Agim Fagu, “Zotëria 48” i basketbollit shqiptar

Nga shumë Agim Fagu vlerësohet edhe si sportisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Ndonëse vlerësime të tilla nuk ka si të mos jenë subjektive, pa dyshim mund të thuhet se ai është një emër i jashtëzakonshëm i basketbollit shqiptar. Agim Fagu është quajtur edhe si “Moxarti” ose “Shtrausi” i basketbollit shqiptar, por mbase nofka që ka “ngjitur” më shumë është “Zotëria 48”, që iu vu pas ndeshjes me një prej skuadrave më të mëdha europiane në Tiranë, ku ai shënoi plot 48 pikë, në një kohë kur ende nuk kishte trepikësha. Dhe kjo përballë një kundërshtari që kishte dy gjigantë amerikanë mbi dy metra të gjatë në përbërje të vet, teksa ai vetë ishte vetëm rreth 1.87 cm. Ditët e fundit legjenda e basketbollit shqiptar festoi 70-vjetorin e me këtë rast, atij iu dha titulli i lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Agim Fagu ka lindur më 16 shtator 1947 në Tiranë në një familje sportistësh. Një vit më parë babai i tij, Besim Fagu, ishte një ndër ata që kishin themeluar klubin sportiv “Partizani”. Dhe dukej se edhe Agimi do të ndiqte rrugën e të atit e do të bëhej një futbollist po aq i shquar sa ai, por për një arsye a një tjetër, ishte pikërisht Besim Fagu që iu përgjigj pozitivisht kërkesës së trajnerit të njohur Njazi Lleshi që Agimi të niste stërvitjen me ekipin e të rinjve të basketbollit të “Partizanit”, klubit ku, siç është shprehur vetë Agim Fagu, është lindur dhe është rritur. Kështu, në moshën 16-vjeçare, Agim Fagu filloi karrierën e tij në basketboll.

Dhe Agim Fagu do t’i tregonte aftësitë e tij që në fillim. Në finalen e Kupës së Republikës atë vit, ai shënoi 33 pikë, e falë edhe tyre “Partizani” u shpall kampion.

Më pas po atë vit, Agim Fagu u përfshi në ekipin e të rriturve të “Partizanit” që shkoi për një turne në Kinë, ndërsa në nëntor po të vitit 1963 ishte pjesëtar i ekipit kombëtar që mori pjesë në të ashtuquajturat Lojëra të Forcave të Reja (GANEFO), të zhvilluara në Indonezi. Kombëtarja shqiptare do të zinte aty vendin e pestë.

Agim Fagu është ndër ata të paktë sportistë “besnikë”, që në gjithë karrierën e tyre kanë luajtur vetëm për një klub. Edhe Fagu në 14 vjet të karrierës së vet nuk e ka “tradhtuar” kurrë “Partizanin”, duke qenë për një kohë të gjatë kapiten i tij e duke fituar me të kuqtë nëntë tituj kampion kombëtar e shtatë kupa Republike.

Por të paharrueshme do të jenë edhe ndeshjet e Fagut në arenën ndërkombëtare, si me “Partizanin”, ashtu edhe me ekipin kombëtar. E pa dyshim më e spikatura ndër to është ndeshja e 18 dhjetorit 1968 në Tiranë, kur kampionët e Shqipërisë, djemtë e “Partizanit”, do të debutonin në Kupën e Kampioneve të Europës. Ata do të ndesheshin me ekipin kampion të Italisë dhe ndër më të mirët të Europë në atë kohë, “Oransoda” të Kantusë (sot “Pallacanestro”), me trajner të famshmin Borislav Stankoviç dhe që kishte në përbërje të vet dy basketbollistë amerikanë e dy argjentinas, si edhe Rekalkatin, pjesëtar i ekipit kombëtar italian. Ndërsa “Partizani” kishte një ekip të ri me moshë mesatare rreth 20 vjeç dhe shtatlartësi po ashtu mjaft më të vogël. Por megjithatë, falë entuziazmit të publikut që kishte tejmbushur Pallatin e Sportit “Partizani”, falë lojës së kujdesshme të djemve të kuq e veçanërisht falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Fagut, ndeshja u mbyll në barazim 73-73. 21-vjeçari Fagu shënoi në këtë ndeshje 48 pikë, gati 2/3 e pikëve të shënuara nga gjithë ekipi, dhe shumicën e tyre nga largësia, që me sistemin e sotëm të trepikëshit mund të ishin të barasvlershme me afro 70 pikë.

Në fund të ndeshjes presidenti i FIBA-s, William Jones, i dha Fagut distiktivin e nderit të FIBA-s, duke i thënë: “Këtë stemë FIBA ua jep vetëm lojtarëve të shquar. Për mua është nder dhe kënaqësi e madhe t’ju përgëzoj për lojën e mrekullueshme që bëtë gjatë tërë ndeshjes”.

