Bjellorusia boton ‘Kronikë në gur’ të Kadaresë

Ismail Kadare vazhdon të përkthehet e të lexohet me ëndje në vende të ndryshme të botës.

Libri “Kronikë në gur” i Kadaresë sapo është botuar edhe në Bjellorusi. ‘Kronikë në gur’ është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë dhe flet për qytetin e Gjirokastrës e traditat e saj.

Libri është botuar në vitin 1971, ndërsa vetëm këtë vit vjen në Bjellorusi dhe është përkthyer nga Maksim Mudrou. Kjo është edhe kopertina e librit në Bjellorusi, sjellë nga Shtëpia Botuese “Janushkeviç”, shkruan KultPlus.

Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij.

Po sjellim poshtë fragment nga libri, leximi i të cilit është i domosdoshëm për të njohur Kadarenë dhe një prej periudhave të arta të tij si shkrimtar.

“…Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë së babazotit gjersa të më takonte. Në vërtitjen e saj kishte diçka prej fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo ishte më e madhë se unë, e hollë, me flokë të gjatë, që i krihte vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë vajzë apo djalë tjetër të vogël. Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis të mëdhenjve. Ajo mërzitej në shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej në mesditë, mërzitej në mbrëmje, bile dhe në mëngjes. Me një fjalë mërzitej jashtëzakonisht. Këtë fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte nga goja me një kujdes të veçantë, sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur me dhëmbë apo me gjuhë…”.