Si bëhet që Turqia është ende anëtare e NATO-s?

Jordan Schachtel* – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dielën për suspendimin e lëshimit të vizave për qytetarët turq në misionet diplomatike amerikane (të cilit Turqia sakaq iu kundërpërgjigj) pasi qeveria turke arrestoi një sërë zyrtarësh të stafit të ambasadës amerikane në Ankara.

Pa i njoftuar autoritetet e Shteteve të Bashkuara, qeveria turke arrestoi Metin Topuzin, një shtetas turk që ka punuar në konsullatën e Shteteve të Bashkuara për mbi 3 dekada. Akuzat e diskutueshme kundër tij përfshijnë përbetimin me anëtarët e lëvizjes ndërkombëtare të Gylenit për gjoja rrëzimin e qeverisë, përcjell Konica.al.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan për vite ka kërkuar ekstradimin e kreut të lëvizjes Gylen, Fetullah Gylen (kundërshtari kryesor i Erdoganit), që jeton në Pensilvani.

I hakërryer nga përgjigjja amerikane ndaj veprimit jashtëgjyqsor të vendit të tij, Erdogan ka deklaruar të martën se ai nuk e njeh autoritetetin e ambasadorit amerikan në Turqi, John Bass.

Por ky është vetëm episodi i fundit në marrëdhënien e trazuar turko-amerikane. Si mysafirë, zyrtarët turq dhe sigurimi tregojnë pak ose aspak respekt për ligjet dhe sovranitetin amerikan.

Gjërat dolën jashtë kontrolli në maj, kur truprojat e Erdoganit sulmuan me përdhunë protestuesit paqësorë në Washington D.C, teksa po protestonin kundër politikave të Erdoganit dhe qeverisë në Ankara.

Kjo nuk është hera e parë që stafi i presidentit turk tregoi shpërnjohje të plotë ndaj ligjeve amerikane. Ata kanë përdorur disa herë me radhë taktika mujshare për t’i shtypur protestat paqësore, siç bën edhe në fund të muajit shtator jashtë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në Turqi, shteti i dikurshëm sekular, vazhdon trendi drejt përqafimit të plotë të autoritarizmit islamik.

Nuk ka mbetur shumë prej republikës së themeluar nga Mustafa Qemal Ataturku në vitin 1923. Referendumi i prillit i dha praktikisht Erdoganit fuqi të pakontrolluar, duke i hedhur mënjanë kontrollet dhe drejtpeshuesit themelorë dhe mbrojtjen themelore të të drejtave të njeriut.

Që nga i ashtuquajturi grusht-shtet i Gylenit në vitin e kaluar, Erdogani ka arritur nivele diktatoriale të fuqisë, duke urdhëruar burgosjen e dhjetëra mijëra akademikëve, pakicave fetare, veprimtarëve, gazetarëve, studentëve, dhe të tjerëve që shihen si kërcënim potencial ndaj tiranisë së tij të harlisur.

Në vend të ripërtëritjes së marrëdhënieve me aleatët e NATO-s, Turqia është afruar me vendet që kërkojnë të gjunjëzojnë Perëndimin.

Ka krijuar partneritet me Iranin dhe Irakun për të shtrënguar kurdët që të nënshtrohen, duke i bashkërenduar veprimet ushtarake me regjimin teokratik në Teheran për të zbythur mundësinë e një shteti të ri të lirë në Lindjen e Mesme. Ankaraja ka shtuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, shemra kryesore e NATO-s.

QEVERIA TURKE ËSHTË MBËSHTETËSE E HAPUR E LËVIZJES XHIHADISTE GLOBALE ‘VËLLAZËRIA MYSLIMANE’ DHE EKSPERTËT POHOJNË SE ANËTARË TË LARTË TË QEVERISË PO PËRKRAHIN GJALLËRISHT ISIS-IN.

Veprimet dhe retorika e tyre e vazhduar antiamerikane është e pamundur të fshihet nën rrogoz. Para nisjes së një operacioni në Siri, forcat speciale turke janë parë në kamera, duke provokuar ushtrinë amerikane në turqisht “Prisni për ne, Xhonë amerikanë, ne po vijmë t’ju marrim”.

Si anëtare e NATO-s, Turqia ka qasje të veçantë në informacionin e ndjeshëm në lidhje me armiqtë e Perëndimit. Turqia tashmë ka shpërdorur këtë privilegj, duke kërcënuar në korrik që t’i zbardhë vendndodhjet e klasifikuara të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara që veprojnë në Lindjen e Mesme.

Në cilën kohë anëtarët e NATO-s do të thonë që tani është mjaft, dhe ta shqelmojnë për jashta Aleancës kërcënimin e autoritarizmit islamik?

*Jordan Schachtel është korrespondent i sigurisë kombëtar në Conservative Review.

 

Përktheu Salih MEHMETI