Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe pse topi është i rrumbullakët…

 

Përsiatje pas ndeshjeve

Andon Dede, Nju York

Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme, në mos gabohem me Gjermaninë, në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, u ndodha rastësisht në një kafene afër stadiumit “Qemal Stafa”. Pranë nesh ishte dhe një figurë e njohur në futbollin shqiptar, Besim Q., që në atë kohë punonte në mirëmbajtjen e stadiumit. Më është fiksuar në mendje ai sidomos tek vadiste fushën e blertë me një zorrë uji të fuqishme. Por, të kthehemi tek episodi i kafes që nisa. Besimin e njihnin të gjithë dhe, tek po diskutonin për ndeshjen e ardhëshme, dikush e pyeti se si e parashikonte ai rezultatin. Pyetja e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe si me sustëkthyen kryet tek ai. Besimi e ndjeu këtë interesim por nuk reagoi menjëherë. Gjerbi edhe një herë kafen, la filxhanin në vend dhe tërë qetësi tha duke luajtur kokën si të thoshte diçka befasuese e të rëndësishme: “Vallahi, topi është i rrumbullakët…”. Të gjithë lëshuan një si psherëtimë të lehtë pakënaqësie, me që ai, ndryshe nga ç’prisnim, pohoi diçka që dihej qysh kur ka lindur futbolli.

Mu kujtua ky episod këto ditë kur përjetuam humbjen me Spanjën, ndonëse dihet se kush është Spanja; veç kësaj, ajo na kishte mundur edhe nëfushën tonë. Deklaratat pompoze të trajnerit e të shefave të tjerë të Federatës, për një lojë dinjitoze, u shumëzuan me zero kur kemi parasysh se si u realizuan golat, vetëm në 25 minutat e para dhe si e menaxhoi, pa shumë vështirësi, kohën tjetër të lojës trajneri spanjoll për të mos harxhuar energji kot. (Mos harroni se dhe Sërbia na i bëri dy golat e fitores së saj në Elbasan pasi kishte mbaruar koha e rregullt, në tre minutat shtesë). Nuk më pëlqeu deklarata e trajnerit pas ndeshjes, se dhe Italia ka ngrënë tre gola, po nga Spanja, edhe pse e vërtetë. Ai duhet të qe më modest, më realist e më kritik në pohimet e veta se, tek e fundit, humbja mban kryesisht autorësinë e tij. Megjithatë, pohimi i tij më kujtoi prapë Besimin e kafenesë: ”Topi është i rrumbullkaët e nuk duhet të habitemi nga asnjë rezultat”. Qetësia ime u rivendos deri diku vetëm kur pashë ndeshjen Turqi-Islandë, ku këta tëfundit fituan bindshëm po 3 me 0, edhe pse ndeshja u luajt në fushën e fqinjëve tanë. Heshtja si në funeral e spektatorëve e shprehte më tepër se çdo gjë tjetër përjetimin e turqve që u rrahën keqas në fushën e vet, nga një ekip që përfaqësonte një popullsi qindra herë më të vogël se ajo e tyrja. Ja pra që vërtet topi, si i rrumbullkët qëështë, mund të na befasojë me rezultatet e ndeshjeve.Jo vetëm kaq, por duhet pranuar se mund të ndodhë edhe më keq nga ç’ngjau me ne. Unë nuk e mbaj veten as për tifoz të thekur e aq më pak për specialist të futbollit, por kaq gjë mund ta them pa drojtje: rezultati në Spanjë mund të kishte qënë shumë më i thellë sikur trajnerit të mos i mjaftonin ata tre gola.

Kam dëgjuar të tjerë tifozë që thonë se ne mund të kishim pretendime edhe për të marrë pjesë në Botërorin e 2018-ës. Unë i kam kundërshtuar, me argumenta jashtë-sportivë: kaq e kemi hapin! Vërtet se Islanda që zumë në gojë më sipër është një vend i vogël por a e keni parasysh nivelin e saj në të gjithë treguesit? “E ke gabim, – ma ktheu njeri. – Kështu skeptikë si ty kishte dhe për Europianin, por ja që shkuam…”. “Zuri qeni një lepur…”-ia prita unë dhe shtova më tej, – Po të mos na e kishin dhënë në tavolinë fitoren me Sërbinë, si zor të kishim marrë pjesë edhe në të…Mbase duhet t’i jemi mirënjohës Ballist Morinës për këtë?!” – e mbylla diskutimin si me shaka. Bashkë me të po i jap fund dhe këtyre radhëve duke iu kthyer edhe një herë fjalëve të Besimit në kafene: edhe pse topi është i rrumbullkët apo pikërisht për këtë, duhet luftuar e shpresuar, pavarësisht se kë kemi përballë. A nuk e përligj këtë aksiomë edhe ndeshja e fundit me Italinë: pavarësisht humbjes, askush nuk mund ta mohojë se çunat tanë dhanë maksimumin e mundshëm dhe meritonin më shumë.

Please follow and like us: