Ibrahim Vasjari: Me shpirt të bukur mbetemi gjithmonë

Me nipin dhe mbesën. Është koha e tyre. Ne… jemi vonë, tepër vonë

(Një poezi nga cikli ‘’Mozaik nate’’)

Me Erlin, nipin tim, shpesh ndihem ngushtë.
Si ta shkoqis pse erdhëm ne kaq vonë.
Ç’u bë me brezin tuaj, babagjysh?
Sa vjet u bluat në revolucion?

Ndihem në qelë, mes hijesh që faniten.
Ende nën zhgun një plumb seç më cimbis.
Po kohët larg në mjegull davariten.
Dhe veten mbledh
Dhe gulçin e gëlltis.

Dikur, plot hove, morëm fluturim.
Drejt jush u nisëm …ish revolucion.
Stuhi e egër shfrynte papushim.
Dhe erdhëm pleq
Dhe erdhëm tepër vonë.

Tek vrisnim vitet, kodet dhe të parët,
Qiejt mbi ne lëngonin yjengrirë.
S’ju gjenim dot, s’i ngrinim dot të vrarët.
Ju ishit larg,
Mirazh në shkretëtirë.

Drejt jush, në sfond, qefinë resh nxinin.
Me ne përzisht vozitnin në harrim.
Dëborë vitet flokë-flokë binin
Me pupla ëndrrash vrarë në shtegtim.

… Së fundi erdhëm, lodhur e këputur.
Po jo gjithçka ndërgjegjen na rëndon.
Dhe jo gjithçka ndër vite kemi humbur.
Me shpirt të bukur mbetemi gjithmonë.