Albspirit

Media/News/Publishing

Alfred Lela: Rreziku portal-tropojan për Shqipërinë

80 gradëshi i Edi Ramës, Saimir Tahirit, deputetëve dhe eksponentëve të Partisë Socialiste, mund të ketë disa arsye. Ai ka ndodhur dhe, le të merremi me dukjen, apo me atë që prodhoi ai rrethrrotullim. Tahiri doli nga përvujtnia dhe nga ‘faza e parë e mbrojtjes’, shpalosur në emisionin Opinion dhe përqendruar kryesisht te motive që synonin dhembshurinë e publikut, të tilla si ‘unë nesër do jem në burg’ apo ‘im bir’, etj. Mëngjesin e së premtes, Tahiri doli nga ngashnjimi dhe tregoi kthetrat. Në seancën dëgjimore në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, ai disa herë u kthye nga subjekt i shqyrtimit në prokuror. Tonet e ngritura ndaj përfaqësuesve të akuzës dhe breshëria  e pyetjejve tendencioze për ta, kishte synimin, si të intimidimit ashtu edhe të shpalosjes, për të gjitha audiencat e interesuara, të një strategjie të re të mbrojtjes dhe të komunikimit. I pritur nga mbështetësit në dalje, në stilin e John Gotti-t, ai përsëriti edhe njëherë batutën, tashmë ikonike, të shet të tij ‘nuk keni parë asgjë akoma’. Kësaj here u përpoq t’i jepte një teh të ri frazës, duke u munduar të linte pas fjollën e një kuptimi që rrëfente se, herën e parë, nuk e kishte pasur me Ramën. Vetë nevoja e një sqarimi vërteton të kundërtën. Atë se, në fakt, e kishte pasur shigjetë për Ramën atë kërcënim të paketuar butë si batutë. Kolegët e tij në sallë dhe njerëzit e komunikimit në parti e qeveri, po përpunonin ndërkohë dy shtigje të tjera propagandistike për t’i dalë zot Tahirit. Ulsi Manja, por edhe të tjerë, e përsërisnin me nervozizëm dhe përçmim, fjalën kyç të ligjërimit të tyre të ri ‘gazetat dhe portalet’. “Nuk mund të merren si fakte ca gjëra të botuara në gazeta dhe portale”, recitonte deputeti socialist nëpërmjet nofullash që ia bënin shqiptimin të ngjante si rrokullimë. Ky qëndrim përbën një kërcënim të dyshtë: njëri rrjedh nga injoranca dhe tjetri nga shpërllja për institucionet e demokracisë, ku hyn padyshim shtypi i lirë. Injoranca është më e padëmshmja, por edhe ajo shpjegon diçka nga këta zuludeputetë të Republikës. Dy gazetarë, Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të Washington Post, kanë çuar drejt dorëheqjes, fundit të karrierës politike dhe turpërimit publik, një President amerikan, Richard Nixon-in. Padyshim, ne nuk e kemi  as atë lloj gazete dhe as atë kalibër gazetarësh, por edhe nixonët që i kemi, i ngjajnë origjinalit vetëm te oreksi për mashtrime dhe shkelje, dhe në asgjë tjetër. Sa i takon shpërlljes së institucionit të shtypit, ky është një tekst që ulsinjat e Tobozës socialiste e kanë mësuar nga she i kuzhinës qeveritare. Nuk janë vetëm gazetarët dhe shtypi për t’u linçuar dhe përçmuar. Më të këqij se ata janë tropojanët. Axhenda e mediave proqeveritare u zhvendos në këtë drejtim: reduktimi i përfaqësuesve të akuzës së Republikës në ‘tropojanë’ së pari, dhe ‘kushërinj’ të Berishës, së dyti. Italianët u harruan. Çfarë kemi për të thënë për ta?

Please follow and like us: