Irma KURTI: Dridhem si gjethe…

 

 Kushtuar nënës

 

Portreti në kornizë

 

Përballë apartamentit tonë të ri

parku shtrihet si qilim i blertë.

Hera herës trishtimi më mbulon

kur me dashurinë time shkoj atje.

 

Sa doje, Nënë, t’më shihje të lumtur,

do të jepja gjithçka të të kisha këtu!

Më pe të zhgënjyer, në kërkim

të ëndrrave që nuk i arrija kurrë.

 

Këtu do vendos TV, atje divanin,

eja e më jep një mendim, ku je?

Për kuadrat në mure, për mobiliet,

për lulet, për ngjyrën e perdeve.

 

Përgatis çantat, në heshtje vendos

dhuratat e tua, dhjetëra vite më parë,

i ruajte për këtë ditë që dot s’e arrite,

me përkushtim, si më të rrallin thesar.

 

Strehuar në kornizë, portretin tënd

do ta mbështes mbi një komodinë.

Të të shoh kur hap sytë çdo mëngjes,

të të uroj çdo mbrëmje: “Natën e mirë!”

 

S’mund të më japësh bekimin, Nënë,

brenda meje sa mllef kam e zemërim!

Me sa duket në këtë jetë nuk mundet

t’ekzistojnë shumë gëzime e lumturi.

                                                                                                                    

 

Dridhem si gjethe

 

Më  ndodh shpesh, gati çdo ditë

që nostalgjia më troket në shpirt

e pas çdo zileje të celularit, Nënë,

më duket sikur do t’më flasësh ti:

 

“Shpirt i mamit vishu, bën ftohtë,

mos u lodh, kujdes për veten ki!”

Ndihem e mbrojtur e s’kam frikë,

më transformon në fëmijë zëri yt…

 

Nëna ime nuk mund të kthehet më

e ndihem e dobët, e vetme në botë,

s’më përkëdhel dot me vështrim,

dashuri e saj s’mund të më shpëtojë.

 

Ka ikur, ka ikur, ka ikur pa kthim,

askush në zemër s’ma zëvendëson,

s’mund të ndajmë së toku një gëzim,

as një dhimbje dhe as një pikë lot.

 

Përjetoj gjithnjë ndjesi të çuditshme,

dridhem si gjethe vjeshte dhe pres

që pas çdo zileje të telefonit, Nënë,

zëri yt t’më ledhatojë si fllad i lehtë.