Florentina Ademi: Arti “vret“, dhimbja fisnikëron…!

Aktorja e pasionuar dhe e zellshme, Florentina Ademi, tashmë ka dëshmuar se në këtë fushë nuk ka ardhur rastësisht, por e shtyrë nga një profeci e brendshme që kërkonte të shpërthente dhe të shpërfaqej me tërë rrezatimin e saj.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Pamja, diksioni, kreativiteti, serioziteti dhe përkushtimi janë karakteristikat dalluese të kësaj aktoreje, e cila synon që karrierën e vet ta begatojë e ta çojë larg e më larg. Rruga e saj është e gjatë, por synimet e Tinës janë që sa më shpejt të arrijë në cak. Po ku është caku dhe a ka cak fare në art për të, do të mësojmë nga intervista në vazhdim.

Florentina, ndonëse hapësira jonë artistike nuk ofron shumë për aktoret e reja, ju e keni gjetur veten dhe rrugën deri tek sukseset. Cila ishte ajo rrugë?

Realiteti socio-ekonomik në Kosovë, reflekton në masë të madhe edhe realitetin e artit, dhe konsideroj se me të vërtetë, rruga për t’u ndërtuar si një aktore, nuk ka qenë aspak e lehtë. Megjithatë, duke falënderuar përkrahjen dhe motivimin nga familja dhe miqtë, duke i shtuar kësaj edhe një angazhim thellësisht të përqendruar drejt arritjes së këtij qëllimi, mund të them se unë e kam gjetur profilin tim.

Megjithatë rruga artistike është e gjatë dhe e pafundme. Nëse do ta matnim këtë rrugë, ku e gjeni ju veten?

Unë arrij t’i dalloj dy segmente të rëndësishme të kësaj rruge: së pari në rrafshin personal, në të cilin ndjej se jam familjarizuar me botën e aktrimit, kërkesat dhe mundësitë që kjo botë ofron; dhe së dyti në rrafshin artistik, për të cilin konsideroj se ka ende punë për të bërë.

Sigurisht synimi juaj është që të arrini në cak. A është ende larg ai cak?

Ambiciet e mia mbesin karshi me zhvillimet bashkëkohore të kësaj fushe, por rruga për të tejkaluar ambientin aktual drejt një ambienti më gjithëpërfshirës, është ende e gjatë, ndërsa unë jam ende në fillim.

Arti dramatik është ndër artet më të vjetra, për të mos thënë më i vjetri në botë. Ju keni zgjedhur pikërisht teatrin që t’i sprovoni aftësitë tuaja dhe pa pikë dyshimi mund të themi se hapin e parë e keni patur vendimtar.

Mendoj se kur një aktor përkushtohet shumë për personazhin që ai përfaqëson; mes aktorit dhe këtij personazhi ndërtohet një lidhje instinktive dhe këtë më së miri një aktor mund ta dëshmojë në skenën e teatrit. Mund të them që nga të gjitha eksperiencat e dimensioneve të ndryshme, teatri përbën një nga ballafaqimet më reale të artit dhe aktorit, për çka unë jam përpjekur gjithmonë që skenës së teatrit t’i qasem pa asnjë rezervë, duke u përpjekur që të materializoj sa më mirë temat e trajtuara.

Gjakimet e çdo artisti, në këtë rast edhe i juaji, është karriera, fama dhe audienca. Si e vlerësoni publikun tonë, a ka ai shije të formuar skenike dhe si është ambienti ynë teatror, aktualisht në Kosovë?

Nga eksperienca mund të them që shpesh herë më ka ndodhur të ndahem e befasuar me shkallën e pranimit të artit të aktrimit nga ana e publikut tonë. Nga përshtypja e përgjithshme vlerësohet se ende kjo fushë nuk është mjaft e etabluar sa duhet dhe se nuk ka një kulturë të mirëfilltë të perceptimit, por unë mendoj se, në mesin e publikut tonë, me të vërtetë ka elemente të stërholluara të shijes artistike. Natyrisht se, për të kontribuar në këtë rrafsh, rolin e parë e kanë vetë ata që marrin përsipër t’i ofrojnë shije të duhur publikut.

