Arnida Çapi: Indiferentizmi përballë pabarazisë qytetare

Askush mos ta quaj veten të qytetëruar, nëse në kohën kur jeton, është indiferent ndaj pabarazisë qytetare. Qytetaria është barazi qytetare. Nga ky nocion moral dhe ligjor i të drejtës lind Përgjegjshmëria.

Të dashur bashkëqytetar të Tiranës, dhe të Shqipërisë,
Pak kohë kanë kaluar kur një grua u vra nga një mashkull, me diviacion psikotik maskilist etj. Një grua tjetër u hodh nga ballkoni me pasojë vdekjen për shkak të xhelozisë së burrit të saj.
Unë e quaj një turp për veten që kjo gjë ndodhi. Më vjen shumë turp që kjo gjë ndodhi në qytetin tim, dhe që unë bashkëjetoj me këtë gjë.

E kam të pamundur të mendoj për probleme të tjera sociale, ekonomike, të shoqërisë ku jetojmë, në një kohë kur në kohën e ekzistencës time si qënie humane e shek. 21, femrat të vriten nga meshkujt, të dhunohen nga burrat e tyre, të pengohen, kufizohen, të paragjykohen, e të tjera forma të dhunës fizike e psikologjike.

Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh, nuk janë raste të thjeshta kriminale, ku spektatorëve herë pas here i vjen keq. Ky është një fenomen që ndodh në shoqërinë shqiptare.
Nuk jemi aq larg njeri tjerit, që thjesht të tronditemi nga ngjarjet që na rrethojnë. Jemi 3 milion në një hartë në forëm pëllëmbe që e quajmë Shqipëri. E ardhmja jonë dhe e brezit të ri nuk është fare e largët, është kjo që po jetojmë, është edukata që fëmijët po marrin; është dhuna që nuk parandalojmë sot, është maskilizmi që përvetëson femrat si objekte apo si kafshë shtëpiake me aftësi të kufizuara; është lufta që duhet bërë e fortë nga të gjithë kundër këtij fenomeni.
Asnjë ekonomi nuk mund të jetë e shëndosh nëse në shoqëri ka dëme morale dhe ekonomike nga dhuna ndaj femrës.

Prandaj, nuk mund të flas sot as për TVSH që kërkohet të aplikohet për bisnesin e vogël. Nuk mund të pranoj asnjë justifikim se varfëria në familje është arsye për dhunë dhe se te rritja ekonomike do gjejmë luftën kundër dhunës.
Është njësoj si të themi, se ai burri, nga papunësia, kaloi ditën duke pirë raki, e pastai iku në darkë dhe rrahu gruan pas një sherri. Do gjejmë justifikime te rakia, te bixhozi, te xhelozia, te varfëria, te kotësia? Jo! Dhuna është dhunë, dhe asnjë shkak nuk mund të justifikojë atë. Kjo do të thotë, se as ne si shoqëri nuk duhet ta gjejmë si arsye ekonominë e papunësinë, emigracionin, e asnjë nga këto.
Arsyeja që ka dhunë në familje jemi ne që si shoqëri nuk kemi bërë asgjë. Ne e mbivlerësojmë shtetin, kur duhet të vlerësojmë shoqërinë.

Nga shteti, ne mund të presim gjithcka për administrimin e buxhetit nga pagesat tona, e mënyrës së ushtrimit të pushteteve. Edhe nga të zgjedhurit tanë ligjbërës, mund të presim më shumë në këtë drejtim. Por, kundër fenomenit të shoqërisë sonë të dhunës ndaj gruas e ndaj familjes, sepse gjithmonë ato janë bashkë, ne duhet të veprojmë si Shoqëri. Nëse ndryshimi i mentalitetit nuk vjen së brëndshmi, pra, nëse nuk ndërgjegjësohemi si shoqëri, asgjë nuk do ndyshojë në të vërtetë.

Shoqëria ka një shpirt dhe një mëndje. Është kohezioni i mëndjes dhe shpirtit të secilit prej nesh. Këto janë vlerat njerëzore që ka cdo shoqëri në botë. Ashtu ka qënë edhe Suedia, deri sa mëndja dhe zemra e atyre që proklamuan dhe luftuan për paqen, për barazinë, për të drejtat, për gratë, për kafshët, arritën te mëndja e atyre që ishte më e dobët, më e paditur, agresive, domethënë, më pak humane.

Lufta e madhe duhet bërë tani. Në cdo formë secili prej nesh duhet ti thotë një JO të madhe cdo rasti dhune, derisa standarti i vlerave tona morale mos të jetë e cënueshme nga asnjë ide e dhunës apo që e justifikon atë.