Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi në Kretë, finalja e marrëdhënieve shqiptaro-greke?

Mentor Nazarko

Këto ditë është bërë i njohur lajmi se ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kocias, do të takohen në Kretë për t’i shtruar në tavolinë çështjet me peshë që janë trashëguar nga historia, por edhe ato aktuale që ndikojnë në përditshmërinë e individëve.

Kjo është një lëvizje befasuese që parathuhet prej javësh, në një përpjekje për të përgatitur opinionin publik për diskutimet më delikate në historinë e të dyja vendeve.

Ky takim në Kretë, në truallin e romaneve të Nikos Kazantakis aty ku si një fanitje të ëndërrt përthyhen siluetat historike të arvanitëve, rajasë greke dhe zaptijeve osmane, në mbamendjen tonë shkarazi asocion me takimin e Nanos me Millosheviçit në vjeshtën e vitit 1997.

Së pari, gëzon fakti që të dyja palët po bëjnë përpjekje të përqëndruara për t’iu dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve që pezullojnë dhe rëndojnë frymën e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës (prej çështjes së pronave, ligjit të luftës, pensioneve të shqiptarëve në Greqi e deri te një Traktat i Miqësisë).

Së dyti në një gjykim kohor, ngjarja ndodh në një koincidencë aspak të rastësishme ngjarjesh në rajon: ky takim i paralajmëruar ndodh sapo ka filluar punën qeveria Rama 2, në të cilën nuk ka përfaqësuesë të PDIU, një subjekti që zëronte interesat e komunitetit çam.

Për herë të parë, kjo parti nuk ka ndonjë përfaqësim në qeveri, ndonëse dy deputetët e saj kanë shfaqur animin kah shumica.

Vlen të përmendet se ky takim e gjen Shqipërinë në kohën më kritike të kahëzimit të saj strategjik, sidomos tani kur dëgjohen tik-taket e vendimit pozitiv ose negativ për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

I parë në këtë dritë, ky takim shqiptaro-grek e rrit në njëfarë mënyre presionin grek mbi Shqipërinë, por edhe përgjegjësinë e Tiranës mbi atë çfarë do të prodhohet nga këto bisedime.

Ka edhe disa konsiderata të tjera që nuk kanë marrë vëmendjen e duhur:

Konsiderata e parë është që Gjermania, si lokomotiva tërheqëse e Bashkimit Evropian, ka një autoritet të reduktuar ndërkombëtar si pasojë e zgjedhjeve lokale. Kjo mund të shpjegojë mungesën e një lloj ndikimi protektiv të Berlinit për Shqipërinë apo presionin ndaj Athinës që t’i ndalojë përpjekjet e saj shantazhuese.

Nëse do të zhvendoseshim tej Evropës, edhe në Shtetet e Bashkuara vazhdon periudha e tranzicionit deri në përplotësimin e vendeve kyçe në Departamentin e Shtetit, që i jep formë dhe drejtim politikës së jashtme të Uashingtonit zyrtar. Këtu mund të përmendet mungesa e ish-zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, ose ‘buldozeri i diplomacisë amerikane’ siç përmendej llagëpi i tij nga media të caktuara, apo prania e tij si ambasador në Athinë.

Në një kontekst të tillë rajonal dhe botëror do të zhvillohet takimi shqiptaro-grek në nivel të ministrave të Jashtëm.

Duhet të thuhet se këto negociata janë paraprirë nga pozicionime të forta të presidentit Pavopulos për çështjen e pakicës greke në Shqipëri, por edhe ndaj Kosovës (pas kërkesës së presidentit Thaçi për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me pasaporta shqiptare).

Në gjykimin tim, këto deklarime me dozë të dukshme të kushtëzimit mund të përbëjnë një ‘upper hand’ për palën greke gjatë diskutimeve në Kretë.

Kjo është hera e dytë që kreu i shtetit grek, në mënyrë aspak diplomatike, i përdorë këto ndërkëmbëza në raport me Shqipërinë (duke filluar nga çështja e Himarës dhe planit të saj urbanistik, ligjin mbi pakicat në Shqipëri apo raportet me Kosovën).

Në një kontekst të tillë, me ngarkesa të theksuara, do të zhvillohen negociatat që do të kenë një rol të dorës së parë në marrëdhëniet rajonale të Shqipërisë.

Në këtë kuptim, Ministria e Punëve të Jashtme mbi supet e saj ka një përgjegjësi historike, e cila kërkon shfrytëzim të të gjitha resurseve të brendshme dhe të jashtme.

Pra, duke njohur kompleksivitetin e negociatave që zhvillohen në një sfond të jashtëzakonshëm presioni dhe faktorësh të tjerë të ndërliqshëm, pala shqiptare do të duhej të urëzonte një dialog me grupe të caktuara të interesit, por edhe me konsulentë ndërkombëtarë, për të dalë sa më faqebardhë nga ky takim.

Në diplomacinë greke, që në të vërtetë është nismëtarja e këtij takimi, ka ngadhënjyer  ideja e hedhjes në tavolinë të të gjitha çështjeve që kanë rënduar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Se në sytë e diplomacisë greke faktori shqiptar po shihet në totalitetin e tij shërben edhe analiza e Fondacionit Grek për Politikë të Jashtme Evropiane, ELIAMEP, që grumbullon ish-diplomatë me përvojë të gjatë.

Sado që vlerësimi i këtij fondacioni qëllon në shenjë kur evaluon shqiptarët si një tërësi në Ballkan, propozimi i tij që njohja e Kosovës të këmbehet me marrëveshjen e parë për detin ndërkall një sërë problemesh jo të vogla.

Së këndejmi, ministri Bushati duhet të jetë i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, për shkak të përgjegjësisë historike që mbart një takim i tillë.

Fakti që në tryezë do të shtrohen probleme me një historik thuajse njëshekullor nënkupton që edhe zgjidhjet (nëse mund të arrihen) duhet të jenë largvajtëse.

Në anën tjetër, edhe opozita shqiptare nuk duhet të luajë shurdhmemecin, por duhet të ndihmojë shtetin që të ndihet i fortë dhe kompakt në lidhje me çështjet madhore të politikës së jashtme.

A është takimi i Kretës një finale? Ngjan si i tillë. Por si në sport, mbase do të ketë kampionate dhe finale të tjera. Ajo çka luhet peshon peshon mbi 100 vjet histori! /Konica.al

Please follow and like us: