Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Nihilzmi ndaj Kadaresë, si dukuri e anarkisë së vlerave tona

Image result for yzedin hima

Në fillim të viteve ’90 lexuesit qëndronin para kioskave duke lexuar kopertinat e librave dhe vrisnin mendjen për të kujtuar emrat e këtyre poetëve apo shkrimtarëve, me të cilit nuk qenë familjarizuar. Në ato vite nisën veprimtarinë e tyre mjaft shtëpi botuese private. Në to u paraqitën dorëshkrime të zverdhura nga koha e gjatë e pritjes, por edhe dorëshkrime ende pa u tharë boja. Librat e pare që dolën në qarkullim shiteshin në tezga e kioska gazetash, madje edhe në trotuare.Vërshimi qe i papërmbajtshëm.Tani nuk kishte më censurë, as politike, as artistike. Ethet e botimit sollën në vitrinat e librave tekste të poetëve dhe shkrimtarëve të dënuar, të cilët sapo qenë kthyer nga burgu apo internimi, tekste që qenë dënuar dhe ndaluar për shkaqe ideologjike, tekste që nuk plotësonin kriteret për botim të vendosura nga shteti në dy shtëpitë botuese shtetërore, tekste nga gjithfarë grafomanësh, që në kaosin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, menduan se erdhi koha të zinin edhe ata një vend nga përmbysja e madhe që po ndodhte.
Kaloi një çerek shekulli dhe dalëngadalë relievi i letërsisë shqipe, ose i letërsisë që shkruhet në Shqipëri, sepse letërsia është një, si ajo që shkruhet në Shqipëri, Japoni, Amerikë, Afrikë apo gjetkë, nisi të çmjegullohej. Të zhgënjyerit e parë qenë ata që menduan se me rënien e diktaturës, do të binte gjithçka, që u krijua gjatë asaj periudhe të errët në historinë e Shqipërisë. Ata vunë re se në relievin e kësaj letërsie qenë shfaqur maja të tjera, që dikur mungonin për shkaqe joletrare. Këto maja të teksteve letrare, sidomos në tekstet poetike, mbanin emrat e Arshi Pipës, Ernest Koliqit, Visar Zhitit, Martin Camajt, Zef Zorbës, Frederik Rreshpjes, Mihal Hanxharit, Jamarbër Markos. Tekstet e tyre e tronditën protokollin e ngrirë të hierarkisë së vlerave letrare e artistike, posaçërisht në poezinë shqipe të nyjëtuar sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Natyrisht qenë rrafshuar mjaft maja butaforike të shkrimtarëve ndjekës të bindur të parimeve të socrealizmit. Ndërsa sërish në relievin e letërsisë shqipe ndihej Hija e rëndë e teksteve letrare në prozë të shkrimtarit Ismail Kadare, por që për shkak të vlerave të saj letrare të çmuara tashmë ndërkombëtarisht, Hija vinte nga larg.
“Maja” qe zhvendosur në qendër të Europës dhe i qe bashkuar relievit europian dhe botëror të letërsisë, krahas shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë dhe gjithkohorë. Hija e rëndë, e kësaj letërsie, e njohur dhe e vlerësuar në dyzetë e ca gjuhë, tekstet e të cilës takuan dhe realizuan kuptimin në miliona e miliona lexues anembanë botës, krijoi kompleksin e tmerrshëm të inferioritetit te mëtonjësit, të cilët u gjendën në pozicionin egzistencialist të personazhit migjenian përballë “malit që s’bzan”. Personazhi i Migjenit ndihet i pafuqishëm ndaj dhunës së malit, ndërsa mëtonjësit tanë ndihen krejt njëlloj të dhunuar nga Hija e veprës së Kadaresë. Hëna e tyre (fati) nuk u shfaq, edhe pas përmbysjes së madhe të viteve ’90.
Në Jug të vendit ka një këngë polifonike që fillon me vargjet: Ulu mal të dali hëna! Me tepër se urdhër, është një lutje, që del nga thellësia e shpirtit për të takuar “hënën”, domethënë fatin. Lutja i drejtohet Malit, ndërkohë, që duhet t’i drejtohej Hënës (fatit), që të ngrihej lart dhe të kapërcente malin. Absurdi në këtë tekst popullor është te mungesa e shpresës, ngaqë hëna nuk ka mundësi të shfaqet dhe mali që e ka të pamundur të ulet. Është, ndoshta, kënga më e dëshpëruar e polifonisë në Jug. Ky lloj dëshpërimi formon edhe polifononë e sotme kundër Kadaresë. Polifonisë i bashkohen edhe zëra të bukur e të pafajshëm, të cilët i duhen dikujt, që qendron në prapaskenë për të goditur qenien më të brishtë, shkrimtarin. Shpesh në këtë polifoni ngatërrohet njeriu Kadare me tekstet e tij. Lexuesi nuk lexon Kadarenë, por tekstet e tij, edhe kur përdor metoniminë dhe shprehet se lexova Kadarenë.
