Adrian Paci prezanton në Firence ekspozitën për migrimin

Uji, si një metaforë e lëvizjes, rrjedhjes, është edhe një mundësi për veprim dhe reagim. Kjo është ideja e artistit shqiptar Adrian Paci, i cili ka paraqitur ekspozitën personale “Për këto drita do të shërbejë nata”.

Ekspozita ka në qendër temat e identitetit dhe rrjedhjes, të shpërndara me intensitet dhe poezi. Ndjekja e historive personale, duke sjellë në mendje faktet e fundit të historisë dhe transformimet, kanë ndikuar që Paci të paraqesë përvojën e tij personale dhe të fokusohet tek migrimi dhe lëvizshmëria, si një kusht ontologjike, në një kohë në të cilën konceptet e shtëpisë dhe identitetit (kulturor, politik dhe shoqëror) vazhdimisht po vihen në dyshim dhe pikëpyetje. Ekzistenca interpretohet si një kërkim i vazhdueshëm, një lëvizje e përhershme dhe uji bëhet një metaforë e idesë së rrjedhjes dhe fluksit.

Adrian Paci është një nga artistët bashkëkohorë më të famshëm shqiptarë. I lindur në Shkodër në 1969, ai vazhdoi studimet për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Por pas përfundimit të studimeve, në vitin 1997 ai u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Milano ku sot jeton dhe punon. Brenda punimeve të tij, ku gjen piktura, instalacione, video, fotografi, ai zbulon gjendjen e qenies njerëzore në transit dhe kompleksitetin e dinamikës sociale, politike dhe kulturore të së tashmes.

“Ekspozita, “Për këto drita do të shërbejë nata”, ka lindur si një ndërhyrje që po i bëhet lumit Arno përmes veprimit të performancës, por pastaj puna spostohet drejt një reflektimi mbi dialogun dhe tensionin midis dritës dhe errësirës, midis sipërfaqes dhe thellësisë, midis të dukshmes dhe të padukshmes. Prania e njeriut është ai që e aktivizon këtë dialog, pa pretenduar për ta çuar drejt një përfundimi,” shpjegon Adrian Paci.

Ekspozita do të qëndrojë hapur nga 11 nëntor 2017 deri më 11 shkurt 2018, në Muzeun Novecento të Firences.