Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: TË IKUR DHE TË MBETUR

 

Diçka rreth një brenge

Shpesh pas shkrimesh dhe bisedash me miq e shokë, zotërinj dhe zonja të brezit tim, më thuhet ajo që shpesh e ndjej tek vetja, me një qortim e faj çjerrës si dikur, për atë, që kohë më parë ish krim dhe mund të paguhej me jetë, vdekje shoqërore në braktisje të plotë, ikja. E në do isha i mbetur aty, do të bëja më shumë se sa të flisja. Është ky qëllimi i kësaj që po shkruaj e jo një hartim i bukur me mall e dhembshuri për atë që skaliti unin tek unë.

Këto janë thjesht disa mendime rreth grupimeve të stisura që kur krijohen, si të ikur e të mbetur, ne dhe ata, kur s’jemi veç një bashkim dy gjysmash të ndara, si dy kokrra kafeje q’vinë nga i njëjtit frut e japin të njëjtën bimë. Arsyet dhe trusnitë e kësaj ndarrje të dhimbshme, sigurisht nuk dua t’i përmend, aq më pak ato politiket, që një sistem në kalbje dhe një pseudo system i ri, e nxitën dhe e ushqyen me të gjitha format e pasigurisë dhe urisë dhe më shumë duke vrarë shpresën. Emigracioni (vetëikja apo vetëshkulja) historikisht ka qenë si një valvul presioni me përfitim të dyfishtë ekonomik, e provuar kjo më shumë në kurriz të vetëshkulësve, si lirimi i vendeve të punës në një shoqëri të mbingjeshur dhe sjellja nga jashtë e të ardhurave ekonomike si dhe investime në turizëm, ndërtim, shëndetësi, arsim e të tjera e të tjera. Më parë kur gjyshërit vetëikën nga një shtet i paformuar, pak ishin të ditur e me shkollë, shumica ishin argatë, ndërsa në kohët e sotme, dhe jo vetëm nga Shqipëria mëmë e trimave, po ikin ata të mësuarit e të leçiturit me shpresën e një jete më të sigurtë dhe më të mirë se në vendrrënjën e tyre dhe kjo duket se është një dukuri që s’mund të ndalohet me mbyllje kufijsh, por deri në një farë shkalle me barazi në nivelin e jetesës dhe me një shtet të mirëfilltë ligjor.

Së pari, kjo vetëikje me bindje a instinktive nuk përjashton rikthimin, që në botën e gjyshërve (vitet 30) ishte siç është pak a shumë tani krejt e mundur dhe e lehtë, si dhe pjesmarrjen pa pengesa për të bërë diçka të vlefshme. Shumë vinë e ikin, më shumë si të huaj e askush s’kujdeset veç për paratë që sjellin e ca kujtime të grisura. Nga ana tjetër, mund të bëhet po aq shumë duke investuar para edhe mend, aq më shumë me këtë të fundit, me dijen dhe aftësinë e fituar, por qoftë dhe me një ide të shprehur për një diçka q’ende s’është arritur si duhet, apo më keq, kur mohohet që është e prishur. Kur në mes të odës elefanti turfullon e qelbet nga: mungesa, për njëzet e ca vjet, e një shteti të vërtetë, nga mbretërimi i krimit e mafies së organizuar; nga mbizotërimi në jetën e vendit i një partie të vetme e të vjetër, (ah po ka ca degëzime), dhe jo vetëm në arenën politike, por kudo, ku liria e individit është e papërfillshme; nga shkatërrimi i arsimit dhe infrastrukturës së ekonomisë së tregut që s’u ndërtua si duhej, ku tregu i lirë të jetë vërtet i lirë e të mos varet nga oligarkët politiko-ekonomike; nga korrupsioni që është mbi çdo korrupsion e që fillon në majë dhe mbaron në bazë të piramidës e po i merr frymën çdo ndershmërie e njerzillëku; nga mos shërimi dhe pastrimi i shoqërisë nga fajet dhe fajtorët e saj, por q’jemi ende tek “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”; pa përmendur çlirimin e çlidhjen e gjuhës nga gramatika dhe shkatërrimi i atyre pak thesareve kombëtare për hir të luftës kundër diktaturës. Me këtë nuk dua të mohoj arritjet dhe as se këto po i shoh unë i pari, por se plogështia duhet të zgjohet. Thërrasim që të zgjohet. Të ndërgjegjësohemi se nuk ecet me të njëjtin mendëri turkoshake pashallarësh të zinj apo të kuq, e që s’duhet të gënjejmë më veten. Duhet të fillojmë të ngremë një politikë të re, jashtë partive, me njerëz të rinj e të pavarur, por dhe të ndrrohen ato të shkreta mbushur plot me idhuj pakrena, jashtë klaneve të familjeve të privilegjuara edhe pse një meritokraci e pastërt është thuajse e pamundur.

Së dyti, është nevoja për një ndërgjegje shoqërore të re, atë që prej më shumë se 70 vjet i është mohuar dhe i mohohet këtij populli kaq të vuajtur e të zhgënjyer nga udhëheqësit e tij. Të ikurit e të vetshkulurit këto gjëra të ndryshuara a të pandryshuara i përjetojnë në etapa më të avancuara aty ku janë dhe për ditë brengosen të varfërit që të mos përsëriten a të fillohet nga e para në vendin e tyre, ndaj dhe paralajmërojnë, jo se dinë më shumë, se edhe kjo s’përjashtohet, por kanë një dritare më të gjerë, aq më tepër kur kanë djersirë aq shumë të bëhen pjestarë të këtyre demokracive me traditë dhe në shkallë më të zhvilluar shoqërore, a ndoshta janë përtej bëmave kalorsiake të një të shkuare të mbaruar. Pikërisht ky mendim i lirë “qytetar” besoj që duhet të bëhet natyrë e dytë në vendin tonë të vocërr prej 3 milion individësh që më të shumtën grinden për kotësi e s’ndihen kur i vjedhin e rrjepin së gjalli. Kur nga të mbeturit më shumë se gjysma, të përgjysmuar, duan të ikin, pa kthyer kokë mbrapa. Ne zihemi për mustaqet e Çelos, kur Çelua vjedh e bën sikur zemërohet. Të mësuar ka sa të duash aq sa ka heshtje. Si s’u ngrit një “çadër lirie”, nga studentët, SOT, në qytetin studenti, si s’u bë një demostratë popullore atikorrupsion, por duhet të flasin e të na marrin përdore ambasadorë e ambasadoresha, e kur na “drejtojnë”, ankohemi se na morën lirinë a i shajmë si të na i kishin për borxh, se dikur Aleksandri Bej shpëtoi botën!

Së treti, vjelja dhe shkëmbimi në lëmin mjeshtëror si në arsim, mjekësi, shkenca të sakta apo shoqërore, institute apo qendra kërkimore qoftë dhe në nivelin individual do i shërbente shumë më tepër zhvillimit shoqëror, se sa ndarja krahinore, fisnore apo grupeve politike. Këtë e them dhe nuk e pres nga qeveria apo nga ministria e diasporës por nga secili nga ne, kudo në çfarëdo anë që jemi, dhe jo aq për vete, sa brezin e fëmijve tanë. Shqipëria nuk mund të lejojë të humbasë dhe ata, se do të humbë dy herë dhe më shumë. Lidhjet, largësia nuk i shkurton, por i bën dhe më të forta, megjithatë, pa përpjekje dhe ato të shkreta vyshken. Ky bashkëpunim duhet të jetë refreni i çdo veprimtarie. Kudo e kurdo. Mos harrojmë se kombe të vegjël si ne e kanë kthyer atë në mëyrë jetese dhe mbijetese.

Atdheu dhe mëmëdheu jane një. Një jemi ne, si dhe ata që do të vinë pas nesh. Një bashkëpunim i sinqertë s’do i shërbente askujt më shumë, se jemi të mbetur dhe kur jemi të ikur, e të ikur dhe pse të mbetur kur s’bëjmë asgjë. Nëse nuk mendojmë e veprojmë për të njëjtin qëllim, jemi njësoj të humbur.

U tha e para fjala, që të bëhej dritë, e pas saj gjithçka dhe s’u pa ish aty a erdh e kthyer.

Please follow and like us: