Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: As e vogël e as e madhe, Qeveria jonë “lozonjare”

Rrumpalla e timonierit me strukturat e qeverisë, arriti një kurbë të re, kur u plotësua me plot 33 zëvendësministra. Tashmë që ka marrë kontrollin e plotë të “tepsisë” qeverisëse, kryeministri i kazanit po shpërndan “supën” qeveritare si ushqim për të pastrehët. Askush nuk fajëson individët që u emëruan në këto poste apo vë në diskutim aftësitë e tyre, por të gjithë e kuptojnë se kjo tallava nuk është asgjë më shumë e asgjë më pak se vazhdimi i maskaradës dhe talljes së Ramës me gjithë shqiptarët, e tashmë me vetë socialistët. Posti i një zëvendësministri është një detyrë politike, por që në ndryshim nga ai i ministrit që është një pozicion i pastër politik, kjo detyrë mbart në vetvete më shumë ekspertizë në fushat respektive.

Përzgjedhja e tyre kërkon jo vetëm ekspertizën formale, por edhe një qasje shumë të ngushte të politikave që janë në bazë të konceptit qeverisës, pasi normalisht ata duhet të jenë pjesë e grupeve të punës që hartojnë programet dhe platformat qeverisëse. Sot kur emrat e tyre janë bërë publikë të gjithë kuptojnë se shumica dërrmuese e tyre jo vetëm që nuk kanë asnjë lidhje me PS-në apo hartimin e programeve, por as me fushat që janë ngarkuar të mbikëqyrin.

Sigurisht që për opinionin publik nuk ka asnjë rendësi në vetvete nëse kanë apo nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste, këtë le ta zgjidhin mes tyre, por pa diskutim pjesa e ekspertizës, eksperienca administrative kanë rendësi për të gjithë. Si çdo punonjës i administratës shtetërore edhe ata paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, të cilët janë realisht punëdhënësit e tyre, por që në fakt trajtohen si skllevër të tyre. Egzibiconisti Rama, ka hedhur edhe disa penelata nacionaliste, me emërimin e 4 zëvendësministrave nga Kosova, por nëse ata nuk kanë shtetësi shqiptare, ky fakt përbën një tjetër skandal ligjor.

Nga dje, gjithë vendi përjeton një situatë humori e tallje nga halli, por, në thelb, situata është gati tragjike. Kolapsi që po përjeton e gjithë administrata publike si pasojë “rimodelimit” të ministrive alla Rama ka paralizuar gjithçka dhe po krijon kosto pa fund si në shërbimet ndaj qytetarëve, klimës së biznesit, zhvillimit të ekonomisë, por nga ana tjetër ka krijuar një klimë “fantastike” për aferat korruptive, si hobi më i preferuar i Ramës. Vetëm pak ditë më parë mediat bënë publike një fakt skandaloz.

Ndërsa çiraku i tij në bashkinë Tiranë, ka dhënë një tender qindra milionësh për kioska që do të jepnin certifikata në mënyrë automatike, Rama, me një të rënë të lapsit, i nxjerr jashtë loje, pasi një sistem i ri on-line, për hir të Zotit, i jep fund mundit sizifian që kalonin shqiptarët me certifikatat. A do të vijojë kjo aferë korruptive, kjo mbetet për t’u parë, por çorganizimi i mirë çorganizuar vijon të gllabërojë pasurinë publike. Koncesionet korruptive, politikat traumatike fiskale, krimi i dalë jashtë kontrollit, papunësia, varfëria absolute që po largon masivisht shqiptarët janë ana e errët e medaljes së kësaj qeverie ‘as të vogël e as të madhe’, por “lozonjare” me fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ramës nuk i mjaftoi paaftësia në “vizatim” që nuk e lejoi të krijonte një ekspozitë-qeveri për të qenë, por tashmë po dëshmon se është edhe një kurator-kryeminstër edhe më skandaloz, që në vend që të harmonizojë strukturat, po i shpërbën kokëfortësisht. Këto akte të qëllimta, do të kenë pasoja të paimagjinueshme, por për fat të keq shërbejnë më së miri për të hedhur mjegull mbi keqqeverisjen dhe korrupsionin galopant. Por, ky është edhe qëllimi. Në fund të fundit, ujku mjegull do!

Please follow and like us: