Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Toçila: Tekste shkollore copë-copë

 

 

Ndërkohë që po e shfletoja, libri i matematikës së klasës së gjashtë më ra nga duart dhe fletët iu shkëputën më tepër se gjysmës së tij. Mesa u duk, lidhja nuk kishte qenë cilësore dhe në fakt për cilësinë isha duke e analizuar brendësinë e tij. Vit pas viti me rritjen e tim biri kam konstatuar mangësira dhe defekte të dukshme tek tekstet, të cilat u janë servirur fëmijëve tanë. Politikat arsimore mbi tekstet alternative, në vend që të çonin në rritjen e cilësisë dhe standardit, kanë bërë efektin e kundërt. Kjo ndodh sepse tekstet nuk janë përzgjedhur asnjëherë për risitë e tyre didaktike të eksperimentuara gjetiu e të argumentuara shkencërisht, por në Shqipërinë e tavolinave ato janë përzgjedhur sipas cilësisë së kafes së gjerbur nga teknicienët e dikastereve.
Nuk është rastësi që në pjesën më të madhe të shkollave të përzgjidhen gjasme prej vetë mësuesve (në fakt përzgjedhja bëhet me urdhër nga lart) tekstet e të njëjtës shtëpi botuese. Ose kjo është vërtet më e mira, ose të gjithë mësuesit kanë të njëjtën qasje ndaj mësimdhënies, ose kjo shtëpi është më e fuqishmja që dominon përveç tregut edhe mendjet e arsimit.
Por ky nuk është shqetësimi im kryesor. Për mua janë fëmijët, dhe përthyerja e teksteve tek ta. A janë këto tekste të organizuara mirë e në raport me zhvillimin e psikikës së fëmijëve? Nga sa kam analizuar, por veçanërisht bazuar në opinionet e nxënësve të klasës së gjashtë në lidhje me librin e gjuhës, (nuk po përmend shtëpinë botuese) fëmijët hasin vështirësi në ndjekje të programit. Mësimi i ditës është në faqen 15, pastaj mësuesja u thotë të kalojnë në faqen 112, pastaj kthehen në një faqe tjetër për ushtrime. Shkurt, nxënësit nuk mbajnë dot vëmendjen dhe shpërqëndrohen. Kjo formë e organizimit të lëndës, në vend që të përmirësojë ndonjë simptomë të çrregullimit të pavëmendjes dhe hiperaktivitetet që po haset dendur tek nxënësit e sotëm, e rëndon edhe më shumë gjendjen. Nga ana tjetër, prindërit të cilët pasditeve u duhet të kontrollojnë fëmijët e tyre, nuk e ushtrojnë dot këtë funksion pasi lipset të kenë edhe librin e mësuesit për orientim.
Dyshoj që tekste të tilla të jenë hartuar nën konsulencë psikologësh. Mundet që diku të jetë ndonjë emër i shkruar sa për të thënë. Përndryshe tekstet do kishin më tepër fantazi dhe do të ishin më interesante e argëtuese. Sfida më e madhe e librave sot është konkurenca me internetin. Duhet shumë kreativitet të tërheqësh e të mbash vëmëndjen e një fëmije te libri, ndërkohë që shpërqëndrimi është vetëm një click larg.
Kjo katrahurë, e cila do reflektohet në zhvillimin e fëmijëve, do vazhdojë të jetë në çdo shkollë të vendit tonë, përsa kohë nuk ka komisione të posaçme shkencëtarësh të vërtetë, (se grada shkencore kush nuk po merr sot), që të kalojnë nëpër filtra të rreptë çdo tekst pretendent për tu dhënë dije fëmijëve tanë.
Meqënëse tekstet e dobëta kanë peshë vetëm në çantat e fëmijëve dhe meqënëse ka ende mësues të devotshëm që e dinë këtë, ka nga ata që u ngarkojnë fëmijëve detyra shtëpie ekstra për të mbushur boshllëqet që shkakton teksti. Sërish barra bie mbi nxënësin. Është ai që vjen i rraskapitur në shtëpi dhe ngre krye për ngarkesën mësimore. Kjo çon në një tjetër problem, krijimin e neverisë ndaj shkollës. Plot prindër më kanë treguar se fëmijët e tyre me zor zgjohen në mëngjes dhe ankohen për shkollën. Sajojnë plot justifikime për të mos shkuar. Vende të zhvilluara si Finlanda apo disa shtete në SHBA po i lirojnë nxënësit nga barra e detyrave të shtëpisë, ndërsa në vendin tonë, nxënësit ngarkohen me krijime portofolesh fiktive të quajtura projekte. Është një lloj detyrimi për ti shpenzuar fëmijëve kohën e vyer dhe prindërve paratë për të printuar materiale të pavlera për zhvillimin. A është kjo ajo që duam për fëmijët??
Synimi i arsimit duhet të jetë më i gjerë se miratimi i teksteve alternative apo vlerësimi i fëmijëve sipas një sistemi të studiuar nga kush e di se kush “shkencëtar” i arsimit tonë. Synimi i arsimit duhet të ketë fokus fëmijën e t’i përshtatet zhvillimit psikik të tij. Duhet vëzhguar vit pas viti se çfarë kërkojnë dhe çfarë nevojash e interesash shfaqin fëmijët, pastaj të përgatiten tekste sfiduese për ta e të hartohen politikat arsimore. Në mos, prindërit le të vazhdojnë me planifikimet e shkollimit të fëmijëve përtej kufijve. Jo më kot, jashtë vendit i kanë shkolluar edhe shumë nga ligjbërësit e vendit tonë!

Please follow and like us: