Ilir Levonja: O veteran me bukë me vete

 

 

Kultura jonë masone karshi Enverit është bërë e modës tashmë. Ca me të qeshur e ca me bindje, ia futëm vetes.

Kështu që sa herë afrohet tetori, rrjetet mbushen me foto të Enver Hoxhës, shto citatet a dedikimet, si një lloj kënaqësie karshi dështimit të demokracisë. Pa e kuptuar asnjëherë se në raport me diktaturën kjo e fundit është për t’ia vënë dinamitin në të katër qoshet se të lë të llapësh gjithë ditën. Kurse diktatura e proletariatit dhe kryemasoni Enveri, t’a lëronin nënën ku ta kishe. Jo më të dilje me pankarta, ta zëmë me portretin e Ahmet Zogut. Për masonët nuk ma ka pasur kurrë ënda të shfletoja, sapo ndeshja ndonjë material, qoftë dhe për kuriozitet, nuk e di sepse i shmangesha. I shmangem edhe tani. Ndofta nga misteri i llozhës, parimet e hekurta, forca dhe aftësia që zotërojnë një grup i vogël deri në devijimin e shoqërisë. Pra në devijim nga normalja dhe nënshtrimi i masave. Megjithëse sipas shumë e shumë aludimesh, ka nisur nga ideja e vëllazërisë, oda e vëllazërisë dhe drejtimit të punëve, prapë u bë një hob horrorresh, nga vendime brutale tryezash të rrumbullakta në gjysmë errësirë. Deri sa shpiku kulturën e sundimit. Shkurt është një lloj sekti a dreqi që do vetëm t’i shkoj e vetja. Të bëhet si thotë ai. Sado e lartë të jetë kostoja, apo haraçi që duan të paguajnë njerëzit. Kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Një nga masonët më të mëdhenj shqiptar është edhe Enver Hoxha. Dhe sado kohët ikin, sado që gati 99% e qytetarëve janë tashmë pjesë e demokracive perëndimore. Një mundësi kjo për të bërë dallimin, midis diktatit mason dhe shtetarit demokrat, prapë tek ne ka mbetur e ngjizur kolera enveriste.

Disa syresh e reklamojnë edhe me t’u tallur. Disa me bindje të plot se ai ishte i vetmi burrë shteti. Në fakt këtu nis edhe regresi social. Pasi duke jetur me kultin e individit mohon qindra të tjerë. Shtetin nuk e bën individi por devotshmëria dhe rigoroziteti në vendin e punës të gjithkujt prej nesh. Eshtë e natyrshme që në këtë hori sociale ka plot shushunja. Plot minidiktatorë. Të tillë janë edhe këta që mohojnë deri punën e baballarëve duke lavdëruar Enverin. Historia e Enverit është plotësisht një masoneri krimi dhe gjaku. Mjaft të kujtosh se nga e gjithë ajo armatë shokësh dhe idealesh, vetëm ai nuk doli tradhtar a i shitur. Vetëm atë e mori vdekja natyrale, e Zotit. Të tjerët, plumbi, litari, vetvrasja. Ky është arsyetimi më i thjeshtë. Njerëzit e sojit mason vrasin për një qëllim dhe pa dallim, këdo, vetëm të sundojnë.

Sot kultura masone shqiptare nxjerr ca grupe veteranësh, rrëgjuar, e pa pesë lekë në xhep, me qese me bukë me vete…, të mbysin me pështyma. Mirë ne që mendojmë ndryshe nuk na duan, por nuk duan as veten e tyre. Eshtë tjetër në botën e madhe krijesa veteran. Ka tjetër pamje, tjetër personalitet. E gjitha kjo, për një arsye, më përpara se njëshin duan dhe respektojnë vetveten, vendin, shokun, idealin.

A ka për të mbaruar kjo një ditë tek ne, pra masoneria enveriste. Nuk besoj. Të paktën edhe një gjysëm shekulli tjetër.