Ndërkohë, gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” e quajti Agim Fagun “Mister Quarantotto” (Zotëria Dyzetetetë). Atë sezon ylli i basketbollit shqiptar u përzgjodh në pesëshen e lojtarëve më të mirë të Europës.

Në të vërtetë, ka një fakt interesant dhe jo shumë të njohur. Trajnerët e “Partizanit” Astrit Greva dhe Njazi Lleshi kishin edhe ndihmën e dy instruktorëve kinezë, që kishin ardhur për të ndihmuar basketbollin shqiptar. Z. Greva ka veçuar sidomos njërin prej tyre, të quajtur Çen Paishen. Duke pasur parasysh se basketbollistët shqiptarë në përgjithësi nuk ishin shtatlartë, Çeni këshillonte që theksi të vihej te përgatitja e madhe fizike dhe te loja e shpejtë. E një këshillë të tillë e zbatoi edhe trajneri Greva. Ai është shprehur për shtypin: “Pas ndeshjes me italianët, ‘Partizani’ u quajt ‘skuadra e djemve me këmbë të forta, sepse ne kishim përgatitje shumë të lartë fizike e atletike, si dhe kërcyeshmëri tepër të lartë, që kompesonte mungesën e centimetrave.”

Kurse Edmond Moja, që ishte pjesë e formacionit të “Partizanit” në ndeshjen historike me “Oransodën”, kujton një episod me trajnerin kinez. Çen kërkonte një lojë pa përplasje të topit të fortë, me mbrojtje agresive dhe kundërsulm të shpejtë. Moja thotë se Cheni ishte një trajner i aftë, por edhe i rreptë, dhe kujton se si lojtari i parë që e përplasi topin në parket, duke mos ia kaluar shokut, u detyrua të bënte dhjetë ngjitje-zbritje në shkallët e tribunës së pallatit të sportit. Ai lojtar ishte pikërisht Agim Fagu.

Nën udhëheqjen e Agim Fagut, “Partizani” do të vazhdonte paraqitjen e mirë ndërkombëtare. Në vitin 1973 të kuqtë u klasifikuan në një të tetat e Kupës së Kampioneve, e të njëjtën gjë do ta përsëritnin edhe një vit më pas. Ndërkohë, në vitin 1975 për Kupën e Kupave, “Partizani” mundi në Tiranë 83-80 francezët e “ASPO Tours”, që atë vit dolën në finale të kësaj veprimtarie. Fagu shënoi në atë ndeshje 32 pikë. Por në ndeshjen e kthimit, kur rezultati ishte 10-10, katër nga të cilat të shënuara për të kuqtë nga Agim Fagu, për fat të keq ai u dëmtua dhe Partizani nuk arriti të kualifikohet për më tej.

Agim Fagu sigurisht do të shkëlqente edhe me ekipin kombëtar të basketbollit të Shqipërisë. Në vitin 1971 , në grupin eliminator për Kampionatin Europian të Esenit, që i zhvilloi ndeshjet në Kaljari të Italisë, Fagu u rendit i pari në klasifikimin e shënuesve me 91 pikë. Ndërkohë, në Harlem të Holandës, në turneun paraeliminator për Lojërat Olimpike të Mynihut të vitit 1972 , basketbolli shqiptar për pak sa nuk prek ëndrrën olimpike. Kombëtarja shqiptare humbi vetëm me një pikë diferencë me Belgjikën (82-83) dhe me tre me ekipin vendës të Holandës (81-84). Shqiptari i talentuar përsëri u shpall shënuesi më i mirë me 67 pikë, duke kaluar edhe çekun Jirri Zidek, që dy vjet më parë kishte qenë pikëshënuesi më i mirë i kampionatit botëror. Në 1975, në turneun eleminator në Volfenbytel të Gjermanisë së atëhershme Federale, për Kampionatin e 19- të Europian që u zhvillua në Beograd, Agim Fagu përsëri shënon numrin më të madh të pikëve, pikërisht 146 të tilla.

Në vitin 1978, në moshën 31-vjeçare, Agim Fagu e la sportin.

Pas një shkëputje më shumë se 30-vjeçare nga sporti, në vitin 2009 Agim Fagu u zgjodh në krye të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2011. Po në 2011 ai mori medaljen “Për shërbime të shquara”, me motivacionin “Për arritje të jashtëzakonshme në sportin e basketbollit, si një ndër sportistët shqiptarë më të mirë të të gjitha kohërave. Për kontributin e veçantë të dhënë në klubin sportiv ‘Partizani’ dhe për kombëtaren shqiptare të basketbollit, si dhe për rritjen e reputacionit të basketbollit shqiptarë, si brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë”.

Ndërkohë, pak ditë më parë miti i basketbollit shqiptar Agim Fagu mbushi 70 vjeç. Me këtë rast, presidenti Ilir Meta i akordoi z. Fagu dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”.