33 293 të vdekur në përpjekje për të arritur Europën, mes tyre edhe 404 shqiptarë

Gazeta gjermane  “Tagesspiegel” ka publikuar së fundmi një listë të plotë, me emra, mbiemra, origjinën dhe shkakun e vdekjes, të personave që kanë tentuar të arrijnë Europën dhe kanë humbur jetën. 33 293 njerëz të regjistruar si të vdekur në këtë përpjekje që nga viti 1993.

33,293 emra, 33,293 fate, 33,293 të vdekur në aspiratën e përbashkët për të shkelur Europën. Figurojnë patjetër aty edhe shqiptarët, sidomos në vitet ’90, bashkë me marokenë, afganë, jugosllavë, irakenë, iranianë e së fundmi afrikanë të tjerë dhe sirianë. Gjithë lista e kombeve që janë sot në lëvizje masive.

Puna e bërë nga gazeta është e lavdërueshme dhe është një shenjë respekti për të ikurit. Gazeta ka bashkëpunuar me disa ente dhe agjenci për të arritur në këtë finale të lavdërueshme.  UNITED for Intercultural Action, njën rrjet me bazë në Amsterdam ka mbledhur të dhënat e listës. Një pjesë e listës e përbërë nga 7,128 raste u ekspozua për herë të parë në vitin 2007 në Amsterdam dhe për 10 vjet është thuasje 5 fishuar. Në këtë listë numërohen 404 shqiptarë të Shqipërisë.