Albspirit

Media/News/Publishing

Finalizohet marrëveshja Shqipëri-Greqi për detin, drejt ‘sheshimit’ çështjet e tjera

Kanë vazhduar edhe gjatë mbasdites në ishullin e Kretës bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Mbasi janë pritur me këngë dhe valle në Lasithi, lokalitet pranë vendit ku mbahen bisedimet, emrin e sheshit të së cilës zoti Kotzias e ka pagëzuar me emirin “Europa” dy vjet më parë, të dy ministrat u janë rikthyer bisedimeve. Ndoshta për të theksuar pikërisht këtë aspekt, zoti Kotzias deklaroi se, “po vazhdojmë diskutimet për integrimin europian të Shqipërisë”. Bisedimet e mbasdites së të shtunës janë fokusuar në problemet e minoritetit grek që jeton në Shqiperi, si dhe do të diskutohet për pikat e mbetura pezull në marrëveshjet për të cilat palët kanë dakordësi ose qasje. Ajo çka tashmë quhet e përfunduar, sipas burimeve të Top Channel, është Marrëveshja e Detit. Pala greke ka pranuar se me marrëveshjen e viti 2009 Shqipëria humb sovranitet në territor ndaj dhe është rënë dakord që të ketë një ndarje të re. Pikërisht për këtë do të ketë referime të reja në terren, nga të cilat Shqipëria nuk do të humbë asnjë metër katror sipërfaqe. Duket se çështja e varrezave të të rënëve të ushtarëve grekë në Luftën e Dytë Botërore do t’i bashkangjitet listës së çështjeve të mbyllura mes dy vendeve. Pala greke insistoi se bëhet fjalë për një çështje humane, ndaj dhe si e tillë duhet të trajtohet. Për çështjet konsullore tashmë është rënë gjithashtu dakord dhe mbetet për të përfunduar formulën sesi do të aborgohet në praktikë edhe kjo çështje. Për ligjin e luftës, palët kanë sjellë me vete edhe ekspertizën ndërkombëtare, ndërsa pala greke ka hulumtuar me presidencën për mënyrën ligjore të heqjes së ligjit në fjalë. Për këtë temë ka një shqyrtim të presidencës greke, e cila ka vlerësuar se heqja e ligjit mund t’i bashkangjitet traktatit të ri të miqësisë, i cili do të formulohet në muajt në vazhdim.

Please follow and like us: