Albspirit

Media/News/Publishing

Shangai-Perla e Lindjes

Me një popullsi prej 24.26 milionë banorësh, i cilësuar si qyteti me popullsinë më të madhe në Kinë, krahasuar me sipërfaqen prej 6.340 km katrorë, Shangai është një nga metropolet më moderne dhe më të vizituara të botës.

Shtrihet buzë lumit Huangpu (Lumi i Kaltër), në brigjet lindore të Detit të Kinës Lindore. Territori i tij përbëhet nga një gadishull midis lumit Yangtze, gjirit të Hangzhout ishullit Chongming dhe ishujve të tjerë më të vegjël. Ndoshta për këtë arsye ky qytet është pagëzuar me emrin “Shang Hai” që në kinezisht do të thotë “mbi det”. Ky metropol kinez përgjatë historisë së tij ka patur shumë emërtesa si “Parisi i Lindjes”, apo “Perla e Orientit”.

Shangai konsiderohet si kryeqyteti ekonomik i Kinës, pasi është një qendër ekonomike, financiare, tregtare dhe e komunikimit me botën. Porti i Shangait është ndër të parët në botë përsa i përket vëllimit të përpunimit të anijeve tregtare, krahasuar me Singaporin dhe Roterdamin. Qyteti përshkohet nga lumi Huangpu, një degë e lumit Yangtze. Qendra historike e qytetit e njohur si Puxi, që do të thotë pjesa perëndimore e lumit, ndërsa zona Pudong, qendra financiare e tij ndodhet në bregun lindor të lumit.

Oferta turistike e Shangait

Bundi ose i njohur si Waitan quhet shëtitorja e famshme e Shangait, e cila shtrihet 1.5 km përgjatë bregut perëndimor të lumit Huangpu. Ajo njihet si një ndër ndërtimet më ekzotike të metropolit kinez dhe në çdo kohë është e mbushur me vizitorë, kryesisht turistë të huaj që shijojnë panoramën, duke fotografuar pamjen magjepsëse. Kjo ndërtesë është ndër më të famshmet për turistët që vizitojnë metropolin kinez. Qendra Financiare Botërore është një qiellgërvishtëse shumë e lartë në distriktin Pudong, e projektuar nga Kohn Pederson Fox. Në brendësi të kësaj godine ka hotele, zyra, salla konferencash, si dhe supermarkete në pjesën nëntokësore të saj. Një ndër hotelet në këtë qendër është dhe Park Hayatt me 174 dhoma dhe suita që kanë zënë hapësirën nga kati i 79-të deri në katin e 93-të. Ky është hoteli më i lartë në botë pas Ritz Carlton të Hong Kongut.

Tempulli i artë ose Chenghuang Miao

Tempulli ndodhet në qytetin e vjetër, në zonën e populluar tregtare të tij. Këtu ndodhen rreth 100 dyqane me një moshë gati shekullore.Ky tempull lidhet dhe me Kopshtin Yuyuan, një tjetër objekt me rëndësi të madhe turistike në qytetin e vjetër.

Kulla Jin Mao

Ajo njihet dhe si Jinmao dhe është një pikë referimi me lartësinë e saj 88 katëshe në Lujiazui, në Pudong. Kulla ka një lartësi prej 420.5 metrash dhe zë vendin e 18-të në botë përsa i përket lartësisë. Në brendësi të kullës ka shumë qendra tregtare, zyra si dhe ndodhet hoteli Grand Hyatt. Deri në vitin 2007 kjo kullë ishte ndërtesa më e lartë në Kinë, por pikërisht këtë vit vendin e parë e zuri Qendra Financiare Botërore në Shangai, që ndodhet fare pranë saj, e cila ka 121 kate.

Konçesioni Francez

Ka qenë një lagje e vjetër e Shangait që nga viti 1849 deri në 1943, i cili zgjerimin më të madh e pati në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekulli të 20-të. Konçesioni u mbyll në vitin 1943 kur qeveria frënge e Vichy nënshkroi pro qeverisë kukull japoneze të Nankinit. Gjatë fillimit të shekullit të 20-të, zona e ish Konçesionit Francez mbeti si një ndër zonat më të njohura rezidenciale të Shangait. Me kalimin e viteve kjo zonë e ka ruajtur sharmin e saj dhe është mjaft e vizituar nga turistët.

Rruga Nanjing

Ajo është e gjatë 5.5 km dhe gëzon reputacionin e njërës prej rrugëve më të njohura tregtare të Kinës. Ajo ka qenë një nga të parat rrugë tregtare të Shangait deri në hapjen e tij ndaj botës. Edhe sot Rruga Nanjing mbetet ndër më të vizituarat për shopping të artikujve të larmishëm, që nga orat, telefonët celularë, bizhuteritë, artikujt e luksit e plot të tjerë. Sot ajo ka dy ndarje, Rruga Nanjing Lindore dhe ajo Perëndimore. Pjesa lindore e kësaj rruge është pedonale. Gjatë gjithë ditës e deri në orët e vona të mbrëmjes kjo rrugë gumëzhin nga turistët e shumtë.

Muzeu i Shangait

I kushtohet artit të lashtë të Kinës dhe ndodhet në Sheshin e Popullit, anës Lumit Huangpu. Godina e tij u rindërtua në vitin 1996 dhe konsiderohet si një ndër muzetë e klasit të parë në vend. Për turistët vendës dhe të huaj ky muze përbën një ndalesë, përmes së cilës njohin historinë e këtij qyteti të madh të Kinës.(Eda Merepeza)

Please follow and like us: