Panoramë mbi librin e Albert Zholit për Reshat Arbanën

Panoramë mbi librin e shkëlqyer të Albert Zholit për aktorin e madh të kombit tonë

Nga Kujtim Stana

Këto ditë të ngrohta plot diell tetori, pa u mbushur një muaj nga dalja në dritë e librit dinjitoz, monografi për Artistin e Popullit, të madhin Reshat Arbana, me autor shkrimtarin Albert Zholi, u ula të shkruaj disa mendime modeste, nga impresionet që më mbenë e më emocionuan si refleksione leximi.

Po festoja me  21 shtator, ditëlindjen e vajzës sime, Iliolës e mes gëzimit tonë familjar, u bashkua dhe ai i botimit të një libri shumë të bukur, mbresëlënës gjer në drithërim, thurur me nivel të lartë artistik, për një aktor të madh e të magjishëm që e bën krenarë gjithë kombin shqiptar, kudo që jeton nëpër botë.

Këtë libër me vlera të shumta, të autorit Albert Zholi, mik i mijëra libërdashësve, e lexova me një frymë, e mu duk se gjithë kohën, pikoi në mua mushtin e vjeshtës së praruar, më ëmbëlsoi e më dalldisi me muzë të hedh dhe unë disa rreshta mbi letër, siç më vijnë nga zemra, të mbeten të shkruara si një panorama e shkurtër, për tu lexuar nga cilido që ka dëshirë.

 

Dy fjalë për Albertin

 

Albert Zholi, është një shkrimtar shumëdimensionesh, produktiv dhe i sukesshëm. Ky autor, simpatik dhe ende djaloshar, ka botuar 22 libra, romane, tregime, poezi, monografi, publicistikë, etj. Ai ka realizuar mbi 3000 intervista, me njerëz të thjeshtë, punëtorë, të ndershëm e bujarë, brenda e jashtë vendit por dhe me personazhe të mëdhenj e të rëndësishëm, shkencëtarë, artistë, intelektualë në fusha të ndryshme, mjekë, ushtarakë, akademikë e shtetarë.

Alberti, është bashkëpunëtor i 16 gazetave, shumë revistave, televizioneve e radiove, ku njihet si një penë e fortë, zë i spikatur dhe mjaft i suksesshëm. Gjatë kësaj periudhe, shumë vite ka qënë drejtor, kryeredaktor dhe redaktor, pranë këtyre mediave. Albert Zholi,  ka redaktuar 115 libra të autorëve të ndryshëm dhe është moderator i dhjetra aktiviteteve letraro-artistike të zhvilluara, ndihmës i krijuesëve të rinj, shok e mik i dashur për gjithëkënd që e njeh.

Disa vlerësime për librin, Reshat Arbana, Artist i Popullit

 

1.Monografia Reshat Arbana, Artist i Popullit, ka vlera të mëdha letraro-artistike.

Ai është shkruar me frymëzim e pasion të furishëm, me një ndërthurje të përkryer të ngjarjeve, mjedisit e përndijimeve, duke skicuar bukur, prerë e qepur me penjtë e fjalës artistike, një kostum dhëndërror që i shkon për shtat aktorit tonë të madh e të shkëlqyer, jo vetëm fizikisht, por dhe shpirtërisht, ndaj fuqisë shprehëse e përcjellëse tek njerëzit të zërit të tij timbrik, epiko-dramatik, plastikës së mimikës, gjestikulacioneve, mendimit, urtësisë, burrërisë, fuqisë së mesazheve për shoqërinë në çdo rol të realizuar.

2.Libri ka vlera të larta kulturore

Kultura si nocion, përmbledh tërësinë e arritjeve të njerëzve në fushën e prodhimit dhe të zhvillimit shoqëror e mendor. Pjesë e kulturës njerëzore janë dhe, mënyra e jetesës, gjuha, traditat, doket, zakonet etj.

Të gjitha këto elemente të qenësishëm të kulturës, janë përshkruar, si në pjesët e librit ku flet autori, ashtu dhe në rrëfimin e sinqertë, të thjeshtë, pothuaj hyjnor, të artistit të mrekullueshëm Reshat Arbana. E gjitha kjo ndodh, falë formimit cilësor e pjekurisë së lartë artistike, të aktorit, inteligjencës e virtuozitetit të komunikimit, aftësisë për tu lidhur me spektatorin në skenë dhe filozofisë që përçon tek ato.

Brilante janë përshkrimet nga ana e artistit Arbana, të fshatrave pranë Tiranës, fshatit të tij nga e ka origjinën, e vetë qytetit të Tiranës, mënyrës së jetesës e të qëndrimeve të njerëzve në familjen e tij, fshatit emë tej, por dhe të takimeve e bisedave, me njerëzit e thjeshtë plot halle e vështirësi, që quhen popull.

Libri të rrëmben zemrën me gjuhën e pasur, të fisme, të ëmbël e ligjëruese,të mbush me emocione që përjetohen thellë e të bëjnë të ndjehesh vërtet mirë, për figura të tilla të rralla, rrezëllitëse që lartësojnë kombin.

3.Monografia ka vlera të mëdha mbi formimin artistik të një artisti të vërtetë.

Rruga e formimit të një artisti të vërtetë, është e gjatë e mundimshme dhe e pafundme gjer sa të ketë frymë. E ku mund të gjejmë shëmbull më të mirë e më të gjallë se ai i Aktorit të madh Reshat Arbana? Në këtë libër, faqe pas faqeje, ngjizet, lind e rritet madhërishëm figura e gjenia e artistit mahnitës, ditë pas dite, rol pas roli, gjer sa ngjit ballëlartë shkallët e altarit të artistëve të mëdhenj të Shqipërisë. Reshat Arbana, falë talentit e punës së madhe këmbëngulëse e të palodhur, për të përvetësuar sekretet e aktrimit, njohjes e futjes nën lëkurën e personazhit, teknikat e përçimit të tij te spektatori, si në teatër ashtu edhe në film, nuk harron të veçojë fatin e të falenderojë, aktorët korifej të mëdhenj të skenës shqiptare si Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Loro Kovaçi, Lazër Filipi, pedagogët Pandi Stillo e Alfred Uçi, regjizorët Pirro Mani, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Milto Zoto etj. Për të kuptuar më mirë përpjekjet që duhet të bëjë njeriu edhe pse i talentuar, për tu bërë aktor, mjafton të lexojmë mesazhin që paraprin në këtë libër, menjëherë pas kopertinës nga vetë Reshat Arbana.

4. Libri ka shumë vlera historike

Monografia për Reshat Arbanën, shquhet për vlera të veçanta historike, të rrëfyera me dashuri nga aktori i madh por me aq dashuri e ngrohtësi të trajtuara nga shkrimtari Albert Zholi sa që nuk mund të ndahesh pa mbresa.

Bien në sy historia e gjeneza e familjes së artistit, gjithë jetesa e sajë në kohështrirje, lindja, rritja dhe edukimi i Reshat Arbanës, kapërcimi i vështirësive, gëzimet, festat, dhimbjet që përjetohen, krijimi i familjes së re të aktorit, dashuria, martesa, lindja e fëmijëve, sukseset, lodhjet, sëmundjet, festat etj. Pjesa nga historia e luftës për çlirim zë një vënd me rëndësi në libër duke sjellur atmosferën e përpjekjet e popullit në ato vite. Ajo që spikat për fushën e artit, është historia e teatrit dhe filmit shqiptar, që në fillimet e para e deri në ditët e sotme, duke ravijëzuar magjinë e interpretimeve në dhjetra role në teatër e po dhjetra të tjerë në filma.

5.Vlerat e atdhedashurisë të librit

Reshat Arbana është një patriot me shpirt e zemër, me fjalë, punë e vepra.

Janë si këngë të zgjedhura më vete, rrëfimet mbi përjetimet e aktorit të madh, gjatë vizitave e interpretimeve që ka bërë në Kosovë, dashuria e tij e madhe, në Preshevë që ende është nën Serbi e vende të tjera, pa përmendur gjithë krahinat e Shqipërisë. Dëshira e tij për ta parë Shqipërinë të bashkuar, ende është e zjarrtë dhe kur flitet për këtë temë i shkëlqejnë sytë. Patriotizmi, lufta ndaj burokracive, shfrytëzuesëve të popullit, padrejtësive që i bëhen atij, spikat natyrshëm akoma dhe në poezitë që ai përzgjedh e interpreton me kaq zemëratë e art njëherësh.

Pas një apeli njerëzorë: …Kapuni pas vlerave e mendimeve pozitive…- së fundmi libri mbyllet me vlerësimet që kanë dhënë për gjigandin e skenës shqiptare, kolegët, shkrimtarët, personalitete të tjera të artit e kulturës dhe shoqërohet me foto të titulluara; Jeta në celuloid.

Me dashamirësi do sugjeroja se zëri i magjishëm i aktorit, Nder i Kombit dhe Artist i Popullit, Reshat Arbana, përveçse i shkruar, do të hynte në çdo vatër shqiptare dhe gjallërisht i dëgjuar, si një kushtrim shqiponje, po të shoqërohej dhe me një CD, me disa nga interpretimet më të zgjedhura e më të spikatura të tij.

Kjo monografi, e katërta për shkrimtarin Albert Zholi, me vlerat e mësipërme që mbart, dëshmon se ai ka sjellur një dhuratë të çmuar për lexuesit dhe letërsinë shqiptare, të shkruar e kompozuar mjeshtërisht, artistikisht dhe estetikisht, që të mbush me kënaqësi e krenari njëherësh.