Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: E shkuara jonë nuk ka qenë në formën e koncerteve pop

Më lejoni të përkulem me respekt në nder të luftës, përkushtimit e sakrificave tuaja e familjarëve tuaj. Churchill thotë “Një komb që harron të djeshmen është i destinuar të mos ketë të ardhme!”

Kohët në të cilat po jetojmë, janë të vështira dhe njëkohësisht të çuditshme. Reflektojnë ndasitë e mëdha reale që kemi si shoqëri në raport me të djeshmen dhe marrëdhënien me të. Përpiqemi të ndërtojmë urën e komunikimit me të shkuarën tonë totalitare jo në bazat e një reflektimi dhe rrallë, shumë rrallë, përçojmë te fëmijët tanë atë tragjedi që shoqëria jonë dhe mbi të gjitha një pjesë e saj ka kaluar mbi kurriz.

Duket se shoqëria ka humbur koordinatat e sakta të asaj çfarë ishim dje. Jo dhe aq për të mos pasur memorie por në fakt për të harruar të djeshmen.

“Sido që kjo të përfundojë”, kujton Primo Levi në librin e tij me ese për një nga kriminelët në kampin e Aushvicit, “ne kemi fituar luftën kundër jush dhe askush prej jush nuk do të mbetet i gjallë për të dëshmuar, por edhe nëse ndokush do të mbetet gjallë për të dëshmuar, bota nuk do t’i besojë atij. Mbase do të ketë dyshime, debate, kërkime nga historianët por nuk do të ketë siguri, sepse ne do t’i shkatërrojmë të gjitha evidencat bashkë me ju.”

Fatkeqësisht, këto fjalë janë më të afërta për tragjedinë e çdo të persekutuarit dhe çdo shqiptari sot!

Shtatëdhjetë vjet më parë, në sallën e ish Kinema “Nacional”, u stis një nga gjygjet e para farsë të regjimit komunist. Në një sallë, që sot nuk mund ta gjejmë dot në qytet sepse është zhdukur si shumë pika kyçe të Tiranës para dhe gjatë diktaturës, për t’i lënë vend një pallati të stërmadh me një projektues të së djeshmes. Atje, pra ku sot ngrihet një pallat i madh mbi njëzetë intelektualë, deputetë, sipërmarrës, pronarë dhe shqiptarë të ndershëm u dënuan me vdekje apo dhe burgim të përjetshëm. Pa prova, pa gjygj!

Sot, pak dëgjoj të flitet për deputetët e vrarë nga regjimi komunist shtatë dekada më parë, në shkollat tona pak dëgjoj të kujtohet kjo ditë dhe familjarët e martirëve të përçudnuar, torturuar dhe më pas ekzekutuar apo dhe dënuar të dalin dhe të tregojnë apo transmetojnë se si e kanë vuajtur mbi kurriz çmendurinë e një regjimi të pamëshirshëm.

Në vend të tyre, kemi helmin e vazhdueshëm të një kulture që na sjell ndërmend të djeshmen në formën e një nostalgjie pozitive, gati gati perfektë. Një marifet, që shërben më shumë për të na mbushur kujtesën kështu që e djeshmja të mos qendrojë e boshatisur. Duke shmangur kështu procesin e reflektimit tonë shoqëror karshi tragjedisë që kaluam, por edhe largon gjithnjë e më shumë peshën e madhe të gjykimit të veprimeve tona karshi të djeshmes.

Kam qenë 10 vjeçe kur dëgjova për herë të parë hallën time të pëshpëriste historinë e Shefqet Bejës në praninë time dhe të familjarëve të mi. Ende sot kujtoj fjalët e saj se si gjeti përpara pragu të shtëpisë, trupin e të ndjerit Beja, se si ushtarët e regjimit komunist dhe xhandarët e tyre e kishin larguar me vështrime nga trupi. I cili kish mbetur i varur aty në rrugicë për t’i treguar gjithkujt fundin e atyre që kishin ndarë mendjen të kundërshtonin Partinë-Shtet.

Çfarë mund të shtynte një qeveri që të përzgjedhurit e popullit, t’i çonte në skëterrën e burgut apo në botën e përtejme? Të thuash çmenduria e një grupi banditësh që donin të sundonin të vetëm deri në fundin e ditëve të tyre, mund të kesh thënë shumë pak. Ajo çfarë shtyn një regjim totalitar të kryejë akte kaq çnjerëzore lidhet me ideologjinë e cila për t’u zbatuar kishte nevojë për terrorin dhe traumën e një shoqërie, që në fund të ditës ajo të ndjehej e pafuqishme për të reaguar.

Detyrimi i jonë karshi atyre që dhanë jetën për lirinë tonë apo që jeta iu morr tinëzisht nga një regjim gjakatar është shumë herë më i madh. Sot, shumë prej jush ende nuk dinë se ku ndodhen eshtrat e familjarëve tuaj. Fatkeqësisht dhe paturpësisht sot ende nuk ka një fond të veçantë për gjetjen e trupave të atyre që nuk kanë një gur varri mbi krye.

Është më se e vërtetë që Kuvendi i Shqipërisë ka dënuar krimet e regjimit komunist, kolegët kanë votuar në vitin 2006 një rezolutë të kërkuar nga BE, vitin e shkuar ne votuam një tjetër rezolutë që dënon vrasjen e eksponentëve fetarë nga regjimi diktatorial, po a mjafton kaq?

Unë mendoj që jo! Sot, ende nuk ka vend për një institucion të marrë emrin e Musine Kokalarit, Riza Danit, Selaudin Totos, Jup Kazasit, Sheh Karbunarës e sa viktimave të tjera të vrarë padrejtësisht dhe që sot nuk u gjenden eshtrat. Në fakt vendin e tyre e zënë portretet e diktatorit që tanimë nuk mbahen vetëm nga mosha e tretë e adhuruesve të tij, por nga fëmijë e të rinj.

Kjo është historia jonë e trishtë!

E shkuara jonë, nuk ka qenë nostalgjia që na prezantohet në formën e koncerteve pop, as një tentativë gjoja artistike për t’ia prezantuar të huajve të djeshmen si diçka përtypëse në formën e artit. Përkundrazi, e shkuara është më së pari mësimi për brezat tonë të ardhshëm se si e ardhmja nuk duhet ndërtuar mbi ideologji totalitare, se si pushteti nuk duhet të jetë pronë e një klike uzurpuesish. Se si mendimi dhe demokracia nuk duhet të jenë titujt e sloganeve qeveritare por thelbi i vetë jetës sonë si shoqëri. E fatkeqesiht kjo po ndodh dhe sot!

Ne ende gjendemi mes dy antagonizmave, e djeshmja vazhdon të na shtyjë përpara duke na kujtuar vuajtjen tonë ndërsa e ardhmja vazhdon të qendrojë si bllokadë duke na kërkuar të lajmë hesapet me të djeshmen që e mohojmë apo transformojmë. E gjithë kjo tingëllon si mëshirëimi i asaj çfarë Tocqueville pat thënë “derisa e djeshmja ka rreshtur të hedhë dritë mbi të ardhmen mendja e njeriut endet në errësirë” dhe në errësirën e kësaj beteje për të kuptuar realisht tragjedinë që kaluam si shoqëri endemi përditë.

Respekt dhe nderim për martirët Beja, Alizoti, Klosi, Toto, Karbunara, Saggioti, Xhitoni, Prishtina, Kokoshi, Çela, Kokalari, Deliallisi, Majuni, Karagjozi, Sazani, Shehu, Bala, Tabaku, Marku e Vlashi!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Please follow and like us: