Arrestohet ithtari i Gylen në Durrës/ Erdogan e akuzon për komentet në Twitter

Shqipëria po bëhet gati t’i dorëzojë Erdoganit një ithar të Fetullah Gylenit, i quajtur Muhammed Yasir Aydoğmuş. Anëtari i FETO, grupi i shpallur terrorist në Turqi është 39 vjeç. Ai tentoi të kalonte në Itali, përmes portit të Durrësit me një pasaportë të falsifikuar. Deportimi në Turqi, do të bëhet për të gjithë familjen e gylenistit të arrestuar.
Për Aydoğmuş ishte në fuqi një mandat arresti ndërkombëtar. Ai do të mbahet në paraburgim në vendin tonë deri sa të plotësohen procedurat për riatdhësim.
Turku u arrestua në fundjavë. Dyshimet janë se ai është pjesë e organizatës gyleniste, që organizoi grushtin e shtetit në Turqi. Mendohet se është një nga administratorët e profilit në Twitter @fuatavni.
Llogaria në Twitter u hap në Shkurt të vitit 2014, menjëherë pas dy grushteve të dështuara të shtetit, dhe para grushtit të shtetit të 15 Korrikut të vitit 2016
Profili publikoi rregullisht vendime sekrete të qeverisë, duke përdorur informacionet që vinin nga njerëz të Gylenit në pika kyçe të administratës. Dokumentat që bezdisën Erdogan shoqëroheshin me kërcënime, ofendime dhe komente për presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Llogaria në Twitter shërbente si një armë e fuqishme për informimin e anëtarëve të organizatës së Fetullah Gylen.
Në Turqi janë arrestuar disa të dyshuar për administrimin e këtij profili në Tëitter, që ka shqetësuar Erdoganin.
FETO ka një rrjet të gjërë shkollash dhe kompanish në të gjithë botën. Bazën më të fortë e ka në Shqipëri, sipas ambasadorit turk Hidajet Bajraktar.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla e ka pranuar se disa prej organizatorëve të grushtit të shtetit në Turqi fshihen në vendin tonë dhe se për këtë ka disa hetime në vazhdim.
Vetë Erdogan ka lëshuar disa paralajmërime për vendosjen e FETO në Shqipëri. Në intervistën e dhënë për Top Channel pak kohë më parë ai i bëri thirrje prindërve shqiptarë të mos i çojnë fëmijët e tyre në shkollat gyleniste. Paralajmërimet e tij i ka bërë edhe për kryeministrit Rama dhe ish presidentit Bujar Nishani, se gylenistët mund të bëhen një rrezik për vendin në të ardhmen, dhe atëherë “do të jetë shumë vonë”.