Brezi im është rritur me tekstet e Kadaresë në sy. Kur nuk kishim asnjë shpresë, kur nuk shihnim asnjë dritë në fund të tunelit, shfaqej Kadareja, me një metaforë, me një poezi, me një tregim, me një roman, krejt ndryshe nga letërisa zyrtare. Në romanin “Kronikë në gur” gjendet një paragraf që rrëfen se si hoxha i hipur në majë të minaresë në qytet kërkon gozhdën, të cilën ia hoqën njerëzit nga dora, ndërsa po nxirrte sytë e tij, ndërkohë që kolona partizane po i afrohej qendrës së qytetit. Hoxha kërkonte gozhdën për të nxjerrë sytë, sepse nuk donte të shikonte komunizmin! Është tronditës guximi i autorit dhe mbresëlënëse gjetja artistike për të treguar se u prit komunizmi nga një pjesë e qytetarëve shqiptarë.
Lexuesi i ri i sotëm nuk mund të përfytyrojë atë dritë që na mbushte shpirtin dhe përndrinte mendjen dhe që vinte pikërisht nga tekstet e Kadaresë. Letërsia e tij, në mungesë të tmerrshme të komunikimit me letërsinë bashkëkohore europiane e botërore, ka qenë shkolla jonë letrare. Tekstet e tij i pranëvinim pa mundim me tekstet e autorëve të shquar botërorë si Balzaku, Hygoi, Tolstoi, Çehovi, që për fatin tonë u lejuan të përktheheshin në gjuhën shqipe. Kundërshtia e tij nuk ishte vetëm estetike, në disa tekste e kapërcente këtë dimesion. Ne nuk e lexonim dot Kafkën në atë kohë, por frymën kafkiane të shndërrimit të njeriut nga dhuna, personazhin kafkian e takuam te romani i Ismail Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të endrrave”. Aroma e Perëndimit të munguar, aroma e lirisë ndihej në tekstet e tij.
Debatet letrare pro dhe kundër Kadaresë kanë qënë shumë më të forta në vitet ’80 se sa sot. Në atë kohë pro Kadaresë ishin përgjithësisht burrat, djemtë dhe vajzat që pëlqenin gjithçka perëndimore: mënyrën e jetesës, filmat, muzikën, modën, letërsinë etj, ndërsa kundër tij qenë reshtuar pothuajse të gjithë tarikati i lejfenëve, individë pa shije letrare, ose me shije letrare zhdanoviste, njerëz me mendje të ngushtë, sekretarë partie gjysmëanalfabetë, shefa kuadri në institucione dhe ndërmarrje shtetërore, sigurimsa, etj. Natyrisht, për shkak të mos njohjes, mund të këtë patur edhe disidentë politikë, të cilët mund të kenë patur rezerva për tekstet e Kadaresë, por janë jashtë njohjes sime. Ndërsa sot, për çudi, ata që ishin kundër Kadaresë në atë kohë heshtin, madje ndonjëri edhe shkruan pro tij, ndërsa shumë nga ata që nuk arritën të realizojnë ëndrrën e tyre për t’u bërë shkrimtarë të rëndësishëm, e sulmojnë. Disa syresh që kanë vuajtur në diktaturë i janë bashkuar polifonisë kundër tij dhe për këtë jam i keqardhur, sepse vetëm këta e njohin shijen e lirisë më mirë se kushdo, sepse dikur aq shumë u ka munguar. Kur lexon shkrimet e ndonjërit prej tyre kundër Kadaresë dhe teksteve të tij, nihilzmin asgjesues dhe intolerant, të kujtohet një varg i mrekullueshëm i poetit të burgosur nga diktatura Frederik Rreshpja nga poezia “Profetët e rremë”, që thotë: “Mjerë ju po i besuat çdo të kryqëzuari!”.
Dikush mund të ketë edhe përvojë të hidhur personale me njeriun apo publicistin Kadare, por kjo mëri kurrsesi nuk mund të marrë dimesionin e linçimit publik të shkrimtarit dhe teksteve të tij, që në fakt nuk përfaqësojnë më thjesht autorin. Dikush e sulmon Kadarenë për t’u shfaqur dhe për të dalë nga gropa e anonimitetit, dikush i mbërthyer nga kompleksi i inferioritetit, dikush për snobizëm.
Tekstet e Kadaresë i kanë dhënë gjuhës shqipe dimesione shprehëse të panjohura më parë. Ai është shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohrave dhe ndër shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë europianë e botërorë, pranuar gjerësisht nga lexuesi dhe studjuesit e letërsisë, shqiptarë dhe të huaj.
Ndonjëri mund të mendojë se në këto radhë ka një farë sentimentalizmi personal. Natyrisht që ka, por koha, redaktorja sipërane e vlerave universale, posaçërisht të atyre letrare, më jep të drejtë: shkrimtari Ismail Kadare ka fitur çmimet më prestigjoze letrare që ka bota dhe ka qenë dhe është kandidat i çmimit “Nobel.” Për vlerat e teksteve të tij kanë shkruar dhe shkruajnë gazetat dhe revistat më prestigjoze të botës dhe autorë të shkrimeve janë personalitete të fushës në rang botëror. Gjeografia e lexuesve të tij është universale.
Ne jemi një vend i vogël dhe kemi pak vlera, të cilat mund t’ia ofrojmë botës. Një nga këto vlera janë tekstet letrare të I. Kadaresë. Nëse vepra e tij do t’i mungonte letërsisë sonë, merret me mend varfëria e ofertës sonë në letrat dhe kulturën europiane e më gjerë.
Ismail Kadareja ka deklarur më shumë se njëherë që nuk është disident, është thjesht shkrimtar. Me deklaratën e tij duhet t’i kish mbyllur gojët e kundërshtarëve, të cilët nga akuza absurde se nuk je disident, kaluan te absurditeti pse nuk je disident. Kadare ka deklaruar se shkrimtari, për shkak se lë pas tekste të shkruar, është mjaft i brishtë për t’u goditur. Kjo, ndoshta, ka qënë deklarata më e sinqertë e tij, por që ra në veshë që nuk duan të dëgjojnë. Akuzatorët e tij në përgjithësi merren pak e aspak me tekstet e tij. Natyrisht, është në drejtën e tyre ta refuzojnë personalisht veprën e Kadaresë për shkaqe të parapëlqimeve të tyre estetike dhe në kritikën e tyre të shpjegonin këtë refuzim.Të kapesh pas ndonjë tatuazhi të socrealizmit në veprën e tij dhe të lësh mënjanë atë pasuri gjuhësore dhe artistike të pazakontë, duket sikur merr rolin e atyre gjyqtarëve të diktaturës, që sajonin akuza false dhe jepnin dënime ekstreme për intelektualët shqiptarë për një fjalë a një shprehje. Kur kam parë portretin e Stalinit, të realizuar me mjeshtëri nga Pablo Pikaso, jam troniditur, jo me fytyrën më kriminale të botës, por me artin e jashtëzakonshëm të Pablo Pikasos, gjeniut të artit pamor të shekullit XX dhe kurrsesi nuk më shkoi nëpër mend se Pikaso i ka shërbyer stalinizmit.
Ka një fatalizëm në historinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me vlerat e tyre fondamentale: ata shpesh kanë marrë pjesë në shkatërrimin e tyre, sikurse e shpjegon aq mirë në tekstet e tij Ismail Kadareja. Në fakt, Ismail Kadareja nuk duhet të ndihet fatkeq për përgojimin e tij, sepse Zoti e ka bekuar me talent të jashtëzakonshëm. Ai duhet t’i mëshirojë ata, ndoshta shumë më tepër se Dantja, i cili kundërshtarët e tij të Firences i dërgoi thellë në ferr, natyrisht në “Ferrin” e tij artistik.
Më kot rropatet Ismail Kadareja të shpjegohet dhe debatojë me përgojuesit e tij, ata kurrë nuk mund të merren vesh sepse, sikurse thotë Elias Canetti, palët jetojnë në sisteme të ndryshme vlerash dhe është e pamundur të merren vesh.
Gabimi i madh i Ismail Kadaresë, mendoj se është ulja nga maja e lartësisë së tij artistike drejt e në sofatet e sherreve tona, ku të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon, ku të gjithë shkruajnë dhe askush nuk lexon, ku të gjithë gjykojnë e askush nuk vepron. Në pikpamje të sherrit, po jo të artit, ai ka mbetur tipik gjirokastrit, tipik shqiptar, gati për t’u përfshirë në sherrnajën e radhës. Ende nuk e kuptoj grishjen e tij për të lënë qetësinë dhe vetminë ku të ngre arti i madh dhe nxitimin për të hyrë në shtjellën e vogël të sajimeve, të vërtetave të vogla dhe të parëndësishme shqiptare.

Please follow and like us: