“Dritëhijet e Polifonisë” një libër me mesazh historik

Albert Z. ZHOLI (shkrimtar-publicist)

Polifonia është një këngë magjike, hyjnore, gjithë muzikalitet, befasi, rrëqethje,  lehtësim shpirtëror, harmoni zërash që barazohet me tingujt qiellorë. Tingulli i saj, fuqia e përhapjes, i ngjan një shpërthimi vullkanik, që ndriçon dhe gjallon çdo qenie njerëzore.  Me Polifoninë, Shqipëria, i ka dhënë njerëzimit dhe gjithë botës muzikore, një pasuri botërore unike, specifike, tejskajshmërisht të pa përsëdytur, e të pa krahasueshme. Nuk gjendet dot një shembull tjetër identik në gjeografinë e botës, si Polifonia shqiptare, apo kënga shqiptare, vendçe. Vendimi i UNESCO-s, i marrë në 25 nëntor 2005, duke evidentuar vlerën e papërsëritshme të saj, ka treguar modernitetin, origjinalitetin, përkatësinë, vendlindjen  e Polifonisë  dhe pa zëvendueshmërinë e saj. Kënga labe, është nga rastet e veçanta për të mos thënë e veçantë në botë e cila në vend të veglave ka vetë njeriun dhe frymën e tij, të dalë nga shpirti, që në çastin e këngës është i mbushur me dhimbje apo gëzim, me dashuri apo urrejtje. Në përgjithësi ata që nuk e njohin mirë këngën labe dhe mesazhin e saj, u krijohet përshtypja se, të gjithë këngët janë njëlloj, sikur zërat janë të njëjtë, sikur tingulli del i standartizuar . Një marrës, një  prerës, një kthyes dhe disa të tjerë që mbajnë iso. Por nuk është kështu. “Kënga labe është një mozaik ngjyrash zëror, shprehjesh shpirtërore, zërash të harmonizuar të akorduar veç e veç si në një orkestër simfonike që çdo vegël luan rolin e saj, dhe plotëson një hapësirë në botën e madhe të këngës, sipas tematikës dhe zërave. Është krejt e thjeshtë të dallosh dhe të marrësh mesazhin që ajo dërgon. Ndarja e specifikuar e tyre sipas qëllimit që ka është e dukshme. Një këngë kurbeti, udhëton mbi nota minore monotone me një thirrje të mbytur e të dhimbshme, shoqëruar me tekstin prekës e melankolik. Një këngë dashurie i ngjan flladit dhe isoja   dridhjes së petaleve të trëndafilit në çastin e hapjes për lulëzim të plotë. Në një këngë trimërie ritmi dhe pesha e fjalës është një kushtrim i vërtetë, bukurinë e së cilës vetëm kënga labe mund ta shprehë “Në gjininë e saj”- thotë z. T. Mërkuri. Pra, kënga labe është bota shpirtërore, politike dhe ekonomike e ngritur në art, apo dhe në humor,  në mënyrën më të specializuar dhe konkrete. Këngët janë nga më të ndryshmet, herë të qeta, herë të serta, herë të ëmbla, herë të rrëmbyeshme, herë të mugëta, herë të shpejta, herë këngë dashurie, herë trimërie, herë heroizmi, patriotike,  herë të rrëmbyera, të ngadalta. Në raste të veçanta ato janë  si vetëtima të ëmbla, por dhe si një lëndinë mes bukurisë së luleve të porsaçelura. Por nuk mund të mos i përmendim si këngë vaji që kullojnë dhimbje apo këngë gazmore dhe harmonie. Gjithfarë llojesh mund të jenë këngët e grupeve, por Polifonia  është vetëm një, hijerëndë dhe madhështore si vetë qielli që mban shqiponjën dykrenore,  një këngë që fluturon dhe gjëmon si qielli në shtrëngatë dhe deti në murrlan. Por një gjë është e vërtetë, Polifoninë jo kushdo e këndon dhe iso ju kushdo mund të mbajë. Ajo ka lindur bashkë me tokën, me qumështin e saj, në trevën e Labërisë dhe Toskërinë shqiptare.  Ka dy mijë vjet e më shumë që valëvitet ky flamur-kënge. Pra shumë shekuj më parë, në truallin e Labërisë, Toskërisë shqiptare, krahas monofonisë, dalëngadalë po kristalizohej një formë tjetër e ndërgjegjes artistike muzikore të banorëve vendas të saj, Polifonia. Nocioni «Polifoni» vjen nga greqishtja “poli” (shumë), “foni” (zë), tingull, d.m.th., shumë zëra, shumë tinguj, shumë melodi. Ndërsa e shqipëruar qysh kur lindi, kjo këngë do të thotë vendçe.  Ndaj kështu duhet ta thërrasim. Ajo simbolizonte shfaqjen kryesore të jetës muzikore të kësaj krahine, në mos të vetmen, pasi kënga polifonike labe është ndër dëshmitë më elokuente të popullit, të hershmërisë së tij. Duhet evidentuar se, në të kaluarën, kultura muzikore polifonike labe është krijuar, interpretuar e përjetuar kryesisht në mjedise të ngushta, familjare, fisnore, fshati, zone dhe shoqërore. Por, me kalimin e kohës, ajo nisi të dalë nga mjedise të tilla vetëm pas gjysmës se dytë të shekullit të kaluar. Kultura muzikore polifonike labe është shquar gjithmonë nga një gjallësi, vërtetësi, rrjedhshmëri dhe densitet i madh. Duke pasqyruar aspekte të ndryshme të historisë dhe të jetës së labëve, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm artistiko-estetik. Në këtë mes, pa dyshim që ndikon edhe mënyra kolektive e interpretimit.  Sipas, Prof. Spiro Shitunit:   “Polifonia shqiptare është realisht një ndër supervlerat e folklorit muzikor shqiptar por dhe të traditës botërore folklorike në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo toskë, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit.  Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat zërave të cilat shprehin në thelb strukturën e Polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit”. Por sot Polifonia rrezikon shumë dhe nga turbo-folku që është një virus që po shkatërron sot institucionet shtetërore, ku duket se janë harruar vlerat e traditës dhe kulturës folklorike shqiptare. Edhe pse të konsideruar si pasuri të rëndësishme të popullit shqiptar, ato nuk janë në vëmendjen e institucioneve, të cilat edhe pse rrallë investojnë një aktivitet muzikor me bazë folklorike, harrojnë që këto vlera kërkojnë shumë më tepër vëmendje. Sot, kujdes për polifoninë kanë vetëm bartësit e saj, ndërsa institucionet shtetërore për shumë interpretues të saj nuk dihet se ku janë. Nga ana tjetër, ka mëse 12 vjet që po diskutohet termi Iso-Polifoni! Ndodhur para një fakti të tillë, emërtimi i këngës polifonike shqiptare, në përcaktimin e sotëm me termin “Iso-polifonia”, në UNESCO, ka shqetësuar opinionin kulturor e shkencor të etnokulturës shqiptare, studiues, bartës, specialsitë, dashamirës, folkloristë dhe korifenjtë e këngës polifonike në mbarë vendin e më gjerë. Mbi bazën e deklarimeve të më shumë se 19 personaliteteve  të muzikës dhe artit dhe 18 shoqatave që përcjellin këtë këngë, u shtrua një kërkesë për ndryshimin e emrit nga Iso-polifoni në “Polifonia shqiptare” drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Kryeministrit. Në mbrojtje të termit Polifoni, në simpoziumet dhe konferencat shkencore që janë zhvilluar për polifoninë, profesorët tanë të shquar si; Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Spiro Shetuni, Afërdita Onuzi, Agron Xhagolli etj, kanë thënë mendimin e tyre për autoktoninë dhe zhvillimin e polifonisë shqiptare dhe jo Isopolifonisë…  Ata kërkuan korrigjimin publik për të vënë në vend dinjitetin e kësaj pasurie etnokulturore të papërsëritshme. Në një sesion shkencor në ditët e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar “Bylispolifonia 2012” specialistët e fushës miratuan një promemorie dhe kërkuan rishikimin e emërtimit të polifonisë shqiptare. Por ende ky emërtim nuk ka marr rrugën e zgjidhjes. Polifonia pret pagëzimin real. Ajo duket e mpakur në këtë tjetërsim. Në përcaktimin e emërtimit duhet të bazohemi tek historia, tek fenomeni, trashëgimia, lashtësia  dhe jo tek përplasjet apo dëshirat individuale. Duhet të jemi gjakftohtë në gjykim dhe real në vlerësim, pa inate, mllefe dhe grupime.  Të gjithë kemi synim të njëjtë: Ta ruajmë dhe ta forocojmë këngën vendçe, ndriçuesen e folklorit arbëror, si thesarin më indentar, më specifik, më të kulluar, më historiktregues, që na dallon pa mundim, në mes të 196 shteteve të Botës.