Mithat Havari:  Episod nga jeta ime post diktaturë!

 

Në kohët e mia të “lavdishme” kur kryeja detyrën e drejtorit të policisë në Elbasan në vite 1992-1994 punoja fort me idealizëm, përkushtim e profesionizëm për vendosjen e rendit publik që ishte aq i ndjeshëm për qytetarët pa dallim feje, krahine, ideje.

Sigurisht formimi im si njeri nuk bënte diferencime me kategorinë e shkelësve të ligjit, por ndëshkoheshin si të barabartë.

Sjellja ime “harbute” me njerëzit e partisë në pushtet dhe aleatët e saj, kishte rënë në sy për “keq” dhe kjo gjë nuk ju pëlqente.

Ju kisha prerë krahët, thotë populli, nuk po fusnin ‘gjë në dhëmbë’, më e rënda për ta ishte se kisha filluar arrestimet për krime të ndryshme, qoftë nga njerëzit e PD, por dhe ish të burgosur politikë, deri tek kioskat që nuk lejova të ndërtoheshin, ato ‘mbinë si kërpurdhat’, vetëm pas largimit tim nga Elbasani.

Në atë periudhë ishte vetëm TVSH dhe pak gazeta partiake, midis tyre dhe ‘Republika’, organ i Partisë Republikane dhe shefi i saj ishte i ndjeri Sabri Godo.

Kjo gazetë kishte filluar një fushatë “armiqësore” ndaj meje ku nëpërmjet shpifjeve dizinformonin opinioni publik rreth personit tim dhe punës që kryeja.

Kujtoj që rendi publik në Elbasan në atë periudhë ishte model, sigurisht nuk bëhet fjalë për ngjarje të rënda si ajo që ndodhi ditë më parë në Elbasan. Isha “mbret” i ligjit në atë qytet të bukur dhe me njerëz të mirë.

Unë nuk kisha kohë të lexoja shtypin e ditës dhe nëse vëreja ndonjë gjë kundër meje, nuk e merrja seriozisht, pasi e dija kush isha dhe ç’punë të vështirë kryeja.

Një ditë babai im më thotë: “More bir, ç’ka ajo gazeta ‘Republika’ që të sulmon aq keq”?

Nuk e di, iu përgjigja Xhevit Havarit, nuk e di arsyen, por as më shqetëson kjo gjë, nuk varem nga ajo parti, unë kam ministër, kryeminstër e president nga partia në pushtet etj.

Por im atë nguli këmbë të takoja Sabri Godon duke më thënë se ishte dhe “antar i Byros Politike” me qesëndi, jo për gjë por i thonë një fjalë “shpif shpif se diçka do mbetet”.

E dëgjova këshillën atërore dhe një ditë shkova tek selia e ‘PR’ që ndodhej mbi maternitetin “Nëna mbretëreshë” tek rruga ” Zogu i parë” sot.

Takova Ylli Rakipin, kryeredaktor i gazetës, të cilin e njihja pak në Elbasan dhe e pyeta: Përse më sulmonin, ku i gjeni argumentat, etj.

Ylli më tha s’e ke nga unë, por ..dhe ngriti gishtin e madh të dorës.

E kuptova, iu përgjigja, më krijon një takim me z.Godo?

Po mor, tha Ylli dhe për pak minuta u gjenda në zyrën e kryetarit.

E përshëndeta ashtu si di unë me dinjitet e serioz, Godo nuk i ngriti sytë, veç më dha një kokë të ftohtë. Muk m’u durua dhe iu drejtova me fjalët: “Z. Godo po ju ngrini kokën më shihni në sy, unë nuk jam ndonjë rrugaç, por zyrtar shteti, as ju kam vrarë e prerë”.

Pauzë, ngriti kokën e më tha: “Ju Dukatasit jini trima”.

  • Edhe të meçur, ja ktheva.
  • Po, po, vazhdoi edhe ironikër jinni.

Nuk fola në shenjë respekti nga ana ime.

  • Përse më sulmoni, ju drejtova, me gazetën tuaj?!
  • Po ja, ma ktheu rëndë -rëndë, atje në Elbasan flasin keq për ty etj.

– Normal, ia ktheva, unë nuk jam drejtor i baletit edhe atje do më sulmonin nëse nuk lejoja padrejtësi, e jo që jam kryetar i rendit publik dhe sigurisht prish interesa të shumëfishta, etj argumenta të këtij lloji nga ana ime.

– Z.Godo, vazhdova, unë kërkoj që në 10 qytetarë 7 të flasin mirë, 3 keq, kështu do ndihesha komod, miq të gjithë nuk i bën dot, nuk bën vëllezërit e tu, e jo botën.

Vuri buzën në gaz e shtoi: “Më pëlqeu ky argument nuk e kisha dëgjuar më parë”.

Pas kësaj biseda u shtrua dhe burri i urtë por i “hidhur”, më bëri të njohur një fakt, se kishim lidhje krushqie pasi vëllai i babait tim Rr. Havari kishte marrë për grua kushërirën e parë të Sabriut nga Delvina e cila vinte nga rracë bejlerësh.

U ndava me të, për t’u takuar pas vitesh në hotel ‘Rogner’ ku mbi tavolinë i vendosa një dokument zyrtar ku shkruhej se zv .kryetari i PR në Elbasan në ato vite që më sulmonin në gazetën e tyre, kishte qenë bashkëpuntori i Sigurimit të Shtetit me pseudonim “Artilieri” i cili më kishte raportuar mua disa herë në zyrat famkëqe të organeve të diktaturës së proletariatit.

Tashmë “artilieri” nuk jeton më, e mundi e keqja, ndërsa Mithat Havari jeton të shkruaj historinë.

Zoti Godo pasi e lexoi më tha: – Prandaj më servilosej ai mua?

  • Jo, ju përgjigja, kjo ishte strategji për të goditur demokratët gjenetikë, ju e vazhduat dhe më pas luftën ndaj meje me atë gazetë, deri sa ju denoncova në gjykatë dhe u ndëshkuat me 3 milionë lekë të vjetra dhe unë nuk i mora lekët, thjesht ju diskretitova publikisht si shpifësa.

U ndava me plakun Godo për të mos u takuar kurrë me të.

E solla si kujtim të hidhur, pasi ka lënë gjurmë në karierën time dhe jetën sigurisht. Ishte një luftë e pa drejtë që më bënin dhe që nuk e meritoja.