Cilat tekste ju pëlqejnë më shumë, ato të autorëve të huaj apo vendës?A ka tekste të mira shqipe që mund të vihen në skenë?

Në përgjithësi ka pasur një tendencë për të vlerësuar më shumë tekstet e autorëve të huaj, por nga përvoja ime e deritanishme, kam kuptuar se në fakt ka mjaft tekste dhe autorë vendas që arrijnë të përmbushin dimensionet artistike të shkallës globale, me motive dhe mesazhe të jashtëzakonshme, të cilat dita-ditës besoj që do vijnë në shprehje.

Shpesh ju kemi parë në role kryesore, megjithatë thuhet se, aktorin nuk e bën të madh roli, por loja e tij.

Një rol kryesor shoqërohet me një hapësirë më të madhe për të qenë kreativ, por kur një aktor e merr me përkushtim punën e tij, janë pikërisht rolet e vogla ato që të sfidojnë për t’i nxjerrë nga kufiri i hapësirës dhe për t’iu dhënë rendësi të njëjtë. Për mua, çfarëdo roli qoftë ai për nga rëndësia, mbetet një mundësi për të dëshmuar kreativitet.

Jeni sprovuar në të gjitha fushat e artit të luajtur: në teatër, në filmin e metrazhit të shkurtër e të gjatë, në seri, si dhe në filmin televiziv. Ku ju duket të jeni më e realizuar?

Unë ndjek një parim themelor: nuk hyj në projekte të cilat konsideroj se nuk do të mund t’i realizoj me saktësi. Kjo nënkupton se punën e realizimit e konsideroj njëjtë të arritshme si në teatër, ashtu edhe në filma televiziv. Por tek ne, projektet filmike ende nuk kanë marrë një përmasë çfarë do të doja të kishin dhe, teatri mbetet një alternativë që vërehet më shumë, ndërkaq unë pretendoj të vazhdoj punën edhe në projekte filmike.

Ndonëse është vështirë të veçohen rolet, sepse të gjitha e kanë peshën e vet, megjithatë a mund të dalloni ndonjërin prej tyre, i cili ju ka hyrë në shpirt dhe e mbani si medaljon në karrierën tuaj?

Të gjitha rolet kanë qenë sfiduese, interesante dhe kanë pasur një kuptim të caktuar. Megjithatë, ndër ato që më kanë bërë tamam përshtypje dhe më kanë bërë të futem thellë në natyrën e personazheve, kanë qenë roli i Dritës, në shfaqjen “Dardha pas Bunarit”, pastaj ai i Murlin Murlo tek “Murlin Murlo” dhe Karmelas në shfaqjen me të njëjtin titull, role këto që më kanë dhënë mundësinë të ofroj shumë nga vetja. Sipas kritikës, kanë dalë të suksesshme dhe më kanë inkurajuar për më tutje.

Për lojën tuaj, ju keni fituar edhe shpërblime. Edhe pse thuhet, aktorët nuk “jetojnë” për çmime, megjithatë sikur të gjithë i dëshirojnë ato?

Çmimet i konsideroj jo si një triumf gare. Ato më shumë i marr si një konfirmim për punën e bërë dhe si një vlerësim që na ndihmojnë të kujtojmë se puna e mirë megjithatë vlerësohet.

Para se t’i hyni kësaj hullie, sigurisht ju ka ngacmuar diçka e brendshme, shpirtërore, apo mos vallë ishte një rastësi e rrallë?

Absolutisht nuk ka qenë e rastësishme. Unë, madje habitem me ata që mendojnë se inspirimi për t’u marrë me aktrim është produkt i rastit. Në rastin tim, këtë profesion e kam pëlqyer dhe e kam dëshiruar që në moshë të vogël, pikërisht si një profesion që reflekton botëkuptimin tim shpirtëror, dhe mbi të gjitha, si një mundësi që përmes artit të aktrimit, të ndaj mesazhe që arrijnë te një pjesë e gjerë e shoqërisë, qoftë për të kritikuar të shëmtuarën apo për të vlerësuar të bukurën.

A keni patur dhe a keni ndonjë idol, qoftë në teatër apo në film? Dua të them se, sikush do të dëshironit të ishit?

Nuk do të thosha se dua të jem si dikush, sepse mendoj që çdo njeri, është i veçantë në mënyrën e tij. Megjithatë, në ndërtimin e profilit tim si një aktore, natyrisht se kam pasur modelet e mia që më kanë inspiruar dhe vazhdojnë të më inspirojnë akoma, në mes të cilëve do të veçoja Meryl Streep dhe Daniel Day Lewis.

Bashkëshorti juaj Skender Miftari Beck është një nga emrat e vlerësuar në art. Beson se lidhja me të i ka dhënë shtysë karrierës suaj artistike?

Bashkëshorti im Skenderi, vërtetë është një emër i njohur dhe i vlerësuar në art. Por, para artit, ka qenë humaniteti që i ka dhënë forcë dashurisë sime për të dhe reciprokisht të tij për timen. Arti mbase ka qenë edhe një vegëz që i ka dhënë nuancë të ëmbël kësaj lidhje. Unë dhe Skenderi, jemi identitete artistike të ndërtuara me vite dhe këtë s’mund ta mohoj asnjëri. Megjithatë, ndjehem mirë që ai i takon botës së artit dhe gjithsesi do më mbështesë edhe mua në karrierën time. Më jep shumë siguri e besim në vete dhe ndjehem shumë rehat kur diskutoj me të sa i përket profesionit.

Si rrjedhë jeta e dy njerëzve të artit. Një bashkëjetesë mes artistëve është e lehtë apo e vështirë? Si e përballoni këtë?

Kriteri i parë për të funksionuar një lidhje, nuk mendoj se është detyrimisht afërsia nga profesioni, por afërsia nga humaniteti dhe dashuria. Kësisoj, jeta jonë bashkëshortore është krejtësisht normale dhe, komunikimi ynë, përveçse si bashkëshortë, edhe si artistë, s’është asgjë më shumë se një nuancë e hareshme për të diskutuar dhe komentuar gjatë përditshmërisë. Pra në radhë të parë, martesa jonë para se të shihet si martesë mes dy artistëve, duhet të shihet si martesë mes dy të dashuruarve, e kjo është diçka e mirë që i japë kuptim çdo gjëje tjetër.

Çfarë ndjesish të pashfaqura apo merake keni ju?

Uuhhh, kam shumë merake, ‘dëshira’, por ndoshta falë profesionit që kam kaluar, këto dëshira ndoshta nuk i kam theksuar në jetë…Ndër pasionet e mija më të mëdha do cilësoja muzikën, librin. Kam interes për shumë gjëra, por pothuajse të gjitha ndërlidhen me artin.

Keni në plan ndonjë projekt, së afërmi?

Nuk ka shumë kohë që kam përfunduar së xhiruari një film të metrazhit të gjatë në regji të regjisorit anglez Mark Norfolk, nga produksioni kosovar Filamks me producente Makfire Miftari. Ishte kjo një eksperiencë shumë e mirë për mua, një rol që më ka pëlqyer dhe një bashkëpunim shumë i mirë me regjisorin dhe ekipin. Shpresoj shumë që do ketë sukses. Poashtu kam punuar edhe në një film të shkurtër me Erblin Nushin, regjisor nga Kosova që studion në Washington. Filmi flet për periudhën e luftës dhe është i bazuar në një përjetim personal të regjisorit. Producentët dhe shumica e ekipit kanë qenë nga Washingtoni; filmi ka përfunduar, jemi në pritje të festivaleve dhe pres që do të ketë sukses.

Si do ta përfundonim këtë intervistë, me një përshëndetje, urim, apo këshillim?

Për fund, do të doja të jepja një këshillë të gjithë njerëzve, që t’i japin kuptim dhe vlerë kohës që kanë në këtë jetë, për të qenë afër familjeve të tyre, afër të dashurve të tyre dhe për të besuar gjithmonë se nuk janë thjeshtë emra dhe numra, por janë qenie njerëzore që nëse mbajnë gjallë dashurinë dhe besimin, do të shpërblehen padyshim herët ose vonë./Telegrafi/