Albspirit

Media/News/Publishing

Gjeorgjios Zalokostas: Poeti dhe muza

 

Rrëmujës i largohesha, kërkoja veç shkretime,
pse kisha dhimbje thellë në shpirt, e zjarr brenda në zemër,
në pezm të atij mësuesi, pse ngecja në mësime,
më erdhi Muza e m’ ul pranë, një Zonjë e bukur, Femër.

Në këmb’ të mia gurgullon uji porsi kristali,
e më qarkojnë me plot aromë lule dhe degë limoni,
një zog gojë-ëmbël cicëron tutje, andej nga mali…
Por Muzën unë s’ e shihja dot, bilbilin? pah, ç’ më thoni!

Muza më zgjoi, më preku lehtë me dorëzën bardhoshe,
dhe më vështroi me ato sy prej ëngjëlli të shkruar,
I thashë: – Pa hiqmu Magjistricë, ç’ kërkon moj bukuroshe?
Dhe bëja të largohesha por s’ mundja, qeshë ngujuar.

Mësuesi, më tha ajo, ai ta ngriu gjakun?
Mësues që nuk shkruan gjë por veç të vjell inatin.
Mos u zërë besë ca njerëzve që të kujtojnë guakun,
që s’ u qesh buza një moment, squfur e kanë surratin.

Eshtë e vërtetë, mësuesi ma theu shpirtin fare,
më dëshpëroi, dhe dua sot në zjarr t’ i hedh tërë shkrimet.
Farmak pikonte goj’ e tij e hapur si kamare:
«Ky vendi ynë nuk lind poetë, andaj shiko mësimet!»

Gënjen or’ miku im, gënjen, e ka ngërthyer cmira,
plot helm të zi paska në dejë, në gjuhën e mallkuar.
Pse korbi si bilbil s’ këndon, kupto të marrtë e mira,
ja grryen zorrët porsi krimb zilia e tërbuar.

Dëgjon bilbilin që këndon? Ç’ aroma sjell veriu?
Dhe kristaloren murmurimë që vjen përtej nga kroi?
Dafinat nuk i mbjell kurrkush por lulëzojnë vetiu,
shkruaj, dhe toka do marrë frymë, qiejtë dhe retë gëzoi.

Këto më tha, flakë m’ u rindez që s’ dua më ta shuaj.
Hej, profesor, ti mos prit kot t’ i djeg vargjet e mia,
do shkruaj, ti në daç më shaj, por unë veçse do shkruaj.
Shëmtimi ti do jesh përherë, dhe Muza, mrekullia.

Shqipëroi: Arqile Garo
Janninë, nëntor 2016

Please follow and like us: