OKB: Homoseksualët torturohen në Azerbajxhan

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve në Azerbajxhan të hetojnë raportet për abuzimin e homoseksualëve dhe transseksualëve, përfshirë arrestimet arbitrare, keqtrajtimet, torturat dhe ekzaminimet e detyrueshme mjekësore gjatë kohës sa janë në paraburgim.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me bastisjet e policisë qysh në mes të shtatorit, në Baku, të cilat kanë çuar në arrestimin dhe paraburgimin e mbi 80 njerëzve që janë perceptuar si homoseksualë dhe transseksualë, ose që autoritetet kanë dyshuar se janë të përfshirë në punë seksi”, tha Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Po sipas saj, të arrestuarit u janë nënshtruar rrahjeve, poshtërimit dhe goditjeve elektrike.

Autoritetet në Azerbajxhan kanë thënë se arrestimet janë bërë pas ankesave për “oferta për shërbime seksuale për banorët dhe turistët në Baku”.