Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Kurrizin ua keni bërë sahan!

 Ju lutem mos! Mos hyni në gjynah me ne! Mos na e tregoni maskaradën që e fshihni pas asaj pelerine të thurrur me damarët e popullit!
Ju lutem ndaloni me këtë teatër të shpifur!
Po po, me ju e kam… Me ju, që i bëtë ato miliona në kurrizin e popullit! Me ju, që rrini bridhni nëpër botë dhe jashtë saj! Me ju që keni shtëpi në çdo shtet! Me ju që s’dini ku i keni lekët dhe sa keni! Me ju që flini sipër kallëpeve të lekëve! Mjaft! Mjaft me këto filma rënqethëse! Jo, para popullit ju përgjërohem!
Hallall ua kemi bërë gjithë ato miliona nën jastëk, poshtë krevatit e poshtë dollapeve!
Hallall edhe pushimet nëpër vendet më ekzotike të botës, sepse në fakt i meritoni. Ju jeni aq të lodhur nga trutë, saqë ju duhen patjetër ato pushime.
Hallall jua bëjmë edhe jetën luksoze tuajën, të gruas dhe të fëmijëve tuaj!
Hallall çdo gjë, veç moooos na i tregoni! Mos e tregoni kudo gjithë këtë luks!
E kam për të mirën tuaj. Sepse të gjithë këtë “përrallën” tuaj e ndjek me kërshëri edhe ai tipi që fle çdo natë aty te pedonalja. E dëgjon nga gojët e njerëzve që i kalojnë te këmbët, se ai s’ka bukë për të ngrënë jo të ketë televizor. Shkova shumë larg, ai nuk ka as shtëpi! Sa gjynah hëëë! Duke dëgjuar historitë tuaja të lekëve, shumat maramendëse, ai fillon t’ju ketë zili! Nga zilia do ju marrë msysh (kështu i themi ne nga Dibra). Nga syu i keq, ju ikin të gjitha lekët pastaj. Sepse thonë që syri plas gurin, jo më lekun që ta heq nga dora në sekondë. Dhe ju do humbisni pastaj. Po s’patë lekë s’ti hedh njeri sytë sot.
Prandaj mos hani më në sy të të varfrit, të popullit, se kurrizin ia keni bërë sahan!
Please follow and like us: