Albspirit

Media/News/Publishing

2.2 milionë franga zvicerane për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit

 

Në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u firmos sot një marrëveshje përmes të cilës qeveria zvicerane jep një grant prej 2.2 milion frangash me synim përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit.

 

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Damian Gjiknuri, ambasadori Christoph Graf dhe përfaqësues të katër prej bashkive të këtij Qarku, respektivisht Petrit Sinaj nga Bashkia Berat, Selfo Kapllani nga Bashkia Kuçovë, Juliana Memaj për Bashkinë Ura Vajgurore dhe Nesim Spahiu për Bashkinë e Skraparit.

“Shqipëria përballet me një problem të madh kur vjen çështja tek trajtimi i mbetjeve. Dua ta bëj të qartë se ky projekt ndihmon për krijimin e një shembulli konkret se si mund të menaxhohen mbetjet në Shqipëri. Projekti do të ketë një fokus rajonal shumë specifik, por nëse do të kryhet me sukses mund të zbatohet edhe në rajone të tjera”, u shpreh ambasadori Christoph Graf.

Ministri Gjiknuri falënderoi qeverinë zvicerane për ndihmën që jep në trajtimin e një çështjeje problematike si mbetjet.

“Mendoj është zgjidhja e duhur trajtimi i mbetjeve në nivel qarku sepse nuk mund të ndërtojmë dhe nuk mund të financojnë landfille individuale për bashkim të vogla. Kjo është një qasje e integruar e mbetjeve urbane. Strategjia e qeverisë ka qenë që mbetjet urbane të grumbullohen në vende të caktuara ku do të trajtohen sipas zgjidhjeve përkatëse teknologjike”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Projekti do të zhvillojë kapacitetet e përgjithshme të autoriteteve publike për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, por në veçanti do të nxisë aftësitë për hartimin e politikave dhe skemave të financimit për përmirësimin e shërbimeve. Ai do të hedhë bazat për investimet e ardhshme të qëndrueshme infrastrukturore.

Përmes projektit do të mbështetet zhvillimi institucional i kapaciteteve, rishikimi i Planit Rajonal për menaxhimin e mbetjeve dhe përgatitja e Studimit të Fizibilitetit që synon masat e ardhshme rajonale të investimit. Synohet rritja e ndërgjegjësimit e informimi i publikut ashtu sikurse hartimi dhe zbatimi i masave afatshkurtra.

Please follow and like us: