleci, kur i është paraqitur nga ndonjë shok për ndonjë të arrestuar se nuk ka faj, ka deklaruar mjaft herë se nuk mund ta lironim edhe pse nuk ka gjë, mbasi tronditim besimin e organeve të Sigurimit dhe nuk ngrihet prestigji i tyre.
Dua të shtoj diçka në lidhje me një metodë tjetër pune që përdorej në procedimet: Kam parë disa procese që ishin krejt ose pjesërisht falso. Kështu procesi i Kolë Kuqalit është bërë nga hetuesit e Sigurimit pasi ai kishte vrarë veten dhe që në hetuesi nuk kishte deponuar gjë. Po kështu procesi i Baba Myrteza Krujës, gjithë pjesa që flet për aktivitetin e tim pas çlirimit është shtuar nga hetuesit e Sigurimit pas vetëvrasjes së tij. Kjo shtesë që ju bë më vonë ka rëndësi për implikimin e Islam Radovickës si shtytës në vrasjen e Baba Fajes dhe Baba Fejzos. Unë vetë kam patur gjithë procedimin rreth krimit në Kryegjyshatë dhe deklaroj se nuk ka rezultuar ndonjë provë që të nxirrte pjesëmarrjen ose dijeninë e Islam Radovickës në këtë krim.
Kjo vijë e falcitetit dhe e ekzagjerimeve në proceset e Sigurimit kaloi poshtë në qarqe dhe u deformua në një shkallë të atillë saqë si për shembull në Gjirokastër, i pandehuri Agathokli Xhitoni, i cili në Tiranë me gjithë torturat për 3 muaj rresht, nuk kallëzoi asgjë, arriti që atje që bëjë për veten e tij një proces komplet dhe të ngarkohet nga organet e Sigurimit që t’u përgatisi komplet proceset të arrestuarve të tjerë duke i premtuar këtij lirimin nga burgu.