Zamira Çavo: A është populistodemagogjike qeverisja?

 

 

Sikur e vërteta të mbante në dorë kosoren e vdekjes dhe e gënjeshtra të vishte rrobat e ëngjëllit, do kisha përqafuar pa më të voglën ndroje të parën…

A është populistodemagogjike qeverisja?

10 arsye për të vlerësuar

Së pari, duhet të them se populizmi ka lindur në Rusinë e shekujve 18-19-të si nevojë për të zgjuar ndjenjëne revolucionit dhe ndryshimeve të mëdha tek njerëzit. Kjo kishte lidhje me liderin karizmatik tek i cili besohej gati vërbërisht. Sot populizmi shikohet në sensin negativ. Zakonisht populist është ai Lider që mendon se ka vlera të pakrahasueshme jo vetëm me të tjerët por dhe me institucionet. Nje lider i tillë shan këdo e hedh poshtë të “djathën” e të “majtën”, institucionet dhe akademikët, profesionistët dhe sipërmarrës. Ndaj ai i “flet” popullit dhe kërkon prej këtij populli besim.

Së dyti, duhet të them se demagog është ai njeri (lider i cili pikërisht për shkak të karizmës së tij dhe autoritetit të tij ligjor, premton të parealizueshmen duke luajtur në momentin e dhënë me ndjenjat e popullit.

Kur këto të dyja bëhen bashkë, rreziku i tiranisë ka trokitur në portë, por e keqja është që njerëzit nuk e shikojnë.

Pse nuk e shikojnë? Sepse u janë mbyllyr sytë. Dhe sytë mbyllur tenton tua mbajë media e blerë, shkolla e rrënuar, intelektualët e strukur, interesat e ditës.

A është qeverisja jonë një qeverisje populistodemagogjike?

-Këtë mandat Qeveria ka vendosur të komunikojë me popullin duke bashkëqeverisur me të. Në çfarë mënyrë? Duke krijuar një strukturë dhe një portal që do të marret me mbledhjen e mendimeve të njerëzve. Uroj të funksionojë, por mesa e kam ndjekur që në mënyrën se si është konceptuar, më bën të dyshoj. Parlamenti rural është një “shpikje” tjetër që synon të na tregojë se popullsia rurale tashti e ka gjetur çelsin e suksesit. Ju kujtohet kur z. Rama nxorri të famshen listë të personave që sipas tij “Zëri i njerëzve” kishte dërguar në faqen e tij online? Di të më thotë njeri diçka më shumë? Ç’u bë me ato vlerësime?

-Qeveria ka “zgjedhur” z. Rama si të vetmin i cili i drejtohet çdo institucioni të këtij vendi me idenë e nënkuptuar se “Ju nuk vleni” dhe se “Unë jam ai që di se çfarë do bëhet”.

-Qeveria ka” zgjedhur” të anashkalojë institucionet në emrin e liderit. Institucionet heshtin dhe në vend të tyre flet zoti Rama. Ai emëron, ai shkarkon.

-Qeverisja e sotme ka “zgjedhur” ashtu si dje të bëjë biseda publike ku pjesëmarrësit duhet vetëm të dëgjojnë. Ata që guxojnë të kundërshtojnë zbrasen me moton: ”ti shikon plehrat e kazanit mediatik”. Ndërkohë që ky kazan i shërben çdo ditë qeverisë dhe qeveria e mbështet në të gjitha format, përjashto sharjet në publik!

-E keni vënë re? Sa herë që kritikohet një sektor aq më e fortë është mbrojtja që qeveria i bën personit që ka vënë në krye të këtij sektori.

-Qeveria ka zgjedhur çdo ditë të na thotë se “atë që ka bërë në këto katër vite nuk janë bërë në 25 vite e tjera”. Sigurisht jam dakord, sepse gjysma vërtetë nuk është bërë në 25 vjet, ashtu si gjysma tjetër nuk ka qenë kurrë kaq e dukshme në 25 vjet. Në të dyja rastet njeriu i gjorë vazhdon të përpiqet për bukën e mbijetesës.

-Qeveria ka “zgjedhur” të na bëjë të besojmë se ky mandat do jetë një sukses për ekonominë e vendit dhe jeta e qytetarëve do jetë padyshim më e mirë cilësisht. Por këtë synim e kemi dëgjuar edhe në mandatin e parë. Madje e kemi dëgjuar në çdo mandat të çdo qeverie që ka marrë pushtetin.

-Flitet për luftën kundër krimit e korrupsionit por askush nuk shikon në bankën e të akuzuarve ata që realisht i njeh i gjithe vendi për të dy elementët: krim e korrupsion!

-Sa herë keni thënë me vete kur keni dëgjuar kryeministrin: “Oh sa mirë, ja kështu mendoj edhe unë” dhe keni pritur më kot që ajo çka ka thënë të bëhet realitet?

– Së fundmi a nuk na u premtua nje administratë publike dinjitoze katër vite më parë? Po sot a nuk po na premtohet e njëjta gjë?

Gjykoni dhe vlerësoni!

Nuk kam ndermend të iki nga ky vend ndaj e dua vendin dhe njerëzit e saj dhe ju lutem mos filloni nga anatemimet dhe frazat e vjedhura andej këtej e pa asnje lidhje. Dua vërtet të hapim sytë! Të paktën ata qe duan t’i hapin!