Gani Mehmetaj: Kush e pengon shtatoren e Pjetër Bogdanit në Shkup?

 

-Na e morët Aleksandrin e Madh, e përvetësuat Filipin, Pitu Gulin e shpallët hero kombëtar, vëllezërit Manaki i bëtë kineastë tuaj, ndërsa ishin shqiptarë, e morët Kështjellën ilire, Shkupin e bëtë tuajin. S’na latë asgjë? i thashë me mllef Dimës, mikut tim sllav, ndërsa pinim birrë të Shkupit buzë lumit Vardar. Ai më pa me vëmendje, paksa i befasuar me këtë shpërthim të vonuar të zemërimit tim.
– Jua lamë Hamamin, xhamitë e mejtepet. Jua lamë qebaptoret, kundraxhinjtë, berberët, hanet e kuajve, pazarin e pistë të zarzavateve, bakllavaxhinjtë. Ç’donit më shumë? Ato që ju lamë, ato i meritonit, nuk ishit për më mirë -, ma ktheu flakë për flakë.
– Ju Aleksandrin e Madh e Filipin i mohuat. Kështjellën ilire nisët ta mbushni me qebaptore e restorante dasmash. Ashtu si e braktisët fenë e moçme, i braktisët monumentet tuaja që jua mori turku. Braktisët pjesën aristokratike të qytetit për t’u futur në lagjet orientale që duken si lagje të Kandaharit. Kur kaloj rrallë në lagjet tuaja, Çair e Butel, më vjen turp që jam në të njëjtin qytet, një mur kinez do t’jua bëja në mes. Pastaj që ta keni më të qartë, Shkupin, nuk jua morëm ne, para nesh jua morën ca palo turq që turqisht s’dinë, shqipen përpiqen ta harrojnë me çdo kusht, maqedonishten e flasin për faqe të zezë, megjithatë më me dëshirë flasin sllavisht se sa shqip. Janë bastardët tuaj-katundarë, që kur erdhën në qytet nga turpi i të qenit shqiptarë u deklaruan turq. Gjithë Ballkani atëbotë turqit i dinte të paarsimuar e të vonuar mendërisht, ndërsa katundarët tuaj i dinin për simbol të qytetarisë. Me ta keni probleme ju, me gjenin tuaj të zvetënuar. Kot që më bie në qafë. Ata jua mohojnë gjuhën, ata jua mohojnë historinë, heronjtë, ata bëhen me ne që t’ju luftojnë ju.
-Por ju i ndërseni?
-Pse është qeni, pos të ndërsehet. Janë servilë ndaj nesh, por shumë të zellshëm, kur i ndërsejmë kundër jush. Ju as shkopin kundër tyre s’jeni të zotët ta përdorni.
-Por ju do të na akuzoni për nacionalistë, – ia ktheva.
-Nuk është e vërtetë, keni frikë se do t’u hidhërohet Erdogani, ai ju ka në dorë si ju si ata. Ai jua ndërsen, tanët i përdorim kur ju duhen.
Më mbeti lëngu i elbit-birra në fyt, gati m’u zu fryma. Dimçe më shihte e buzëqeshte me djallëzi.
-Gëzuar nipi i Pjetër Bogdanit, apo nuk je nipi i tij? – ma cakërroi gotën e birrës. – Erdhe në pjesën tonë të qytetit, sepse në pjesën tuaj mjekërcjeptë (vehabistat) jua kanë ndaluar birrën. Atyre s’guxoni t’u bëni gëk as mëk, neve na hakërroheni. Jua kanë futur këmbët në një këpucë, jua kanë ndryshuar gjuhën, përshëndetjet, sjelljet, ju kanë bërë si majmunë që imitoni arabët, – ma tha në fytyrë pa i lëvizur qerpiku.
Ku e mori këtë guxim Dimçe i butë, nuk e mora vesh. Prandaj vazhdova me sulmet e reja ndaj tij.
– Se ç’i keni bërë ato përmendore të mëdha, ciklopike, në qytetin e Shenjtores Terezë, të merren mendtë kur i sheh.
-Do të duhej t’ju vinte mirë, edhe sikur të jenë dyfish më të mëdha. S’keni pse zemëroheni përderisa thoni se janë tuajt. Pse nuk vini të faleni para tyre.
U shtira kinse nuk e dëgjova.
-Gjergj Kastriotin nuk na e morët dot, megjithëse u përpoqët, – ia ktheva fitimtar. – Prandaj jua vumë shtatoren e tij për ballë.
-Ju na e ofruat për vëllazërim-bashkim edhe Gjergjin, shkruat se e paska nënën sllave, por ne nuk jua pranuam. Mezi e ndërtuat shtatoren e tij në cep të autoudhës. Bile habitem si nuk jua rrënuan turqit tuaj bastardë. Por shtatoren e Pjetër Bogdanit nuk guxoni ta ndërtoni, nuk ju lënë hoxhallarët.
Për ta neutralizuar desha t’ia numëroja padrejtësitë e tjera, mikut tim Dimçe, me të cilin takoheshim në Paris, Kanë e Bolonja, por s’dija si t’ia nisja.
S’kisha guxim t’i thosha se ju edhe Kishën Katolike të Pjetër Bogdanit na e morët. Pas më shumë se një mijë vjet predikimi shqip, në njëzet vjetët e fundit nëpër muret e kësaj kishe ka nisur të përplaset sllavishtja nga prifti maqedonas, që është i vetmi katolik në Maqedoninë e Lekës së Madh. Sikur të ma lexonte mendjen, ma ktheu:
– Se mos do të na akuzosh se jua morëm Kishën Katolike?
– Pikërisht ajo më shkoi nëpër mend, – ia ktheva i shkarkuar nga droja.
– Ç’ju duhej? Ta bënit xhami si në Prishtinë, ku Kishën e Pjetrit tuaj e bëtë xhami të Sulltan Muratit pederast. Shkollat në gjuhën tuaj i kërkoni nga ne, ndërsa ndërtoni xhamitë si të çmendur. Pastaj të bëhem i sinqertë: shqiptarët katolikë, tanët nuk i durojnë, ua prishin planet, ua çrregullojnë mënyrën e të menduarit, prandaj i dëbuan. “Nëna Terezë shqiptare? S’është e mundur”, i themi njëri-tjetrit. Nuk e besojnë kur ju shohin se si jeni katandisur. E di ti miku im se shumica prej tanëve mendojnë se ju keni ardhur me turqit?
Ma mpiu trurin. Arrita t’ia afroja gotën e birrës së Shkupit, që t’ia ndërprisja lumin e akuzave. Ato akuza duhej t’ia drejtoja unë, ndërsa ai s’më linte të çilja gojën.