Albspirit

Media/News/Publishing

Ikën Elvira Diamanti, Iris Elezi është drejtoresha e re e Arkivit të Filmit

Iris Elezi do të jetë Drejtoresha e re e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, duke zëvendësuar kështu aktoren Elvira Diamanti e cila prej disa vitesh mbante këtë post. Lajmi është bërë publik nga Ministria e Kulturës. “Pas përfundimit të procedurave të konkurrimit të hapur dhe publik për pozicionin Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës , referuar procedurave të ndjekura nga komisioni i ngritur për vlerësimin e dosjeve konkurruese Iris Elezi përmbush kërkesat në përputhje me kriteret e vendosura”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Iris Elezi është e njohur për lidhjen e saj me kinemanë. Ajo është regjisorja e filmit “Bota”. Elvira Diamanti e mbante postin e Drejtoreshës së Arkivit Shtetëror të Filmit që më vitin 2009. Ajo u emërua nga ish ministri i kulturës Ferdinand Xhaferri duke zëvendësuar ish drejtorin Artan Minarolli.

Tashmë një tjetër grua drejton AQSHF-në duke pasur parasysh që Natasha Lako ka qënë një ndër drejtorët e këtij institucioni ndër vite. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit u krijua në vitin 1947, në bazë të ligjit “Mbi shtetëzimin e kinemave”, sipas të cilit krijohej Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, fillimisht si një magazinë ruajtjeje për filmat e grumbulluara nga shtetëzimi i kinemave private.

Funksionet e tij ishin ato të një Kinemateke. Nga viti 1947–1996, Arkivi funksionoi si një nga degët e Kinostudios “Shqipëria e re”. Më 1 prill të vitit 1997, AQSHF shkëputet nga Alba Filmi, ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, dhe hyn në radhën e Institucioneve të tjera kulturore, me përgjegjësinë që të ruajë dhe të mbrojë veprat e artit të shtatë, si të konstitucionit të saj shpirtëror historik, ashtu edhe të huaj.

Sot AQSHF funksionon si institucion i pavarur shtetëror. Në 110 vjet kinema, llogariten rreth 11 milionë metra memorje të pasur filmike të depozituar në AQSHF.

Please follow and like us: