Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: Tahiri ka video të përfshirjes së Ramës në trafik droge

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përgëzuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shërbimet inteligjente dhe partnerët e huaj për operacionin në Babicë të Vlorës ku u sekuestrua rreth 4.5 ton kanabis sativa.

Në një deklaratë për mediat nga oborri i selisë së PD, Basha i kërkoi Prokurorisë që të veprojë me shpejtësi pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali dhe të vendosë para përgjegjësisë ish-ministrin Saimir Tahiri si të implikuar në këtë çështje.

“Dua ta nisë me një përgëzim për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, SHISH dhe partnerët që bënë të mundur kapjen e një sasi droge në Vlorë, pronë e klanit Habilaj-Tahiri dhe t’ju bëj thirrje organeve të veprojnë pa vonesë për vënien para përgjegjësisë të autorëve. Pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali, Prokuroria duhet të veprojë pa vonesë, të vërë prapa hekurave të gjithë anëtarët e këtij klani të rrezikshëm mafioz, duke nisur me Saimir Tahirin”, tha kreu i demokratëve.

Por, Basha kërkoi me ngulm që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen pasi është ai përgjegjësi kryesor për gjendjen në vend dhe ka qenë në dijeni të të gjitha veprimeve të Tahirit.

Kreu i PD deklaroi se tashmë Rama dhe Tahiri po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të shpëtuar, ndërsa bëri një diversion kur tha se ish-ministri i Brendshëm posedon prova për përfshirjen edhe të kryeministrit Rama.

“Tahiri disponon video dhe fakte për përfshirjen e Edi Ramës në trafik droge. Edi Rama e ka jetike marrëveshjen me Saimir Tahirin dhe të dy të shpëtojnë paq dhe të vazhdojnë të menaxhojnë milionat”, u shpreh kryedemokrati.

Lulzim Basha sulmoi edhe kreun e Policisë së Shtetit Haki Çako, që sipas tij sot u mundua të spostonte vëmendjen me shkarkimet e drejtuesve në Policinë e Elbasanit.

“Dua të dënoj përpjekjet e Haki Çakos për të tërhequr vëmendjen nga ky operacion i suksesshëm që u zhvillua me sukses për shkak të izolimit nga segmentet  e korruptuara të policisë. Ka kaluar një muaj kur opozita denoncoi me revoltë të madhe ngjarjen e tmerrshme të Elbasanit. Veprimet e Haki Çakos sot nuk janë thjesht të vonuara, ato janë pa vend. Haki Çako në mos duhet të ishte dorëhequr, duhet të ishte shkarkuar. Katër tonëshi i kapur sot është maja e ajsbergut”, u shpreh Lulzim Basha.

Please follow and like us: