Albspirit

Media/News/Publishing

Si u lejua në Rinas pedagogu i dyshuar për lidhje me ISIS?

Dr.Ibrahim Klodjan Zaimaj është pedagogu shqiptar i arrestuar bashkë me 8 persona të tjerë në Malajzi, të cilët dyshohet se kanë lidhje me organizatën terroriste ISIS.

Deri më tani Policia e Shtetit e ka konfirmuar zyrtarisht arrestimin e Zaimajt, por ka ende disa pikëpyetje rreth këtij rasti. Autoritetet malajziane kanë thënë se pedagogu shqiptar ishte nën hetim prej kohësh si i dyshuar për lidhje me ISIS, por ndërkohë ai  është lejuar të futet në Shqipëri pa u shqetësuar nga autoritetet tona. Për herë të fundit Zaimaj ka qenë në Shqipëri më 25 qershor 2017, ditën e zgjedhjeve parlamentare, të cilat përkuan edhe me ditën Bajramit të Madh.

Me të zbritur në Rinas, Klodjan Zaimaj është nisur drejt Cerrikut, qytetit të tij. Aty ai ka marrë pjesë në faljen e Bajramit në stadiumin e qytetit bashkë me qindra besimtarë të tjerë.

Sot kanë reaguar edhe prindërit e tij që banojnë gjithashtu në Cerrik. Mes lotësh ata thonë se djali i tyre s’ka asnjë lidhje me terrorizmin dhe se e gjithë kjo duhet të jetë kurth nga Malajzia ose Shqipëria.

“Kemi fëmijë të edukuar. Kurrë nuk mund të jetë përfshirë në veprimtari të tilla. Unë e mohoj kategorikisht të jetë përfshirë në organizata që flitet. Ndaj i lutem shtetit të ndërhyjë se ka katër fëmijë”, ka thënë nëna e Zaimajt.

Reagim ka patur edhe nga Myftinia e Elbasanit. Përmes një deklarate për mediat, myftiu Agim Duka ka thënë se Klodjan Zaimaj frekuentonte Medresenë e Cerrikut e cila sipas tij ishte bazë e radikalizmit.

“Mytinia e Elbasani e ka denoncuar 4 vite më parë. Kjo medresë është e mbyllur dhe ne distancohemi nga ky rast i cili nuk përfaqëson parimet tona. Myftinia e Elbasnit nuk ka asnjë lidhje me Klodjan Zaimaj”, ka thënë myftiu i Elbasanit.

Klodjan Zaimaj jetonte prej 8 vitesh në Malajzi, ku edhe ishte shkolluar e madje mbante titullin profesor. Ai jepte mësim për kuranin në një universitet publik të Malajzisë. Në rrjetet sociale ka disa video të predikimeve të tij mbi islamin.

Policia e Shtetit pas konfirmimit të arrestimit është shprehur se po punohet për të zbuluar nëse ka të tjerë persona të përfshirë në aktivitetin ekstremis të Zaimajt.

“Strukturat e specializuara të Antiterrorit në Policinë e Shtetit janë duke punuar intensivisht për rastin në fjalë si dhe për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Policia e Shtetit po bashkëpunon me agjensitë e tjera ligjzbatuese e inteligjente në vend dhe jashtë saj, duke shkembyer të dhëna”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndërsa ABC News zbulon identitetin edhe të dy shqiptarëve të tjerë, që si po ai, dyshohen se kanë lidhje me terroristët e ISIS. Bëhet fjalë për dy shqiptarët me inicialet J. Z., nga Tirana dhe A. G., nga Lushnja. Për Klodian Zaimin, dyshohet se ka financuar, indokrinuar e dërguar në Siri 20 shqiptarë që kanë studiuar në Siri dhe Jordani.  Një pjesë e këtyre studentëve dyshohet se janë përfshirë në radhët e ISIS.

Please follow and like us: