Kauza për femrën është kauzë për shoqërinë

 

Ana Mehmetaj

Jo thjesht se jam vetë femër dhe një ditë do të bëhem nënë, por sepse e konsideroj kauzën femërore si diçka të madhe, asnjëherë nuk do rresht duke luftuar për të drejtat e saj.

Sidomos në Kosovën tonë ku ka shumë probleme që në punësim, në përfaqësimin politik, në raportet me pjesën mashkullore dhe në shumë fusha të tjera.

Shoqëria civile, por më shumë politika, formacionet politike kanë shumë për të bërë për përfaqësimin femëror, si një domosdoshmëri e shoqërive të sotme moderne ku ne duam të shkojmë me dinjitet dhe si të barabartë.

Shenjtorja jonë e madhe Nënë Tereza thoshte shpesh se ndryshimet e mëdha vijnë edhe nga punët e vogla, nga ato të padukshmet, të pazëshmet, por që janë të dobishme, që ndihmojnë një vajzë, një nuse, një nënë, një bashkëshorte.

Unë shkruaj për ato femra që nuk flasin, për ato që s’kanë zë sepse janë të tmerruara, sepse i kanë mësuar të respektojnë frikën më shumë se veten. Ne na kanë mësuar se heshtja do na shpëtojë, por jo.

Ne të gjithë mund të kontribuojmë për ta bërë më të lumtur dhe më me perspektivë jetën e grave në Kosovë sepse kauza për femrën është kauzë për krejt shoqërinë.